Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut

Pjesë nga libri “SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE”, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka

Nga Faik Konica



Të premten e zezë të 7 prillit 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët, pa kurrfarë paralajmërimi, pa asnjë provokim paraprak dhe pa shpallur luftë, e pushtuan Shqipërinë, një vend i paarmatosur dhe gati pesëdhjetë herë më i vogël se agresori.

Kjo vepër “e lavdishme” ndezi zilinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili plot me dëshirë për të kryer një heroizëm të ngjashëm, që në krismën e parë, ia mbathi me të katra, duke i lënë shqiptarët të luftonin kundër hordhive të panumërta.

Përbuzja e botës së qytetëruar për agresorët qe më e madhe se tmerri përpara tyre, përderisa ajo botë e përmbajti veten, dhe e shtyrë nga mëshira, nuk e shfaqi opinionin e vet për dezertorin shqiptar.

Në atë kohë unë isha përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha emëruar që në vitin 1926, si i deleguari i vendit tim, për rilindjen e të cilit kam punuar që në fëmijëri. Qeveria amerikane, që nuk i njihte ndryshimet territoriale, të bëra me “metoda gangsterësh”, vazhdonte të më quante mua si përfaqësuesin e ligjshëm të Shqipërisë. Për më tepër, ky qëndrim në lidhje me pozitën time, lehtësohej edhe më shumë nga fakti se fashistët, të cilët në fillim luajtën pjesën e “çlirimtarëve” të Shqipërisë dhe jo të shkelësve të lirisë së saj, u përkujdesën të krijonin një qeveri kukull shqiptare, me përfaqësitë e saj diplomatike. Porse italianët, të cilët, megjithëse kanë zënë një vend nderi të shkëlqyer në historinë e kulturës, nganjëherë të krijojnë përshtypjen se janë më tepër të shkathët sesa të zgjuar. Të njohur siç janë për padurimin e tyre, nuk e duruan më gjatë një gjendje të maskuar, e cila ishte në dobi të tyre, pasi e mbulonte me një vello dhunën që i kishin bërë Shqipërisë, dhe kështu, në mes të qershorit, qeveria kukull e Tiranës mori urdhër t’i mbyllte të gjitha përfaqësitë dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit e kombeve të ndryshme, të akredituar në Tiranë, u njoftuan papritur se nuk u njihej më statusi i tyre diplomatik. Pak më vonë, dhe për të qenë të përpiktë, më 24 qershor 1939, më thirri në Departamentin e Shtetit Sekretari i Shtetit dhe më njoftoi se, në bazë të reciprocitetit, ishte i detyruar ta quante të kryer misionin tim. Mister Kordell Hulli, që po tregohej edhe më i njerëzishëm se sa është zakonisht, u duk sikur po e lexonte në sytë e mi çudinë për diskriminimin e hapët që i bëhej Shqipërisë, në krahasim me Çekosllovakinë, përfaqësuesi i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues i ligjshëm i kombit të vet. Mister Kordell Hulli e shpjegoi këtë trajtim të diferencuar, duke thënë se “ndryshimet në Çekosllovaki kishin ngjarë në mënyrë të papritur”, ndërsa, në Shqipëri, ndryshimi kishte ardhur duke u bërë shkallë-shkallë. Nuk dyshoj që ky shpjegim mund të ishte i mbështetur, por po e rrëfej që nuk e kuptoja dot një gjë të tillë. Megjithatë nuk e quajta me vend të kërkoja sqarime. Pasi e dëgjova në heshtje, që nga fillimi, e falënderova Sekretarin e shtetit për të gjitha lehtësitë që më kishte bërë gjatë shërbimit tim dhe u largova.

Duhet thënë se ky epilog melankolik më trishtoi për të ardhmen e vendit tim, por duhet ta pranoj, se në të njëjtën kohë, e ndjeva veten të lehtësuar. Pozita e një njeriu që njihet si përfaqësuesi i ligjshëm i një vendi, pa përfaqësuar qeverinë reale të tij, të nxjerr shumë telashe. Më sillte në mend atë aktorin e Shopenhauerit, i cili vazhdonte të luante pjesën edhe pasi ishte mbyllur perdja. E ndjeva veten edhe më të lehtësuar, për shkak se lidhjet e mia me Zogun ishin këputur me kohë.

 

II

Asnjëherë Zogu nuk kishte qenë një sundimtar i lehtë për t’u duruar, por në vitet e fundit ishte bërë i padurueshëm. I pajisur nga natyra me disa veti të shënuara, në fillim pati aftësinë t’i maskonte të metat e veta të shumta, derisa sukseset e njëpasnjëshme e bënë të humbiste vetëpërmbajtjen dhe atëherë doli në shesh si një barbar endacak dhe i pabesë. Por, duam a nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon, për të cilin do të interesohen si grumbulluesi i fakteve historike të çuditshme, ashtu dhe studiuesi i psikologjisë. Më kanë nxitur vazhdimisht që të shkruaja një libër për këtë personalitet interesant. Unë jam lëkundur për një kohë të gjatë, kryesisht sepse isha i zënë, duke shkruar një histori të Shqipërisë, e cila kërkonte gjurmime të mundimshme edhe nëpër dorëshkrimet e pabotuara të bibliotekave të Evropës. Megjithatë, në kohën e lirë, u hidhja një sy autorëve elizabetianë (siç e kam zakon, herë pas here, edhe tani). M’u duk sikur gjeta një portret të Zogut te Mbreti Xhon i Shekspirit ose te “Martineri i Ri” i Marlout, a te “Çifuti i Maltës”, i po këtij autori. Me pak fjalë, Zogu, që nuk më kishte tërhequr kurrë si burrë shteti, më në fund ma zgjoi interesin si një subjekt anatomie. “Zarja u hodh”. E ndiej se duhet të shkruaj diçka për atë. Ndoshta lexuesit mund të mendojnë se unë fillova ta kritikoj Zogun meqë ai ra nga fuqia. Supozimet nganjëherë dalin me vend, por në këtë rast, një supozim i tillë është krejtësisht i gabuar. Unë e kam kritikuar Zogun edhe kur ishte në fuqi;: këtë punë e kam bërë pa pushim, që nga viti 1922 deri në vitin 1939, me biseda të hapura dhe në shtyp, madje edhe atëherë kur isha ministër i tij, dhe aq shumë, saqë çdo ditë prisja pushimin nga puna, dhe kushdo çuditej si më duronin. Sa për të ilustruar sa thashë, po sjell këtu disa fakte.

Në shkurt të vitit 1934, Zogu, për fat, shpëtoi nga një atentat në Vjenë. Nuk do ta lodh lexuesin dhe veten, duke sjellë këtu të dhëna statistikore. Ata që kanë një kujtesë të mirë, mund ta kujtojnë kryeartikullin, me shkronja të mëdha, në shtyp. Unë shpreha mospëlqimin tim për këtë atentat të poshtër, megjithëse mund të ishte i frymëzuar nga një atdhetarizëm i gabuar. Kur u hap procesi, mbrojtja përdori citate nga shkrimet e mia, ku thuhej se Zogu nuk ishte tjetër, veçse një despot i vogël injorant. Të shkëputura nga konteksti i përgjithshëm, që kishte si qëllim ta kthente mendjen dhe veprimtarinë e Zogut në një drejtim më të mirë, duke i bërë kritika konstruktive dhe të llogaritura mirë, thuhet, se ato citate i ndihmuan të akuzuarit të shpëtonin me një dënim të lehtë.

Në vitin 1938 bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara tri motrat e mira dhe tërheqëse të Zogut. Unë bëra çmos, si shoqërues, si filozof, dhe si mik i tyre. Përpara se të ndahesha prej tyre, plaku shtatëdhjetëvjeçar Abdurrahman Salihu, një mik i vjetër i shtëpisë së Zogut, që kishte ardhur si shoqërues i princeshave, shprehu mirënjohjen e vet për kujdesin tim. As vetë mbreti, tha ai, nuk do të mund të bënte më tepër për të motrat. Pastaj plaku shpirtmirë më tha se, po të dëshiroja, mund t’i jepja një mesazh me gojë për mbretin; “a më premtoni se do t’ia transmetoni mesazhin tim, pa i bërë asnjë ndryshim?”, e pyeta unë. Plaku më dha fjalën se ishte i gatshëm. “Mirë atëherë”, thashë unë, “bëji të ditur mbretit se kritikat e mia do të mbeten të kufizuara brenda qarqeve shqiptare; jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me të gjitha fuqitë e mia. Do të vazhdoj t’i shërbej me besnikëri dhe me zemër, sepse jam përfaqësues i tij dhe ai është koka e shtetit shqiptar. Por personalisht, unë ndiej përbuzjen më të madhe për karakterin e tij”. Abdurrahman Saliu mbeti me gojë hapur. “Vërtetë dëshironi t’ia përsërit të gjitha ato që thatë?”, – pyeti ai. – “Më premtuat dhe duhet ta mbani fjalën”, qe përgjigja ime; “Fjalën do ta mbaj por…”, – shtoi plaku pas një pauze “a mund të më thoni pse keni një mendim kaq të keq për mbretin?” – “me gjithë qejf”, – iu përgjigja unë me qetësi. “E përbuz mbretin për këto arsye: e kam ndjekur që kur ishte tetëmbëdhjetëvjeçar, por s’e kam dëgjuar një herë të thotë të vërtetën. S’e ka mbajtur kurrë fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I Urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulturë, prejardhje familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetarë të ndershëm. Ai nuk i vlerëson gjërat kryesore, por u jep rëndësi disa punëve boshe. Përpara, Shqipëria është njohur gjithmonë si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë deri në nivelin e një farse muzikore pa vlerë”.

