Aktualitet

Si ma “prishi” Roza predikimin të dielën pas Pashkëve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:39 - 07/05/19 |
Nga dom Gjergj Meta

Rozë nuk është emri i vërtetë i saj. Ajo jeton në një fshat të Mirditës dhe çdo javë pastron, rregullon, hap e mbyll Kishën e fshatit. Është shumë e rregullt dhe e saktë në përsëritjen e gjithçkaje që i kanë mësuar. Ajo nuk vonohet asnjëherë ose nëse ndodh ndonjëherë ka një arsye të fortë. Qysh në krye të herës Roza nuk ka dashur shpërblim monetar për punën e saj, por herë pas here ka pranuar ushqime për fëmijët dhe familjen e saj shumë të varfër.






Ajo punon shumë në shtëpi dhe tek ara. E ndërkohë po lufton me një tumor çdo ditë që i kërcënon jetën. Nuk rri asnjë minut ndenjur përveç kur fillon e mbaron mesha, pasi është duke u lutur e përqendruar.


Edhe të djelën e bardhë, e djela pas Pashkëve, kishte ardhur si gjithmonë dhe kishte përgatitur meshën e nisur rruzaren. Hyra në Kishë dhe e përshëndeta me krye. Ajo vazhdonte lutjen. U ula edhe unë ndër banka e po lusja rruzaren bashkë me ata që ishin në Kishë. Për hir të së vërtetës ishin shumë pak njerëz. Por Krishti ka thënë se ku dy ose tre janë të mbledhur në emrin tim e luten unë jam aty me ta. E unë e ndjeva këtë prani të Zotit atë mëngjes të djele.







E djela e bardhë mund të themi se është edhe e djela e shën Tomës, sikurse në traditën ortodokse, sepse lexohet ungjilli i Gjonit ku flitet për dyshimin e Tomës. Unë e kisha përgatitur predikimin tim mbi frikën e nxënësve të Krishtit. Kështu pas leximit të Ungjillit nisa të predikoja duke thënë se frika, ashtu si për nxënësit e Krishtit, është e natyrshme për secilin prej nesh.




Të gjithë kemi frikë se mund të na ndodhë diçka, tani ose në të ardhmen, kemi frikë nga përndjekja si nxënësit e Krishtit, nga dështimet, apo se mos humbim dikë të shtrenjtë e kështu me rradhë. E nga kjo frikë na çliron vetëm prania paqëtuese e Krishtit. Të gjithë po dëgjonin me vëmendje. Dikush tundtte kryet në shenjë pohimi e dikush thjesht dëgjonte me kujdes. Skema ime po shkonte për bukuri, ashtu si doja unë, po të mos ishte për Rozën.



Duke dashur ta bëj sa më konkrete e të gjallë fjalën time iu drejtova Rozës e i them:

“… apo jo Rozë? Edhe ti po lufton me një sëmundje të fortë e sigurisht ke frikë”

Shumë e qetë duke më parë në sy Roza ma ktheu:

“Jo dom Gjergj, nuk kam frikë aspak. Pse të kem frikë? Kam besim jo frikë. Ia kam lanë Zotit në dorë jetën time”.

M’u prish skema e predikimit dhe u hutova për momentin. Si do të vazhdoja? Unë isha i përgatitur, madje kisha “përgatitur” me mendjen time edhe përgjigjen e Rozës. E pasi ajo të thontë atë që unë kisha përgatitur për të në mendjen time, atëherë do të ndërhyja po unë. Por nuk shkoi ashtu aspak. Roza ma “prishi” predikimin dhe më dha një mësim të mirë.

Heshta për pak çaste. E pashë në sy e i thashë: “Faleminderit Rozë! Mësova shumë prej teje sot”. Po po ashtu sikurse Jezusi u paraprin të vetëve, ashtu më kishte paraprirë mua atë mëngjes Pashkësh. Ishte gati duke më prit bashkë me Rozën.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas