Sekuestrimi i 137 kilogramëve kokaine në Pire dhe Portin e Durrësit ishte vetëm ngarkesa e fundit e një prej linjave më të fuqishme të drogave të forta që e ka pikënisjen në Amerikën Latine, raporton A2 CNN. Që nga viti 2013, trafikantët e kokainës nga Ekuadori e përdorin vendin tonë si trampolinë për tregun europian. “Alba Exotic Group”, kompania që tentoi të transportonte 137 kilogramë kokaine kishte kryer plot 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Ky ishte rasti i vetëm që u diktua për këtë kompani.
Për t’u veçuar është qyteti nga i cili janë nisur shumë nga ngarkesat, Gujakail një qytet portual i Ekuadorit. Rasti i parë daton në nëntor të vitit 2013 kur, në një kontejner u zbuluan 125 kilogramë kokainë. Destinacioni sipas autoriteteve ekuadoriane ishte Shqipëria. Një vit më pas, në maj, në të njëjtin qytet gjatë operacionit të koduar “Arkano”, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë. Sërish destinacioni ishte porti i Durrësit. Ky u pasua nga një tjetër operacion për kapjen e drogës. Sërish 93 kilogramët e kokainës do të dërgoheshin në Shqipëri.
Operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës, ishte ai i vitit 2016. Sërish destinacioni ishte Shqipëria. Kësaj radhe me 101 kilogramë të fshehura në kontejnerin e zakonshëm me banane. Si dëshmia më e qartë që trafikantët e kokainës gjejnë në portin e Durrësit një pikë-kalimi të përshtatshme për drogën ishte guximi për të dërguar me vetëm një ngarkesë, sasinë gjigande prej 613 kilogramësh me “Arbri Garden”.
Fatmirësisht shërbimet e huaja ishin vigjilente dhe u vunë në lëvizje për të ndalur itinerarin e zakonshëm tashmë, Gajakail- Durrës.
Agjencitë partnere nuk i besojnë policisë shqiptare
Zëvendësimi i 137 kilogramëve kokainë me oriz në portin e Pireut në Greqi, para se ngarkesa të mbërrinte Durrësin, ngre pikëpyetje mbi besimin e agjencive partnere tek autoritetet shqiptare, raporton A2 CNN. Si për ironi, ndonëse kontejnerët e drogës ishin nën sytë e policisë, disa nga pako u nxorën nga porti dhe i dyshuari si autor, Gentian Malindi, u largua pa gjurmë.
Rasti i 137 kg kokainë nuk është rasti i vetëm kur kuintalë droge me destinacion Shqipërinë, bllokohen apo zëvendësohen para futjes në territorin e vendit. Në shkurt 2011, 200 kilogramë kokainë kolumbiane po udhëtonte drejt Shqipërisë, e tretur në 52 fuçi me vaj palme, të porositura nga një shoqëri tregtare në Gjirokastër. Droga u bllokua në portin e Antwerp në Belgjikë. Ngarkesa u zëvendësua dhe iu vendos GPS.
Në qershor 2014, një sasi prej 265 kg kokainë nga Ekuadori, me destinacion Shqipërinë u bllokua në Malin e Zi. Në vendin tonë u arrestua vetëm kolumbiani, Augusto Triana, i ardhur për të marrë një këst të pagesës, që shkonte në 1 milionë euro.
Në janar 2015, pas informacionit të ofruar nga autoritetet gjermane të drejtësisë u zbulua laboratori i drogës në Xibrakë. Agjentët e policisë i mbajtën në vëzhgim të dyshuarit, por Genci Xhixha, i cilësuar si kryesor në grup, i shpëtoi arrestimit.
Ndërsa në shkurt 2017, pas sinjalizimeve nga agjencitë e huaja partnere autoritetet shqiptare sekuestruan 613 kg kokainë të mbërritur në një kontejner bananesh nga Kolumbia. Policia mbajti në vëzhgim lëvizjen e kontejnerit drejt Maminasit, por ndërhyri duke mundur të arrestojë vetëm shoferin e kamionit dhe menaxherin e shoqërisë pritëse./A2CNN