Shtohen zërat që kërkojnë që Maqedonia e Veriut të mos diskriminohet për shkak të Shqipërisë kur të merret vendimi për nisjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Në një intervistë para disa ditësh, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, jo më kot theksonte një detaj kur diskutohej për çështjen e nisjes së negociatave me BE-në. Sipas tij, Maqedonia e Veriut e ka marrë rekomandimin nga Bashkimi Europian rregullisht çdo vit duke filluar nga viti 2009. Sipas tij, Shqipëria duhet të fokusohet te problemet e brendshme për të shpresuar në çeljen e negociatave.
Por megjithatë, duket se Maqedonia e Veriut do na parakalojë këtë herë, pasi zërat që e shohin atë si favorite për të marrë nisjen e negociatave, janë shtuar.
Të martën, në Bruksel pritet të mblidhen ministrat e vendeve të BE, për të diskutuar për dy çështje: ndryshimet klimaterike dhe zgjerimin e unionit. Sipas burimeve mediatike, Franca, një vend skeptik ndaj Shqipërisë, pritet të vendosë tonin gjatë kësaj mbledhjeje. Se çfarë do të diskutohet për Shqipërinë dhe Maqedoninë, kjo nuk dihet akoma. Ajo që dihet është se ky takim i së martës do të shërbejë si një përgatitje për samitin e shefave të qeverive dhe shteteve të BE më 20 dhe 21 qershor. Atëherë do të merret një vendim konkret për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Të parët që kanë reaguar janë gjermanët, që thonë se koha në dispozicion për të marrë një vendim mbetet shumë e shkurtër që nga publikimi i raporteve të progresit për dy vendet tona e deri te samiti. Me shumë gjasë, ata do të kërkojnë që vendimi të shtyhet për në shtator.
Por a ekziston mundësia që Shqipëria të penalizojë edhe Maqedoninë e Veriut? Tashmë zyrtarë të BE besojnë se një vendim për Maqedoninë të merret më shpejt nga sa shpresojmë ne shqiptarët.
“Synimi im është që të dyja këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.
Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.
Ky vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët”, tha para pak ditësh Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Në këtë linjë ishte edhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, që foli për revistën ekonomike Financial Times.
Tsipras thotë se i ka shpjeguar kryeministrit shqiptar Edi Rama, se Tirana duhet të mbrojë më mirë të drejtat e minoritetit grek, ose ndryshe rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE do të mbyllet.
“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë për të filluar proceset e pranimit në BE, së bashku edhe Maqedoninë e Veriut. Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë”.