Natyrisht, artikujt që botoheshin në shtyp me emrin tim, nuk e kishin tonin e deklaratës që i bëra plakut të mirë Abdurrahman. Ata dilnin herë pas here në “Diellin”, gazeta më e mirë dhe më me kredi në gjuhën shqipe, që botohej në Boston, Masaçusets, që në vitin 1909. Sapo arrinte “Dielli” në Shqipëri, dhe në atë numër kishte ndonjë gjë të shkruar nga unë, njerëzit shtypeshin për të marrë një kopje. Në rast se policia kishte konfiskuar ndonjë numër të veçantë, siç ngjante shpeshherë, një kopje e saj mund të shitej deri në njëzet franga ar (barazi me shtatë dollarë, sipas kursit të sotëm të këmbimit). Kjo tregon interesin e madh për atë gazetë, kur mendon se paratë tingëlluese janë me mungesë në Shqipëri.

Në numrin e 22 gushtit, 1938, të “Diellit”, unë botova një artikull me nënshkrimin tim, ku bëhej fjalë për format e ndryshme të qeverisjes; artikulli përfundonte me këto fjalë; “Monarkia, në Shqipëri ky dy lloj armiqsh: ata që qe ngrejë në qiell pa masë dhe vend e pa vend, dhe ata që e bëjnë qesharake me festime të ndryshme. Nëse e duam monarkinë, le të përpiqemi t’i japim asaj seriozitet dhe dinjitet, duke i lënë mënjanë festat e karnavaleve”.

Është e nevojshme të shtohet se i vetmi person përgjegjës për ato festa karnavalesh ishte vetë Zogu. Në të vërtetë, e gjithë mbretëria e Zogut nuk qe gjë tjetër veçse një festë e gjatë karnavalesh, me një përfundim tragjik.

 

III

Për çudi, sapo hipi në fuqi, ish-mbreti i Shqipërisë e ndërroi emrin e vet. I lindur Ahmet Zogolli, djalë i Xhemal Zogollit, bajraktar i rrethit të Matit, ai më vonë u bë Ahmet Zogu, dhe, në fazën e fundit të karrierës së vet të turbullt, e mbiquajti veten “Mbreti Zog”. Sido që të jetë puna, karriera e tij politike në Shqipërinë e re mund të shikohet si një episod historik i dorës së dytë. Ishte lindur më 8 tetor 1895, në fshatin Burgajet të krahinës së Matit dhe rridhte nga një familje zyrtarësh qeveritarë brez pas brezi. Që në fëmijëri e dërguan në shkollë në Stamboll, por arsimi i tij u ndërpre në vitin 1912, kur Shqipëria u çlirua nga Turqia. Atë që i mungonte nga arsimi e zëvendësonte me zgjuarsi dhe mprehtësi. Zogu nisi të binte në sy që në vitin 1914, kur Princi Vilhelm Fon Vid (Vied), mbret i Shqipërisë për gjashtë muaj, gjendej në rrethana të vështira me nënshtetasit e vet. Si udhëheqës i krahinës së Matit, Zogu u vu në krye të 2000 vetave dhe u propozoi atyre t’i venin në ndihmë Princit. Megjithëse nuk e mbajti premtimin e dhënë, i zhvati shumë qindra napolona monarkut të pafat.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur një pjesë e mirë e Shqipërisë ishte pushtuar nga trupat austro-hungareze, Zogu bashkëpunoi me pushtuesit, por oficerët austriakë filluan të vërejnë një farë shqetësimi tek udhëheqësi i ri. Vdekja e Perandorit Franc Jozef, më 1916, u dha rastin ta largonin nga skena dhe e dërguan në Vjenë për të qenë i pranishëm në kurorëzimin e Perandorit Karl. Aty Zogu u mbajt deri në fund të Luftës. Ky qe kontakti i tij i parë me botën perëndimore ku u bë dhe edukimi i tij i lartë, duke mësuar gjermanishten dhe duke vëzhguar nga afër politikanë me rëndësi të Perëndimit. Është interesante të përfytyrohet çfarë përshtypjesh do të ketë lënë në imagjinatën e malësorit të ri ceremonia e kurorëzimit të Perandorit Karl; ndoshta aty i lindi, për herë të parë, ideja që edhe ai, një ditë, të vinte mbi kokë kurorën e mbretit. Si për çudi, sapo u kthye në Shqipëri, pas mbarimit të Luftës, ai ia hyri asaj rruge që do ta bënte mbret. E mori fuqinë me metoda vërtetë makiavelike, megjithëqë nuk dihet nëse i ka lexuar apo jo udhëzimet e “Princit”.

