‘Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin”, ishte fraza që Edi Rama artikuloi për herë të parë në momentin që PD-së nisi akuzat dhe publikimin e materialeve ndaj Fatmir Xhafajt. Shprehjen e mësipërme, Rama e renditi tek ato të cilat socialistët i kishin thënë kryeministrit teksa ky i fundit nuk kishte folur ende. Dhe për t’i vënë kapak, Rama u shpreh se ne, duke ju referuar socialistëve, nuk kemi ‘njerëz për të lëshuar’.
Dhe duket se kreu i qeverisë po vijon të ndjek të njëjtën linjë. Tek lajmet e javës të publikuara në ERTV është pasqyruar edhe deklarata e ambasadës amerikane, të bërë pak ditë më parë, sa i takon çështjes Xhafaj.
Por javën e kaluar, kur u mbajt edhe gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ambasadori amerikan Donald Lu bëri një reagim ku foli për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadori.
Por kjo deklaratë, nuk u pasqyrua tek ERTV-ja. Mesa duket, si pronari i ri televizioni, Rama nuk i ka mësuar ende rregullat e gazetarisë edhe pse në publik, teksa kritikon mediat, jep edhe udhëzime si bëhet gazetari.