KOHËT E REJA TË INOVACIONIT/ Faktorët e brendshëm organizativë që kushtëzojnë zhvillimin e inovacionit në biznes. Libri i UET PRESS me autore Besarta Vladin, fituese e çmimit “Pashko” 2015, bën një analizë të kompanive më të mëdha në Shqipëri
Nga Besarta Vladi
Bashkimi Europian (2003; 2005) i klasifikon kompanitë mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha sipas tri kritereve kryesore: shifra vjetore e afarizmit, bilanci dhe numri i punonjësve. Konkretisht SME ka një shifër afarizmi deri në 50 milionë EURO dhe/ose bilanc vjetor deri në 43 milionë euro, dhe ka 50-250 punonjës. Ndërkohë, kompani të mëdha konsiderohen ato kompani që kanë një staf prej më shumë se 250 persona, kanë një xhiro vjetore mbi 50 milionë EURO dhe bilanc vjetor mbi 43 milionë EURO. Sa i përket rastit konkret në Shqipëri, sipas INSTAT (2013) në vendin tonë operojnë gjithsej 4,654 kompani, nga të cilat 1,413 (30.36%) janë kompani mallrash dhe 3,241 (69.64%) janë kompani shërbimesh. Klasifikimi që INSTAT iu bën kompanive të mëdha në bazë të numrit të punonjësve nuk përputhet me klasifikimin Europian të kompanive të mëdha, të mesme dhe të vogla. Kjo për faktin se INSTAT konsideron kompani të mëdha të gjitha ato kompani që kanë mbi 50 punonjës. Gjithsesi, sipas Administratës Tatimore, në kategorinë e tatimpaguesve të mëdhenj (kategoria VIP) klasifikohen ato kompani të cilat: kanë realizuar një qarkullim vjetor mbi 100 milionë lekë krahasuar me vitin paraardhës fiskal, të licencuar si banka, shoqëri sigurimesh, tregti me shumicë e karburanteve si dhe filialet e shoqërive shumëkombëshe, kontributi tatimor i të cilëve ka rezultuar jo më i vogël se 10 milionë lekë për vitin e mëparshëm. Tjetër klasifikim i rëndësishëm që INSTAT iu bën kompanive që operojnë në Shqipëri është klasifikimi sipas aktivitetit ekonomik. Ndarja madhore e kompanive të prodhimit është: prodhues i të mirave dhe prodhues i shërbimeve. Në grupin e prodhuesve të të mirave bëjnë pjesë sektori i bujqësisë, industrisë dhe ndërtimit. Ndërsa, në grupin e prodhuesve të shërbimeve bëjnë pjesë tregtia, transporti dhe magazinimi, shërbimi social, informacioni dhe komunikacioni si dhe shërbime të tjera. Ku sektori i shërbimeve dominon tregun e kompanive të prodhimit në vendin tonë.
Konkretisht, për vitin 2013 janë deklaruar 525 kompani të mëdha aktive në sektorin e prodhimit të mallrave si dhe 881 kompani të mëdha aktive në sektorin e shërbimeve. Megjithatë, duke marrë në konsideratë numrin e punonjësve, minimalisht mbi 250 punonjës, totali i kompanive të mëdha që operojnë në vendin tonë nuk është më i lartë se 850 kompani. Edhe statusi i disa prej këtyre kompanive ka patur paqëndrueshmëri, duke kaluar në status joaktiv/aktiv brenda një periudhe kohore afatshkurtër.
Gjithashtu, INSTAT llogarit në listën e ndërmarrjeve të mëdha në vend edhe ndërmarrjet publike, të cilat nuk janë pjesë e objektivave të këtij studimi. Për këtë arsye popullata e këtij studimi është marrë e barabartë me 812 kompani të mëdha aktive. Në sektorin e prodhimit të mallrave, industria përpunuese ka numrin më të madh të kompanive aktive (300 kompani aktive në vitin 2013). Ndërkohë, nga kategoria e prodhuesve të shërbimeve, tregtia me shumicë dhe pakicë, administrata publike dhe arsimi konsiderohen si ndërmarrjet dominuese për vitin 2013, për sa i përket numrit të tyre si përqindje ndaj totalit të kompanive të mëdha.
Ka një diskutim relativisht të hershëm mes studiuesve të menaxhimit dhe inovacionit lidhur me rëndësinë që ka madhësia e firmave në nivelin apo shkallën e zhvillimit të inovacionit në organizatë. Njëri grup studiuesish mbron idenë se kompanitë e vogla dhe të mesme, për shkak të fleksibilitetit që i karakterizon, si dhe nivelit të ulët të burokracisë, janë më të prirura për të sjellë inovacion. Për më tepër, duke qenë se kostot e ndryshimit për to janë relativisht të vogla, janë më të prirura të marrin përsipër riskun që mbart në vetvete një ide apo produkt inovator në një firmë të tillë. Gjithashtu, kompanitë e vogla dhe të mesme kanë aftësi për të kontrolluar më me lehtësi të gjithë hapat e inovacionit, që nga ideja fillestare e deri tek implementimi dhe kontrolli. Kjo gjë është relativisht e vështirë në kompanitë e mëdha (Aranta et. al., 2001).