Kur u kthye në Shqipëri, Zogu e gjeti të shkatërruar vendin e vogël të dalë nga Lufta, dhe në një kaos politik që ishte afër me anarkinë. Kjo i dha rast atij t’i përdorte mirë të 2000 malësorët, që ishin gati ta ndiqnin në çdo aventurë. Për më tepër trazirat e Shqipërisë nuk ishin vetëm të brendshme, pasi vendit i kërcënohej edhe copëtimi nga fqinjët. Kjo krizë i detyroi shqiptarët që t’i shtynin për më vonë mosmarrëveshjet që kishin ndërmjet tyre. Më 21 janar të vitit 1920 ata u mblodhën në Kongresin historik të Lushnjës, ku u mbështetën tek “vetëvendosja” e kombeve e Presidentit Wilson dhe shpallën “besën” e tyre, duke u betuar se ishin gati të vdisnin për të ruajtur tërësinë tokësore dhe politike të vendit. Duhet përmendur këtu se zona, ku u mblodh Kongresi i Lushnjës, gjendej ende e pushtuar nga italianët dhe të vetmet forca për të mbrojtur udhëheqësit ishin besnikët e Zogut.

Me formimin e qeverisë, në Kongres, Zogu u bë ministër i brendshëm, pozitë kjo që i dha kontrollin mbi xhandarmërinë dhe policinë. Që prej asaj kohe ai filloi të ngjitej si një meteor, kryeministër më 1923, president më 1925 e më në fund mbret, më 1928. Është me interes të vërtetohet se çdo hap që bëri, nga ministër i brendshëm e deri te mbret, e kreu “sipas kushtetutës”. Hipjen e tij në fuqi e kundërshtoi vetëm një njeri, dhe ky qe Peshkop Fan. S. Noli, i arsimuar në Amerikë. Peshkopi u vu në krye të forcave liberale të vendit, shumica e të cilave e kishin provuar demokracinë në Amerikë. Për më tepër ai shikohej me sy të mirë nga fshatarët, që përbënin 95% të popullsisë, si i vetmi njeri i aftë për ta drejtuar vendin drejt reformash përparimtare e demokratike. Në qershor të vitit 1924, në një kryengritje spontane kundër forcave të errëta të reaksionit, Fan Noli e detyroi Zogun të braktiste vendin. Porse, gjashtë muaj më vonë, Zogu u kthye në Shqipëri, me ndihmën ushtarake të fqinjëve jugosllavë dhe me pëlqimin e Anglisë, Italisë dhe Greqisë. Kthimi i tij “triumfal” në Tiranë shënoi fundin, një herë e përgjithmonë, të karrierës politike të Peshkop Nolit.

Gjatë karrierës së tij të turbullt, Zogut i bënë dy atentate. Njërin më 23 shkurt të vitit 1924, kur po u ngjitej shkallëve të parlamentit. Një student i ri, i quajtur Beqir Valteri, shtiu dy herë dhe e plagosi në dorë, por Zogu u fut në sallën e asamblesë, sikur të mos i kishte ndodhur asgjë. Për herë të dytë i bënë atentat në Vjenë, më 21 shkurt 1931, ku kishte vajtur për një vizitë mjekësore. Shtinë kundër tij atëherë kur po dilte nga Teatri i Operas, ku jepej “Pagliacci”. Mbeti i vrarë njëri nga adjutantët e Zogut, por ky vetë shpëtoi.

