Propaganda e Erion Veliajt ka mbërritur në lartësi groteske. Edhe sektori i tij i mbipopulluar i shtypit, ka degraduar deri në atë pikë sa u servir të njëjtin lajm të gjitha mediave, por edhe gazetarët që i shërbejnë, po e bëjnë këtë punë me aq angari, sa nuk i heqin asnjë prejse servistit që duhet të kryejnë, duke e botuar lajmin “copy paste” në të gjitha mediat. Kjo është parë sot pas fjalës që mbajti kryebashkiaku para anëtarëve të këshillit, ku foli edhe për Teatrin e ri Kombëtar.
“Kemi disa javë e muaj që diskutojmë ende për prishjen e Teatrit Kombëtar, një ndërtesë e cila nuk mbante më, sipas të gjitha studimeve, por sidomos sipas 99% të aktorëve dhe atyre që realisht punojnë aty, dhe jo në një parti politike. Detyra e kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak është të marrin vendime për të ecur përpara. Nuk marrim dot vendime që mbajnë peng vendin. Vendimet duhet të jenë si të ecim përpara dhe unë besoj fort se një ndërtesë e re, moderne, me 9-fishin e hapësirës, e vendosur ekskluzivisht në territorin e Teatrit Kombëtar, pa i ngrënë asnjë centimetër, është një ndërtesë që i ka hije Tiranës, teksa hyn në 100 vjetorin e dytë të saj si kryeqytet”, tha ai.
Këtë tekst që e disponon të plotë edhe Lapsi.al e shpërndau për mediat zyra e shtypit e bashkisë.
Dhe shikoni çfarë ndodhi?
Asnjë nga këto media nuk bëri detyrën e saj për të pyetur: Pse Erion Veliaj në fillim mbështeti ligjin special të parlamentit për prishjen e teatrit që më pas u rrëzua nga BE dhe presidenti? Pse ai mbështeti gënjeshtrën se projekti i Bjarke Ingels ishte paguar nga hartuesi i ofertës së pa kërkuar Fusha? Pse pasaj nxori alibinë se Firma Fusha u tërhoq ngaqë nuk plotësonte dot kërkesat ekzigjente të Hervin Culit dhe Altin Bashës? Pse në fillim ai mbështeti versionin e Ramës se shteti s’kishte para për të ndërtuar vetë një teatër, ndërsa tani kërkon kredi 30 milionë euro, për të provuar të kundërtën, se do ndërtohet me paratë e bashkisë?
Atij nuk iu përmend as mënyrëa se si u rekrutuan, një e nga një, aktorët dhe as nëse do të ndërtohen kulla pas teatrit, ashtu siç ishte plani i parë me kompaninë Fusha. Në vend të këtyre deklaratat e tij u mbuluan me tituj gloriozë, sikur publiku ta ketë memorien të shkurtër.
Por kjo ndodh gjithmonë e deri këtu nuk ka çudi. Ajo që shtë qesharake dhe e neveritshme njëkohësisht, ka të bëjë me faktin se në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij, lajmi i Lalit është botuar njësoj, me pikë dhe me presje, siç është shkruar nga zyrat e bashkisë.
Dhe kjo është gjëja që po i nxjerr bojën përditë e më shumë. Sepse prej kohësh, gazetarët në redaksi e kanë kuptuar se lajmet për Veliajn, janë njësoj si reklamat që u paguhen pronarëve. Ato as ndryshohen, as redaktohen, vetëm botohen, madje pa u lexuar. Dhe më e keqja është se ndaj këtij injorimi përbuzës që i bëjnë gazetarët, nuk reagon as zyra e idiote dhe pertace e bashkisë.
Së paku gjithë ata vetë që paguhen të mund të përgatisnin lajmin në forma të ndryshme, për mediat e caktuara qoftë edhe për të ruajtur fasadën. Por as kjo nuk ndodh. Sepse kur situata degjeneron deri në këtë pikë, askush nuk merr më mundimin që ta ndalë. Dhe prandaj prodhohen situata qesharake si kjo, kur vetëm titulli i gazetës është i ndryshëm, por lajmi i botuar është i njëjti që ka shkruar bashkia./Lapsi.al/