Të shkruarit e një eseje mund të mbështetet në dhjetë hapat që parashtrohen në vijim ose mund të hulumtohet individualisht nga secili për mënyrën e vet.
Kërkimi: Procesi i shkrimit të esesë fillon me studimin e temës suaj, duke u bërë vetë ekspert. Shfrytëzoni internetin, bazat e të dhënave akademike dhe bibliotekën. Merrni shënime dhe zhytuni në fjalët e mendimtarëve të mëdhenj.
Analiza: Tani që keni një bazë të mirë njohurish, filloni me shtjellimin e çështjeve që keni lexuar për esenë. Përcaktoni qartë pretendimet, arsyet se pse do ta shkruani, bëjini të qarta ato. Shikoni për të metat e logjikës, po ashtu dhe anët e forta të saj. Nguliteni në mendje se të shkruarit mirë të një eseje fillon duke mësuar se si të analizosh esetë e shkruara nga të tjerët.
Ideimi: Eseja juaj do të kërkojë pasqyrimin me vërtetësi të vetes suaj dhe aftësitë e të shprehurit kur të formulohet prej jush. Bëjini vetes një duzinë pyetjesh dhe përgjigjuni atyre. Meditoni me një laps në dorë. Ecni, shëtisni dhe mendohuni e mendohuni derisa t’ju zgjohen mendime të mprehta origjinale që të shkruani rreth tyre.
Tema: Çukitni idenë tuaj më të mirë dhe nguliteni fort në mendje se rreth saj mund ta shkruani gjithë esenë tuaj. Teza është pika juaj kryesore, përmblidheni në një fjali koncize, që lexuesi ta kuptojë se ku synon dhe pse. Praktikisht është e pamundur të shkruash një ese të mirë pa pasur një tezë të qartë.
Skicimi, (konturimi): Bëj një skemë të esesë para se ta shkruani. Përdorni fjali të thjeshta që të përshkruajnë paragrafët dhe renditni pikat se çfarë do të përmbajë çdo paragraf. Provojeni në disa mënyra si mund ta organizoni esenë më mirë. Përcaktoni renditjen e çështjeve që do të trajtoni dhe sigurohuni që çdo paragraf të jetë i njësuar.
Paraqitja: Tani uluni e shkruani esenë: Hyrja duhet ta rrëmbejë vëmendjen e lexuesit, organizojini çështjet në atë mënyrë, që të të shpien te teza juaj. Hyrja është një ndërtim i thjesht i çështjeve, një fazë që do ta sjellë lexuesin te tema e esesë suaj.
Shënim:Titulli dhe paragrafi i parë ndoshta janë elementet më të rëndësishme në ese. Kjo është një pikë me rëndësi e shkrimit të esesë, se paragrafi i parë e lidh ose e humbet interesin e lexuesit me atë që po shkruani. Në të vërtetë lexuesi që në shikimin e parë shtjellon me mendjen e tij nëse duhet apo jo ta lexojë esenë tuaj duke u nisur që nga titulli.
Paragrafët: Çdo paragraf i veçantë duhet të jetë i përqendruar në një ide të vetme që mbështet tezën tuaj. Filloni paragrafët me fjali rreth temës, mbështetni pohimet me prova dhe shpjegoni idetë tuaja me qartësi, në mënyrën më të ndjeshme që mundeni. Flisni me lexuesin tuaj sikur ta keni përballë. Me fjalë të tjera, në vend që ta shkruani esenë, trajtojeni sikur po e thoni atë.
Konkluzioni: Eseja juaj del e këndshme nëse e shkruani shpejt dhe e përmblidhni bukur, duke e mbyllur me ndonjë mendim të paharrueshëm, ndoshta një vlerësim, ose një kthesë interesante të logjikës, apo ndonjë thirrje për veprim. A ka diçka që ju doni që lexuesi të lëvizë dhe të veprojë? Bëjani të qartë atij ose asaj saktësisht se çfarë.
Stili MLA: (Modern Language Association): Jepni esesë suaj formën në përputhje me udhëzimet e duhura standard për citimet (siç e ka përcaktuar Shoqata e Gjuhës Moderne MLA dhe Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe). Të gjitha idetë e huazuara dhe citimet duhet të shënohen ashtu siç duhet në trupin e tekstit, duke i vënë në fund të faqes veprat e cituara (Referencat), listën e faqeve duke renditur detajet e burimeve që keni shfrytëzuar. (Në mënyrë të përmbledhur standardi përfshinë këto kërkesa: 1. Autori. 2. Titulli i burimit. 3. Titulli i përmbledhjes ku gjendet vepra, 4. Kontribuues të tjerë, 5. Versioni, 6. Numri, 7. Botuesi, 8. Data e botimit, 9. Vendndodhja.
Gjuha: Mos e konsideroni të shkruar esenë pa e lëmuar gjuhën tuaj, pa bërë korrigjimet gramatikore, pa i bërë fjalitë të rrjedhshme, pa gjallëruar ritmin, theksin, pa rregulluar anët formale të strukturës për t’i dhënë asaj tonin siç e keni nisur dhe duke bërë edhe redaktime të tjera intuitive. Korrigjoni faqet e shkruara, derisa eseja të lexohet ashtu siç dëshironi ju të tingëllojë. Shkrimi i një eseje mund të jetë i lodhshëm, por mos i shkoni dëm orët e punës që keni shpenzuar për konceptimin e esesë së cilës i jeni përkushtuar duke lejuar ta shkruani me gabime, me fraza që nuk lexohen rrjedhshëm dhe të formuluara dobët.
Përktheu e përshtati në shqip:
Ndue Gjika