Duke përmbledhur të gjithë karrierën, dalin disa gjëra në favor të tij. Më së pari ai i dha vendit një bashkim të dukshëm, duke vendosur rregullin përmbi anarkinë dhe, siç e kanë vërejtur disa njerëz të urtë, tirania duhet parapëlqyer para anarkisë. Pastaj ai e shpëtoi vendin nga kusaria dhe paligjshmëria, një vepër që u vlerësua shumë, siç mund të kuptohet nga këto fjalë, që qarkullonin “sotto voce” nëpër kafenetë: “Vërtetë nuk ka më kusarë në Shqipëri, sepse të gjithë janë mbledhur në Tiranë, ku grabitin me autoritet që nga tryezat”. Më në fund, megjithëse vetë ishte bej, e pakësoi shumë fuqinë e bejlerëve. Këtë e bëri, kryesisht, për të forcuar pushtetin vetjak.

Si anë negative ishin administrata e karakterizuar nga korrupsioni dhe paaftësia, përderisa atë e rrethonin njerëz pa karakter, pa njohuri dhe pa ndershmërinë më të zakonshme. Liria e fjalës dhe e shtypit ishin zhdukur fare dhe spiunët e tij, që gjendeshin anekënd, e terrorizonin popullin. Megjithëse injorant në punë të ekonomisë, për punët e veta ishte i shkathët. Tre për qind të të ardhurave shtetërore i merrte për vete, në formë rroge dhe shpërblimesh, por shumica e pasurisë tij, që arrinte deri në pesë milionë dollarë, e kishte burimin te bakshishet që i jepte Mussolini, për koncesionet politike dhe ekonomike që i kishte dhënë Italisë. Fama e Zogut si kontraktues i zoti mund të përmblidhet në këto fjalë të një ish-ministri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë: “Ishte e lehtë ta blije Zogun, por ai nuk të qëndronte i shitur”.

Më 7 maj të vitit 1938 Zogu u martua me konteshën Garaldina Aponji të Hungarisë dhe pati si kumbarë të madh kontin Galeaco Çiano (Galeazzo Ciano), ministër i punëve të jashtme i Italisë dhe dhëndër i të pavajtuarit Musolini. Një vit më vonë, më 5 prill 1939, i lindi një djalë. Dy ditë më vonë, një të premte të zezë, ndërsa krishterimi kishte rënë në gjunj përpara Princit të paqes, legjionet e krishtera të Musolinit kaluan Adriatikun dhe u sulën mbi vendin e vogël. megjithëse nuk i mungonte guximi animalesk, kur erdhi koha për ta ushtruar, atë të premte të zezë fatale, Zogut iu prishën nervat dhe e braktisi vendin. Është kuptimplotë fakti se italianët nuk bënë asnjë përpjekje për ta kapur, kur ai po kalonte kufirin me Greqinë. Meqë aeroplanët e Italisë mund ta diktonin fare lehtë karvanin e tij, mund të mendohet se Musolini e la “të ikte” atë që dikur e kishte patur nën mbrojtjen e vet.

Po të kishte vendosur Zogu të qëndronte me popullin e vet dhe ta luftonte pushtuesin nga malet, ai do ta kishte përsëritur epokën e Skënderbeut në shekullin e njëzetë, do të kishte fituar admirimin e mbarë botës dhe mirënjohjen e popullit. Përkundrazi, ai parapëlqeu t’ua mbathte këmbëve.

Zogu i kaloi vitet e Luftës në Angli, por i kishte duart krejtësisht të lidhura nga pikëpamja politike, meqë Anglia i kishte premtuar Greqisë Shqipërinë e Jugut, si shpërblim për qëndresën kundër italianëve në vitin 1940. Aty nga fundi i luftës vajti në Egjipt, ku u prit mirë nga ish-mbreti Faruk. Një vit, ose pak më vonë, kur mori fuqinë Koloneli Gamal Abdel Naser, Zogut iu hoqën privilegjet mbretërore. Më në fund, Zogut iu duk e padurueshme atmosfera e qeverisë revolucionare të Egjiptit, prandaj e la vendin e faraonëve. Tani dergjet në Francë, viktimë e një sëmundjeje të rëndë zemre, duke e parë Shqipërinë të sunduar nga po ata njerëz, të cilët ai i kishte trajtuar keq dhe i kishte terrorizuar gjatë mbretërisë së vet. Sic transit gloria mundi.1

1 Latinisht: Kështu kalon lavdia e kësaj bote.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252