Policia tha se ka zbuluar një grup kriminal që ka kryer disa grabitje në Shqipëri dhe Maqedoni, por mundi të arrestojë vetëm tre të dyshuar. Nxitimi i Kryeministrit për të dhënë lajmin në Facebook detyroi policinë të dalë në konferencë për mediat, edhe pse operacioni ishte në zhvillim e sipër. Njëri prej grabitësve i shpëtoi postbllokut të policisë dy ditë më parë në Fushë – Krujë.
Nga Leonard Bakillari
Kryeministri i vendit, Edi Rama njoftoi pasditen e djeshme se policia kishte arrestuar grabitësit e veshur si babagjysha, të cilët kryen rreth një vit më parë grabitjen e një argjendarie në një qendër tregtare në periferi të kryeqytetit.
Nxitimi i Kryeministrit për të ndarë lajmin për suksesin e policisë u pasua nga një konferencë për mediat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku u deklarua se është identifikuar një grup kriminal që kryente grabitje në Shqipëri e Maqedoni duke arrestuar vetëm dy prej tyre, ndërsa katër të tjerë ishin shpallur në kërkim.
Edhe pse operacioni ishte në vazhdim, policia nuk ngurroi të paraqesë si sukses arrestimin e dy grabitësve, ndërsa një tjetër u arrestua rreth një orë pas deklaratës, çka tregon se operacioni ishte në zhvillim e sipër, edhe pse lajmi u dha nga vetë Kryeministri.
Sipas policisë, kreu i grupit është shtetasi Ilir Kupa, i arratisur nga burgu në Greqi dhe i dënuar pak kohë më parë nga Gjykata e Tiranës për armëmbajtje pa leje. Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka mbledhur të gjitha dosjet e grabitjeve të argjendarive në disa rrethe të vendit, si dhe është bashkëpunuar me autoritetet maqedonase, ku grupi i kryesuar nga Ilir Kupa dyshohet se ka kryer dy grabitje.
Por prokuroria nuk dha zyrtarisht asnjë detaj për këtë çështje, pasi operacioni ishte ende në zhvillim.
Njëra prej këtyre grabitjeve ka ndodhur në Dibër të Madhe, ku në tentativë grabitjeje mbeti i vrarë shtetasi Miljan Elezi, i cili sipas policisë ishte pjesë e grupit të grabitësve. Por grabitja e argjendarisë në qendrën tregtare dhe të gjitha ngjarjet e mëpasshme mund të ishin parandaluar nëse një postbllok i policisë do kishte ndaluar automjetin me të cilin udhëtonin katër prej grabitësve në shtator të vitit të shkuar, pas grabitjes së parë të kryer në qytetin e Kuçovës.
Policia thotë se grupi prej tetë personash ka kryer grabitjen e një argjendarie më 28 shtator të vitit 2013 në qytetin e Kuçovës. Por njëri prej të arrestuarve ka treguar se pas grabitjes ata janë nisur me makinë në rrugën e vjetër Kuçovë-Cërrik dhe në hyrje të këtij qyteti janë ndeshur me një postbllok policie.
Policia ka sinjalizuar ndalimin e automjetit ku ndodheshin grabitësit dhe ata për një moment kanë ndaluar, por sapo janë afruar në postbllok, drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi.
Sipas dëshmisë së njërit prej të arrestuarve, policia nuk është vënë në ndjekje të tyre, edhe pse në automjet ata kishin armët e përdorura në grabitje si dhe bizhuteritë e vjedhura nga argjendaria në Kuçovë.
Rreth dy muaj më pas, të njëjtët persona kryen një tjetër grabitje në një qendër tregtare, ku hynë të armatosur dhe të veshur si babagjysha dhe në prani të dhjetëra personave morën të gjitha sendet me vlerë nga argjendaria. Pas ngjarjes policia ngriti disa postblloqe, por pa mundur të ndalojë grabitësit, duke u mjaftuar vetëm me gjetjen e automjetit të tyre.
Rasti më i fundit, kur njëri prej të dyshuarve ka mundur t’i shpëtojë policisë ka qenë pasditen e djeshme në aksin rrugor Tiranë-Fushë-Krujë. Policia kishte marrë urdhër-arrestin dhe kishte organizuar shërbimet për kapjen e të dyshuarit duke ngritur një postbllok. I dyshuari është afruar pranë postbllokut dhe sapo ka parë policinë, ka lënë automjetin dhe telefonin celular dhe është larguar me vrap duke i shpëtuar kështu arrestimit.
Nga gjashtë personat që ndodheshin në kërkim, policia ka mundur të arrestojë fillimisht dy prej tyre dhe i treti është ndaluar rreth një orë pas konferencës për shtyp.
Grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga shtetasi Ilir Kupa, dyshohet për kryerjen e të paktën 9 grabitjeve me armë, dy prej të cilave janë kryer në Strugë dhe Dibër të Madhe në Maqedoni.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve ishte dënuar me 23 vjet burgim për grabitje dhe plagosje, si dhe për grabitje me armë në Greqi.
Të arrestuar:
Agustin Sula, i dënuar me 23 vjet burg për grabitje me armë
Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, i dënuar më parë
Julian Qorushaj, me banim në Borizan të Krujës
Në kërkim:
F.P., 28 vjeç, i dënuar në Greqi për vjedhje me armë
D.K. 36 vjeç, i dënuar në Greqi për vjedhje me armë
S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin