Nga Ardian Vehbiu
“Të bisedojmë”, u thotë kryeministri Rama studentëve të protestës.
Pa çka se e vetmja gjë që studentët nuk e bëjnë dot, në këtë moment, është të bisedojnë.
Dhe ja pse: ata që kanë dalë në rrugë janë një turmë* paqësore; dhe turma si e tillë nuk mund të bisedojë. Turma nuk ka logos.
Por ka parulla, herë serioze herë komike, që edhe i bën të vetat, edhe i nxjerr mënjanë për konsum në rrjetet sociale; ka duartrokitje dhe brohorima dhe yyyy-ra dhe buuu-ra dhe fishkëllima; ka një dinamikë të vetën shprehëse, që i ndryshon kodet në shprehje e sipër.
Në fakt, turma e protestuesve artikulohet kryesisht nëpërmjet akteve ligjërimore: herë kërkon, herë refuzon, herë përqesh, herë mbështet. Si publik, përfshihet në një vetë-soditjekonstante: me çdo element që e gjen veten tek elementi përbri.
Për të “dialoguar” a “negociuar”, turma do të duhej të projektonte një përfaqësi – mbase nëpërmjet votës; dhe duke projektuar këtë përfaqësi, do të nënshkruante likuidimin e saj si turmë.
Asnjë individ, qoftë ky edhe kryeministër, nuk mund të bisedojë a të dialogojë me turmën: turmës mund t’i drejtohesh me një fjalim, mund t’i japësh një urdhër a komandë, mund t’i bësh thirrje a ta ftosh a ta provokosh – por të bisedosh me të jo.
Kjo pamundësi për të folur është forca dhe dobësia e masës së protestuesve.
Studentët kanë parullat e tyre që i thonë herë pas here në kor; por parullat i kanë të para-përgatitura dhe veç i përsëritin. Janë parulla që amplifikojnë aktin më të parë ligjërimor të kësaj proteste: kërkesën. Madje duke u përsëritur, ato e humbin kuptimin, për të shenjuar thjesht një vullnet abstrakt.
Ky është edhe thelbi i protestës masive: që këta njerëz të mbledhur bashkë kërkojnë diçka, për ta të rëndësishme.
Kërkesa është riprodhimi i kësaj mase njerëzish në kohë: ne jemi këtu sepse ne kërkojmë këtë dhe atë.
Kësaj nuk mund t’i përgjigjesh me “ejani ta bisedojmë”, që është, në fakt, kundër-kërkesë; Rama, i cili thotë se i mirëkupton studentët madje edhe tundohet t’i zbavitë, duhet të përgjigjet edhe ai me një akt sipas natyrës së postit që mban.
Mos më jepni ultimatume, thotë ai. Mirëpo masa e mbledhur bashkë vetëm ashtu mund ta shprehë çfarë dëshiron – me ultimatum: po/jo, 0/1, bardhë/zi, me ne/kundër nesh.
Kjo turmë e tanishme vjen edhe më e brishtë, mu ngaqë pushteti ka zgjedhur të mos e ngacmojë shumë; dhe të mos i nxjerrë përpara policët: gjithnjë i ngjan një mase të ujshme, në kërkim të enës që do t’ia jepte formën.
Kërkesa drejtuar kryeministrit Rama është e vetmja enë që, sot për sot, e mban në këmbë protestën.
Kjo kërkesë, në disa pika ose në një krye-pikë, është formuluar diku: në një tryezë, nën një llambë; sikurse është shkruar nga një dorë. Teksti i saj ka qarkulluar, është ndrequr, është rishkruar dhe pastaj kushedi miratuar.
