Kronika

Si nisi konflikti i Mihal Kokëdhimës, Goro: Shkak, porosia për peshk






               Publikuar në : 18:26 - 18/08/19 |
mapo.al

Mihal Kokëdhima, 51 vjeçari nga Himara i akuzuar se sulmoi 5 turistë spanjollë dhe guidat e tyre pas një debati mbi cilësinë e shërbimit në restorantin e tij në Porto Palermo, do të qëndrojë në burg ndërsa pret gjykimin.

Nga Jerola Ziaj, BIRN

As lotët e Mihal Kokëdhimës dhe as mbrojtja e dy avokatëve të tij, nuk e kanë bindur të dielën në mesditë Gjykatën e Vlorës gjatë seancës për rivlerësim të masës së sigurisë, se pronari i restorantit Panorama në Porto Palermo mund ta priste gjykimin i lirë.


Gjyqtarja Esmerilda Habilaj ka rrëzuar masën e sigurisë “arrest në flagrancë” pas marrjes në konsideratë të vetdorëzimit të Kokëdhimës, ndërsa ka pranuar kërkesën e prokurorit, Saimir Smaka për arrest me burg për akuzat e “kanosjes” , “dëmtimeve të tjera” dhe “shkatërrim i pronës”.

Mbrojtja e Kokëdhimës e përfaqësuar nga avokatët Arjon Besimaj dhe Kujtim Cakrani, ka kërkuar masën e sigurisë detyrim paraqitje me garanci pasurore në vlerën e 3 mijë euro, me pretendimin se Kokëdhima paraqet rrezikshmëri të ulët shoqërore, ka qenë i padënuar më parë dhe ka reaguar në kushtet e vetmbrojtjes.

Gjithashtu, sipas mbrojtjes Kokëdhima nuk ka kryer vepër penale por kundravajtje penale. I pyetur nga gjyqtarja, Kokëdhima në lot tha se rrethanat e ngjarjes nuk janë ato që aludohen nga video- skandali.

“Më morën zvarrë me makine! Ç’është kjo punë?!  Nuk kam prekur njeri me dorë, ku i kanë faktet që i qëllova. Më rrëzuan në Qeparo nga makina, si ka mundësi?! Nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur,” deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore.

“Unë u mora targën, telefonova policinë, ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në makinë. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani, ne dy  muaj punojmë. Më lini te punoj,” shtoi ai, ndërsa u dakordësua me kërkesën e avokatit mbrojtës për garancinë pasurore.

Incidenti midis Kokëdhimës dhe turistëve spanjollë u regjistrua tre ditë më parë, ndërsa në videon e publikuar të shtunën, biznesmeni nga Himara duket i varur në pjesën e përparme të makinës ndërsa godet me grusht dhe me telefon xhamin e makinës derisa e thyen.

Brenda në makinë është familja e turistëve spanjollë prej 5 anëtarësh, shoferi dhe shoqëruesi shqiptar. Nga videoja duket që turistët janë tepër të frikësuar. Nga Porto Palermo ata nisen drejt rajonit të policisë në Sarandë. Makina vijon të jetë në ecje ndërsa 51 vjeçari mbi kofano vijon të godasë xhamin e parë duke arritur ta thyej. Burri godet me telefon dhe me grusht xhamin. Ndërkohë që personat brenda makinës thonë se po i ndjekin të tjerë nga pas dhe shoqëruesi shqiptar kërkon ndihmë.

I pyetur nga BIRN, kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro tha se konflikti ka nisur pasi turistët kanë hyrë në lokalin e Kokëdhimës. Sipas Goros ata fillimisht kanë porositur peshk për 7 persona, më pas kanë gjykuar se ishte shumë ushqim duke thënë se do të ishte e mjaftueshme një sasi për 5 persona. Ka qenë ky momenti kur Kokëdhima i është afruar tavolinës së turistëve me kërcënime dhe kanosje. Videot e tjera të konfliktit janë administruar nga autoritetet.

Kokëdhima u arrestua të shtunën pasi video e konfrontimit të ti me turistët spanjollë provokoi debate të ashpra në Shqipëri. Grupi i turistëve spanjollë u takua dhe me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili e cilësoi sjelljen e Kokëdhimës si jo përfaqësuese të traditës shqiptare.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve,” deklaroi Klosi në rrjetin social Facebook.

“Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë,” shtoi ai.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, e cili përdori një gjuhë të ashpër kundër Kokëdhimës dhe nënvizoi që mikpritja është vlera më e rëndësishme e turizmit shqiptar.

“Barbari që goditi miqtë spanjollë, shkeli mbi kodin e shenjtë të mikpritjes shqiptare, duke na turpëruar të gjithëve,” tha ai.

“Mikpritja është fuqia më e pakonkurueshme e turizmit shqiptar, e cila mbreson të gjithë të huajt që na vizitojnë dhe përtej difekteve, mungesave e sjelljeve jo gjithnjë të dëshiruara në shërbimet tona turistike, që me kohën e me eksperiencën do të fashiten, agresioni i mbrëmshëm është një njollë turpi për të mos u harruar kurrë,” shtoi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook.

Reagimet e ashpra të politikanëve ndaj videos që tashmë është bërë virale në rrjetet sociale dhe ka dominuar edicionet informative në televizionet kryesore në vend, i kanë shqetësuar avokatët e Kokëdhimës.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore të shtunën, avokati Arjon Besimaj tha se do ta ankimoj vendimin, me shpresën se gjykata Apelit nuk do ndikohet nga jehona mediatike që kryeministri i dha ngjarjes. Ai e konsideroi gjyqin ndaj Kokëdhimës si një “gjyq publik”.

“Klienti im nuk ka rrezikshmëri shoqërore, dhe nuk mund të mbahet në burg për një shkatërrim prone, sepse dëmtoi një makinë,” tha ai.

Në dosjen që do t’i dërgohet tashmë gjykatës së Apelit nga mbrojtja pritet të dorëzohet edhe raporti mjeko-ligjor i Mihal Kokëdhimës, i cili pretendon se ka dëmtime në mushkri për shkak të përplasjeve të automjetit.

“Ai është i gatshëm të paguajë gjobën sado që të jetë për shkatërrimin e pronës, por jo që të burgoset, pasi dhe në momentin e sulmit,” shtoi Besimaj.

“Kokëdhima nuk ka pasur asnjë armë të ftohtë, madje ka edhe provat që tregojnë se në momentin e sulmit ka pasur në dorë vetëm celularin, asgjë tjetër,” përfundoi avokati.


Etiketa: , , , , ,

Pas