Kryesore

Si lugat nëpër New York, Edi Rama humbi Dhjetorin e dytë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:46 - 13/12/20 |
Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba



Kur institucionet bien, është bisha që fle nën “cipën e civilizimit” ajo që mbush hapësirën publike. Dhe pak orë pasi arkmorti i 25 vjeçarit la shtëpinë përballë së cilës u vra, lodhja shpirtërore përballë padrejtësisë, shpërtheu në revoltën e qindra-mjëra të rinjve, pasqyrë kjo e dhunës së pushtetit. Një revoltë që do të mbahet mend gjatë, pavarësisht jetëgjatësisë së saj, pasi skanoi gjendjen e një pjese të shoqërisë që, deri pak ditë më parë, nuk ishte gjë tjetër veçse një statistikë azilkërkuesish.


Me arrogancën e zakontë, që është edhe një nga arsyet e këtij shpërthimi njerëzor, Edi Rama i quajti protestuesit halabakë. Nuk e thurri këtë romuz nga Amerika, aty ku vërtitej dyqaneve si lugat, me pretekstin e sigurimit të vaksinës, një punë që mund të kryhej lehtësisht nga Surreli, sikurse po ndodh botërisht në kohën e aplikacionit “ZOOM”. E bëri sapo u kthye nga New York-u, dy ditë pasi kishte ndodhur hataja dhe heshtja e kryeministrit kumboi më shumë se kurrë.



Pasiviteti i qeverisë shërbeu si amplifikator i përshkallëzimit, pasi raste të tilla, lypin marrje të rrufeshme përgjegjësish. Nëse Edi Rama do të ndodhej në Shqipëri, jo përtej Atlantikut për hallet e tij, dhe heshtja do të ishte mbushur nga dorëheqja e Lleshaj, me siguri ngjarjet nuk do të kishin marrë këto përmasa. Megjithatë, gjuha e Ramës ndaj protestuesve, tregon se pësimi nuk i është bërë mësim, andaj edhe vijon me tone përçmuese dhe përçarëse, në pamundësi për të kontrolluar zemëratën e të rinjve që e kanë zëvendësuar me Lleshaj në shënjestrën e tyre.



Fatkeqësisht për të, kjo gjuhë, që ndez akoma edhe më shumë revoltën, i përket një njeriu që e ka totalisht të pamundur të jetë matësi i cilësive morale të protestuesve, pasi është botërisht e njohur, edhe për të rinjtë që kanë zbritur në rrugë, se Rama është promovuesi i halabakëve në institucionet më të larta përfaqësuese të Republikës së Shqipërisë. Dhe çdo lloj akti rebelimi i të rinjve, si pasojë e vrasjes së 25 vjeçarit dhe e harresës në të cilën ndodheshin deri pak ditë më parë, nuk mund të ketë kurrë impaktin negativ të veshjes së kriminelëve me kostumin e deputetit dhe kryebashkiakut.


Ndaj furtuna që po korr, është pasojë e erës që ka mbjellë përgjatë pushtetit të tij. Një furtunë që pak muaj përpara zgjedhjeve, ia bën edhe më të pamundur një buzëqeshje të fatit. Sa i përket fatit apo rastësisë, ky nuk është dhjetori i parë që Rama humbet. Ngjarja tragjike e Klodianit ndodhi pikërisht ‘Ditën e Rinisë”, kur Shqipëria kujton Dhjetorin e vitit 1990. Një takim me historinë që Rama humbi tridhjetë vjet më parë, ndodhej në Korfuz, e për pasojë nuk u bë dot protagonist i saj. Një ngjarje që e ka shënuar thellë, pasi të ethshme i ka pasur përpjekjet për të pikturuar veten dhe PD-në si të papajtueshëm, për shkak të Berishës. Paçka se dëshmitarët thonë se ishte Gramoz Pashko ai që i tregoi derën këtij “demokrati të flaktë”, që pak vite më vonë do të binte në krahët e ish-partisë së Punës.

Tridhjet vjet më pas Rama u gjet mungues në 8 Dhjetor. Një mungesë që do të shënojë rrugëtimin politik, jo për natyrën e ngjarjes, por për pasojë të gjendjes së krijuar në Shqipëri gjatë pushtetit të tij. Pika e famshme e ujit që derdh gotën.
Tridhjetë vjet më vonë, Shqipëria është si tridhjet vjet më parë; me Ramën në vend të Ramiz Alisë, në krye të Partisë Shtet. Një arritje personale e palakmueshme, pasi përpjekja për të kapur çdo qelizë të shtetit, e ktheu atë në atrofizuesin e ekonomisë, të zhvillimit shoqëror dhe kërcënues të lirive. Pra, në mobilizuesin kryesor të të rinjve që e shohin kryeministrin si burimin e gjendjes në të cilën ndodhen, si mbajtësi i vetëm i frerëve të pushtetit. Një kosto e fatale në prag të zgjedhjeve, në të cilat, kjo koinçidencë datash, si një shaka e historisë, do të jetë epitafi mbi karrierën e tij politike njëzetë e kusur vjeçare.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas