Prokurori Arjan Ndoja bashkë me shoferin e tij Andi Maloku, ishin duke konsumuar drekë në një restorant në Durrës. Aty kanë shkuar edhe dy persona të tjerë, mes tyre një personazh i njohur si Landi Muharremi. Pasi kanë konsumuar drekën Arjan Ndoja është nisur drejt Tiranës, bashkë me shoferin dhe Landi Muharremin.
Te rrethrrotullimi i Shkozetit, kamerat e sigurisë kanë kapur një tjetër automjet që po ndiqte makinën e prokurorit. Bëhet fjalë për një makinë “Benz Evo” me targa të falsifikuara që po ndiqte prokurorin Arjan Ndoja.
Sapo është futur te rrethrrotullimi i Shkozetit, ndaj automjetit të prokurorit ka filluar të qëllohet me kallashnikovë. Fillimisht është qëlluar pas automjetit, që të dilte jashtë rruge dhe më pas të shtënat kanë vijuar nga krahu i shoferit dhe te pjesa e përparame ku ndodhej edhe prokurori Arjan Ndoja.
Shoferi Andi Maloku është plagosur i pari dhe sapo është futur në autostradën Durrës-Tiranë, ka devijuar automjetin për ti shpëtuar plumbave. Nga makina e atentatorëve kanë vijuar të shtënat me 2 kallashnikov dhe dëshmitarët për policinë, janë shprehur se skena u ka dukur sikur po luhej ndonjë film. 8 herë është qëlluar drejt makinës së prokurorit, por dyshohet se ka patur më shumë se 20 të shtëna.
3 të plagosurit për disa minuta kanë qëndruar në makinë, në gjendje të rëndë për jetën, ndërkohë që makina e atentatorëve ka vijuar rrugën drejt fshatit Shkafanë në Ishëm, aty ku u gjet e djegur dy orë më vonë. Makina ishte e vjedhur në Tiranë 2 javë më parë dhe me targa të falsifikuara.
Pranë makinës së prokurorit janë afruar disa të njohur të tij, të cilët kanë nxjerrë të plagosurit dhe i kanë transportuar në spital me makina private. Nga videoja që është publikuar në rrjetet sociale dallohet se si dy persona nxjerrin nga makina prokurorin e plagosur Arjan Ndoja… një skenë që të kujton vrasjet e bujshme në Palermo nga Cosa Nostra.
Pistat e Hetimit
Gazeta Mapo mëson se pista kryesore e hetimeve janë pronat në Gjirin e Lalëzit. Prokurori Arjan Ndoja prej disa kohësh po heton një dosje të nxehtë pronash në këtë zonë, ku përpalsen interest e një grupi të fuqishëm kriminal mes Durrësit dhe Tiranës. Dosja pritet të merret në shqyrtim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të parë se deri në ç’pikë te hetimeve kishte shkuar Arjan Ndoja.
Pista e dytë lidhet me hetimin e një grupi kriminal që prokurori Arjan Ndoja ka bërë në Durrës. Atentati mund të ishte një paralajmërim, ose një lëvizje për të ekzekutuar një prokuror.
Arjan Ndoja u bë i njohur në opinionin publik, pasi kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, e akuzuan si të lidhur me krimin, vetëm pse prokurori arrestoi kreun e kadastrës në Durrës. Rama dhe Braçe për disa ditë sulmuan verbalisht në publikisht prokurorin Ndoja.
Lexo edhe
“Plumbat s’ishin për mua”, zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Ndoja
Atentati ndaj prokurorit Ndoj, gjendet makina e autorëve (DETAJE)