Nga Yascha Mounk, The Atlantic
Kur Recep Erdogan u zgjodh për herë të parë kryeministër i Turqisë, në vitin 2003, ai u angazhua për të respektuar institucionet demokratike të vendit dhe për të lënë zyrën nëse do humbiste besimin e publikut. Por realiteti i sundimit të Erdogan ka qenë më i zymtë. Edhe pse mediat ndërkombëtare e portretizuan fillimisht si një reformator demokratik, ai ka zgjeruar sistematikisht pushtetin e tij dhe ka përndjekur kundërshtarët nga postet kryesore në ushtri, shërbimin civil dhe në institucionet arsimore. Kur ish-aleatët tentuan që ta largojnë me një grusht shteti në verën e vitit 2016, ai përdori këtë rast për të konsoliduar kontrollin mbi vendin. Falë pushtetit të madh të emergjencës, që e mori pas puçit të dështuar, ai ishte në gjendje të shkarkonte dhjetëra mijëra punonjës të shërbimit civil, që i konsideronte të pabesueshëm politikisht, si dhe burgosi disa nga gazetarët më të famshëm në vend.
Por edhe kur natyra diktatoriale e regjimit të Erdogan u bë e dukshme, dhe kur liria për ta kritikuar u kufizua më shumë, Turqia sërish vazhdoi të mbante zgjedhje multi-partiake, që i dhanë opozitës disa mundësi për të konkurruar tek kutia e votimit. Në qershor të vitit 2018, Erdogan fitoi 53 përqind të votave në një palë zgjedhje, që për shumë vëzhgues u dëmtuan nga aktet e dhunshme kundër opozitës, por prej atëherë Erdogan e emëroi veten president të Turqisë.
Këto zgjedhje duket se e lejuan Erdogan që të hante kekun, por edhe që ta kishte atë: Nga njëra anë, kontrolli i tij mbi institucionet kryesore, si komisioni zgjedhor, ia kufizoi rrezikun që mund të përbënin zgjedhjet ndaj pushtetit të tij. Nga ana tjetër, zgjedhjet ndihmuan për të vendosur legjitimitetin në shtëpi dhe jashtë. Edhe pse vëzhguesit e OSBE apo Freedem House theksuan se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, liderët ndërkombëtarë, përfshi Angela Merkel dhe Donald Trump e përgëzuan publikisht Erdogan për ‘fitoren’ në zgjedhje. Siç thekson Timur Kuran, një ekspert turk i regjimeve autokratike, Erdogan synoi të kombinonte ‘iluzionin e zgjedhjeve të kundërshtuara’ me një ‘rezultat të paracaktuar’.
Pushteti i jashtëzakonshëm që ka tani Erdogan e ka bërë të veçantë faktin që opozita e bashkuar ia doli muajin e shkuar të shënonte disa fitore të pazakonta në zgjedhjet lokale: Duke shfrytëzuar krizën ekonomike në rritje në Turqi, dhe duke vendosur disa kandidatë karizmatikë dhe pajtues, opozita ia doli të shënonte dy fitore me simbolikë të lartë, duke marrë kontrollin e kryeqytetit, Ankara, si dhe të qytetit më të madh, Stambollit.
Si rezultat, Erdogan për herë të parë që nga grushti i dështuar i shtetit tre vjet më parë u gjend para një dileme të vërtetë: A do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, duke pranuar kështu pakënaqësinë në rritje të publikut me sundimin e tij? Apo do të shfrytëzonte pushtetin mbi institucionet e Turqisë për të anuluar zgjedhjet, duke ua bërë kështu të qartë të gjithë atyre që shqetësoheshin se Turqia nuk është më demokraci?
***
Përgjatë shumicës së shekullit të 20-të, kërcënimi më akut ndaj demokracisë vinte nga grykët e armëve. Kur shembeshin sistemet demokratike, kjo ndodhte për shkak se tanket e komanduara nga lideri i një lëvizje të hapur antidemokratike marshonin drejt parlamentit apo pallatit presidencial.
Por në shekullin e 21-të, grushtet e shtetit janë bërë më të rralla. Nga Rusia në Venezuelë, liderët autokratë, që kanë shkatërruar institucionet demokratike, kanë fituar postet më të larta në kutitë e votimit. Në vend që të sulmojnë hapur demokracinë, ata kanë vendosur që të argumentojnë se ata, dhe vetëm ata, përfaqësojnë vërtet njerëzit.
Regjimet autokratike, që nga Republika ‘Demokratike’ Gjermane e deri tek Republika ‘Demokratike’ e Kongos kanë tentuar të krijojnë iluzionin e legjitimitetit publik përmes ‘zgjedhjeve’. Por, për çfarëdo qëllimi propagandistik mund të ketë shërbyer drama e zgjedhjeve, ajo duket shumë brutale për të mashtruar audiencën e brendshme. Në përgjithësi, vetëm një parti lejohej të paraqitej në zgjedhje, të cilat zakonisht përfundonin me 99 përqind të votuesve, që i shprehnin përkushtimin e thellë diktatorit.
Në kontrast, ky lloj i ri i liderit autoritar është duke u investuar gjithmonë e më shumë në ruajtjen e një mandati në dukje demokratik. Si rezultat, ata janë angazhuar në një kalkulim politik më të komplikuar: Ata i japin opozitës mjaftueshëm shanse sa për të konkurruar në zgjedhje, që të duken të besueshme tek një segment i rëndësishëm i popullsisë. Por ata duhet të kapin në masën e mjaftueshme institucionet politike, siç janë komisionet zgjedhore, për të siguruar që njerëzit nuk mund t’i largojnë nga posti me votë.
Por siç tregojnë zhvillimet e fundit në Turqi, megjithatë mund të mos jetë e mundur që të ruhet ky ekuilibër përgjithmonë. Madje, edhe qeveritë që thuajse e kanë zhdukur lirinë e medias, rrezikojnë të bëhen kaq jopopullore sa të detyrohen të ushtrojnë mënyra brutale të manipulimit të votave.
***
‘Ne jemi të etur për demokraci,’ i tha Ekrem Imamoglu një turme të mbledhur tre javë para se ai të zgjidhej kryebashkiak i Stambollit. ‘Askush nuk mund të ndalojë atë që duan njerëzit’.
Por teksa po mbante fjalimin frymëzues, Imamoglu e dinte shumë mirë se Erdogan do e bënte këtë. Pasi përdori pushtetin e tij mbi shumicën e mediave në vend për të shpërndarë teori konspirative të çmendura se një opozitë e pafuqishme ia paska dalë që të falsifikojë rezultatin e zgjedhjeve, Erdogan përdori pushtetin e tij mbi gjyqësorin për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve. Duke cituar parregullsitë zgjedhore, Komisioni zgjedhor shpalli të hënën se në Stamboll do ketë zgjedhje të reja në qershor.
Ky vendim shënon një kthesë themelore në historikë politike të Turqisë: Tani është e pamundur që çdo vëzhgues i arsyeshëm të mohojë realitetin. Një vend, ku presidenti ka fuqinë të anulojë zgjedhjet kur nuk i pëlqen rezultati, është bërë qartazi një diktaturë. Që tani e tutje, kushdo që insiston për ta quajtur Turqinë një demokraci, ose që i trajton zgjedhjet e saj si një barometër të drejtë të opinionit publik, është ose budalla, ose gënjeshtar.
Ka marrre fund. O te gjithe te vdekur e toke e djegur Shqiperia,o shqiptaret e lire e zot te fateve te veta duke varrosur njehere e pergjithmone keto falangra krimi pa dinjitet!
Le ta dije Amerika e Europa se Shqipetaret nuk bashkjetojne me me kete kancer .
Keto krimba krimi,cinike,prostituta politike,hamshore te vetkenaqur,plehra qe shesin e blejne lire fatet e kombit,pasurite kombetare? Jo me ! Fund kesaj mortaje qe na mbajti te semure tash 80 vjet ! Jo me!