Covid-19 i ka lënë shumë pacientë me simptomat e dobësisë fizike, dhe pasi janë shëruar nga infeksioni fillestar. Ky quhet “Covid-i stërzgjatur në kohë”. Por ajo që është e vërtetë për shëndetin, ka të ngjarë të jetë e vërtetë edhe për ekonominë.
Pandemia aktuale ka të ngjarë t’i shkaktojë botës jo vetëm një recesion të thellë, por
edhe vite të dobësisë ekonomike. Dhe për t’u përballur si duhet me kërcënimin e një “Covid-i të gjatë ekonomik”, politikë-bërësit duhet të shmangin përsëritjen e gabimit të tërheqjes së parakohshme të mbështetjes, siç ndodhi pas krizës financiare të vitit 2008.
Ky rrezik është real, ndonëse ka ende shumë paqartësi se cila do të jetë trajektorja që do të ndjekë kriza. Ne nuk e dimë se sa shpejt apo plotësisht do të vihet nën kontroll Covid-19. Por ne tashmë dimë shumë gjëra në lidhje me ndikimin ekonomik të pandemisë.
E dimë që ajo ka shkaktuar një recesion të madh global; që kostot ekonomike kanë qenë më të mëdha për të rinjtë, punonjësit e pakualifikuar, pakicat dhe nënat që punojnë; dhe se ai e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor. Dhe e dimë gjithashtu, se “afro 90 milion njerëz mund të bien nën pragun e të ardhurave prej 1.90 dollarë në ditë këtë vit”, siç e ka thënë FMN-ja.
Ne e dimë ndërkaq se janë dëmtuar shumë biznese, pasi kërkesa për prodhimet e tyre ra në mënyrë drastike, ose ato u mbyllën për shkak të situatës.
Valët e dyta të Covid-19 që po përplasen tani në shumë ekonomi, do ta përkeqësojnë këtë gjendje. Siç e tregon edhe Raporti Global i Stabilitetit Financiar i FMN- së, brishtësia financiare është në rritje në sektorë që tashmë janë mbytur në shumë borxhe në ekonomitë me të ardhura të larta, por edhe ato në zhvillim.
Por e dimë gjithashtu, që gjërat mund të kishin shkuar shumë më keq. Ekonomia botërore
ka përfituar shumë nga mbështetja e jashtëzakonshme nga bankat qendrore dhe qeveritë. Sipas Monitorit Fiskal të FMN-së, mbështetja fiskale ka arritur në “11.7 trilionë dollarë,
ose afro 12 për qind e PBB-së globale deri në 11 shtator 2020”.
Kjo shumë është ndjeshëm më e madhe sesa mbështetja e ofruar pas krizës globale financiare. Por nga na tjetër e dimë, se ajo që ka ndodhur tashmë do të lërë plagë të thella. Dhe sa më gjatë që do të vazhdojë pandemia, aq më të mëdha do të jenë ato plagë.
FMN parashikon tashmë një rënie të madhe në aktivitetin ekonomik, në krahasim me potencialin e parashikuar për vitet 2022-2023. Kjo me siguri që do të mbajë në nivele të
ulëta investimet private. Fondi parashikon gjithashtu një rritje ndjeshëm më të ulët të PBB për frymë midis viteve 2019-2025, ndryshe nga sa kishte parashikuar në janar të këtij viti.
Në një krizë të këtyre përmasave, vetëm një njësi ekonomike është në gjendje të veprojë
si garant por edhe mbështetës i kërkesës. Mjerisht, aftësia e qeverive për të vepruar varion shumë. Vendet që kanë monedha të pranuara globalisht, kanë një hapësirë të madhe për të manovruar.
Ato e kanë shfrytëzuar tashmë këtë gjë; dhe do të duhet të vazhdojnë në këtë drejtim.
Një rol qendror duhet të luajë politika fiskale, pasi ajo vetëm mund të sigurojë mbështetjen e duhur që synohet. Bankierët qendrorë e kanë pasur të qartë këtë gjë. Monitori Fiskal i FMN, e ndan mbështetjen e nevojshme në tre faza:gjatë bllokimit; rihapjes graduale; dhe rimmëkëmbjes pas Covid-it.
Gjatë bllokimit, detyra e qeverive ka të bëjë me transferimet e parave, përfitimet nga papunësia, mbështetja për punët part-time, shtyrjen e përkohshme të pagimit të taksave
dhe sigurimeve shoqërore nga sipërmarrjet, dhe mbështetjen e likuiditetit për bizneset.
Gjatë rihapjes, mbështetja duhet të jetë më e synuar, me stimuj të fokusuar në rikthimin e njerëzve në punë. Lipset të hartohen plane për investime më të larta publike. Ndërkaq, mbështetja për kompanitë, duhet të fokusohet tek ato që kanë një perspektivë të mirë,
por duke kontrolluar dividentët dhe pagat e drejtuesve.
Gjatë periudhës post-Covid, sistemet e mbrojtjes sociale të cilave pandemia u ka nxjerr në pah shumë meta, do të kenë nevojë të reformohen. Ndërkohë, vëmendja duhet të zhvendoset drejt politikave aktive në tregun e punës, dhe nxitjeve të mëdha për investimet publike.
Kjo, argumenton Monitori Fiskal, do të stimulojë fuqimisht investimet private. Gjithashtu,
do të nevojiten mekanizma për ristrukturimin e përshpejtuar të borxhit. Këto masa nuk do jenë të lehta për t’u zbatuar. Politikë-bërësit duhet të jenë fleksibël, por jo të kursyer.
Të gjitha këto shpenzime, do të rrisin ndjeshëm defiçitet publike dhe borxhin. Defiçiti fiskal i të gjitha qeverive në botë parashikohet të arrijë 12.7 për qind të PBB-së këtë vit. Tek ekonomitë me të ardhura të larta, ajo do të arrijë 14.4 për qind në PBB-së.
Ndërkohë borxhi global i qeverive, parashikohet të rritet nga 83 në 100 për qind të PBB globale midis viteve 2019-2022, dhe tek vendet me të ardhura të larta kjo normë do shkojë nga 105 në 126 për qind të PBB-së.
Qeveritë duhet të shpenzojnë. Por, me kalimin e kohës, ato duhet ta zhvendosin fokusin e tyre nga shpëtimi tek rritja e qëndrueshme ekonomike. Nëse duhet të rriten taksat, kjo barrë duhet të bjerë mbi ata që fitojnë. Kjo është një domosdoshmëri politike, por është edhe moralisht e drejtë.
Ne jemi ende vetëm në fillim të krizës. Nuk mund ta dimë se si do të përfundojë ajo, edhe sepse nuk e dimë se çfarë do të bëjnë njerëzit me pushtet. Por e dimë që historia do të gjykojë ashpër politikë-bërësit, nëse ata që kanë hapësirë për të vepruar, qëndrojnë duarkryq.
Një Covid i gjatë ekonomik duhet të parandalohet me çdo lloj mënyre. Kjo nuk do të thotë të hiqet dorë nga përpjekjet për të kontrolluar sëmundjen. Përkundrazi, kjo do të kërkojë një politikë ekonomike aktive, imagjinare dhe të guximshme për vitet në vazhdim. Mos u shqetësoni mbi kostot që kërkohen për ta bërë këtë. Shqetësohuni shumë më tepër për atë që nuk do të kushtojë. Abcnews