Por nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e studiuesve mbrojnë idenë se në fakt janë kompanitë e mëdha ato që kanë kapacitete apo potencialin për të sjellë inovacion afatgjatë në biznes. Kjo sipas tyre lidhet me potencialin financiar të këtyre kompanive të mëdha, si dhe me burimet njerëzore të shumta që gjenden në to. Gjithashtu, kompanitë e mëdha janë zakonisht më të prirura për të krijuar aleanca strategjike biznesi, të cilat në vetvete janë potencialisht burime inovacioni në organizatë. Kompanitë e mëdha karakterizohen edhe nga stabiliteti afatgjatë, element i cili është në favor të projekteve të inovacionit që mund të zhvillohen brenda një kompanie të caktuar (Cohen 1995, cituar nga Aranta et. al., 2001). Duke qenë se jemi në kulmin e globalizimit, ajo çfarë mbetet sfidë për kompanitë e mëdha është menaxhimi multikulturor i stafit (Canen G. & Canen. A, 2002). Kompetencat për të inovuar në një organizatë nuk janë statike, ato mund të përmirësohen dhe të zhvillohen bashkë me organizatën. (Morgan, 1997). Madhësia e firmave është një faktor i rëndësishëm që kushtëzon zhvillimin e inovacionit (Schumpeter, 1947; Cohen, 1995). Firmat e mëdha janë më të prirura për të gjeneruar fonde mbështetëse në funksion të R&D si dhe kanë njëlloj qëndrueshmërie në projekte të kësaj natyre. Nga ana tjetër, ka autorë si Scherer & Ross (1990) që mendojnë se kompanitë e mëdha janë një risk për inovacionin, pasi menaxherët humbasin kontrollin mbi një pjesë të mirë të ideve të reja që mund të gjenerohen në kompani. Për më tepër, në kompanitë e mëdha forma e kontrollit ka natyrë më të ngurtë dhe hierarkike, gjë e cila bie në kundërshtim me klimën e përshtatshme inovatore. Megjithatë, pavarësisht se aktivitetet e R & D rriten me rritjen e madhësisë së firmave, produktiviteti i R & D ka tendencë të bjerë me rritjen e tyre. Numri i punonjësve brenda një kompanie nuk tregon ndonjë gjë të rëndësishme lidhur me kapacitete inovatore të saj pasi të paturit më shumë punonjës nuk do të thotë domosdoshmërisht që kompania në fjalë ka më tepër kapacitete për inovacion. Megjithatë, siç ka pohuar Morgan (1997) firmat e zhvillojnë gradualisht kapacitetin e tyre për inovacion dhe kjo në njëfarë mënyrë lidhet me aftësinë e tyre për të rritur bashkëpunimin me palët e treta. Nga kjo pikëpamje, madhësia e firmës mund të ketë një rol dytësor sa i përket kapaciteteve inovatore por kurrsesi rol të parëndësishëm. Në vitin 2006, Francis Munier publikoi një artikull në të cilin ai analizoi rëndësinë që ka madhësia e firmave në kapacitete inovatore të kompanive franceze, duke vënë theksin tek lloji i ndryshëm i marrëdhënieve që krijojnë firmat në raport me njëra-tjetrën dhe në raport me palët e treta. Sipas tij, firmat e mëdha krijojnë aleanca strategjike (joint-ventures) në funksion të R&D, gjë e cila për SME-të është më e vështirë. Përtej idesë që çdo kompani apo organizatë në vetvete duhet ta trajtojë me prioritet konceptin e inovacionit, pengesat ndaj këtij të fundit konstatohen shpesh, si në firma të vogla dhe të mesme, ashtu edhe në firma të mëdha. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Tendenca për të sjellë risi në treg bën që shumë lidera kompanish të fitojnë në kohë por të “humbasin” në aftësinë për të kuptuar aq sa duhet nevojat e palëve të interesuara (stakeholders).
Ndërkohë, Acs & Audretsch (1987) kanë pohuar se nuk mund të flitet me terma kategorik sa i përket lidhjes inovacion-madhësi organizate. Kjo për faktin e thjeshtë se, sipas tyre, në tregjet monopolistike janë firmat e mëdha ato që kanë më tepër sukses në aktivitetet dhe në implementimin e inovacionit, por nga ana tjetër, firmat e vogla dhe të mesme janë më të suksesshme në këto lloj aktivitetesh, nëse bëhet fjalë për tregje konkurruese. Në këtë kuptim, hipoteza e Schumpeter-it se fuqia e tregut dhe kompanitë e mëdha stimulojnë inovacionin, ka shumë pak gjasa të jetë gjithnjë e vërtetë. Megjithatë, pavarësisht argumenteve pro njërës qasje apo tjetrës, sipas Aranta et. al., (2001) ka një konsensus mes këtyre studiuesve lidhur me faktin se me rritjen e madhësisë së firmës, numri i aktiviteteve për R&D dhe inovacion rritet por produktiviteti i R & D tenton të zvogëlohet.