Informacioni brenda masës së protestuesve përhapet në forma epidemiologjike, si të ishte virus, me kontakt; të drejtpërdrejtë ose të ndërmjetësuar nga telefoni. Ndonjë megafon kalon dorë më dorë. Studentët dyzohen mes dëshirës për një publik dhe dëshirës për të qenë ata vetë publik. Në momente kritike, e njëjta masë organizohet duke i folur vetes, duke i drejtuar vetes parulla – si ato grupet e iso-polifonisë, ku rolet e individëve edhe e prezantojnë edhe e presupozojnë korin në sfond (ison).
Edhe kur kthehet me fytyrë nga vetja, masa nuk artikulohet dot, përveçse me rrugë paragjuhësore dhe duke i trajtuar copëzat e ngrira të ligjëratës si të ishin pasthirrma, refrene këngësh ose objekte akustike “të gjetura.”
Ka pastaj grupe brenda masës së studentëve, që luajnë rolin e “kristaleve të turmës”, siç i ka quajtur Elias Canetti.
Roli i tyre është të precipitojnë një vetëdije sado rudimentare, por të tillë që t’ia lejojë masës së protestuesve vijueshmërinë – në kuptimin e përgjigjes unike ndaj pyetjes: pse jemi këtu?
Të gjithë duan t’i marrin në duar këto kristale, të fokusojnë mbi to kamerat, t’i shqyrtojnë me spektroskop, t’i godasin me laser, t’i testojnë me trysni të lartë, t’u zbulojnë origjinën dhe gjenealogjinë.
Për momentin, turma parapëlqen të mos e artikulojë lidershipin e vet – jo ta mbajë sekret, por vetëm ta prezantojë si heshtje, duke marrë një faqe nga Multitude e Hardt-it dhe Negri-t.
Madje mbase duke besuar se ka më rëndësi, për momentin, që të ruhet një homeostazë, me protestën si akt i pakonsumuar, në mos fare i pakonsumueshëm.
Me gjasë, ligji për arsimin e lartë do të bjerë, buxheti për arsimin do të shtohet, bordet që menaxhojnë universitetet do të shpërndahen…
Pastaj protestuesit do të vendosin nëse do t’i japin fund apo jo qenies së tyre kolektive. Dhe nuk është e thënë që protesta të marrë fund.
Mbase masa mund të vendosë të rezistojë, duke u organizuar tashmë rreth mureve që ia kanë ngritur për ta argjinuar: partive politike që kërkojnë ta shndërrojnë në ushtri (hordhi); kryeministrit Rama, që tundohet ta përdorë kundër “burokracisë” (inercisë), njëlloj si Maoja gardistët e kuq të Revolucionit Kulturor qëmoti; mediave që rreken ta trivializojnë, duke e trajtuar si gjenerator memesh argëtuese.
Mbase… mbase. Turma mund të mos ketë arsye, por gjithnjë e ka një logjikë. Gjithnjë me shpresë se logjika e kësaj të tanishmes është që të mos lejojë riciklimin.
(*) Këtu dhe gjetiu në tekst, e kam përdorur termin turmë si kategori sociologjike elementare (do t’i korrespondonte anglishtes crowd ose italishtes folla). Ky përdorim nuk ka të bëjë me kuptimet që mund t’i jepen fjalës turmë në tekste me natyrë letrare ose gazetareske; por i përgjigjet përkufizimit “grup i madh dhe i paorganizuar njerëzish” që e gjen edhe në Fjalorët e Shqipes; dhe ku tipari “i paorganizuar” e veçon turmën nga grupe të tjera të mëdha njerëzish, siç mund të ishte një detashment ushtarak në parakalim, një grup atletësh që vrapojnë në një maratonë, të cilët janë të organizuar. Po detyrohem ta shtoj këtë shpjegim (për mua të panevojshëm) sepse shoh që termi është keqkuptuar dhe është afruar me anglishten mob. Por mjafton edhe një lexim skiç i tekstit tim më lart, për të parë se unë nuk e kam përdorur termin me kuptim keqësues (dhe, në vija të trasha, I’ve got nothing to prove to anyone)./Burimi: Peizazhe.com/
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.