Dikur

Si u arrit deri te marrëveshja që solli Bashkimin Gjerman






               Publikuar në : 10:00 - 03/10/19 |
Nga Bashkim Zeneli

Pjesë nga libri i UET-Press ‘Për Gjermaninë: Histori diplomatike dhe kujtime’, i Mjeshtrit të Madh, ish-ambasadorit shqiptar në Gjermani, Bashkim Zeneli


Nga Bashkim Zeneli*



Ndërsa Kancelari u kthye me triumf të plotë në Bon, Ministri i Jashtëm Gensher fluturoi nga Moska në Paris për të marrë pjesë në bisedimet 2+4, në nivel ministrash të jashtëm, më 17 korrik.

Mbledhja do të diskutonte çështjen e kufijve Oder-Neise dhe të garantimit të tyre edhe mbas bashkimit gjerman. Gensher, entuziast u takua me homologët e tij dhe i njohu nga afër me takimet dhe arritjet, në Moskë e Kaukaz. Edhe Shevarnadze foli me shumë optimizëm. Deri në 12 shtator duhej të kishte përfunduar çdo gjë, për ta nënshkruar në Moskë marrëveshjen 2+4. Shevarnadze shfaqi mendimin se nëse nuk e arrinin këtë përgatitje, atëherë marrëveshjen mund ta nënshkruanin në New York, në kuadrin e zhvillimit të punimeve të OKB-së. Por Gensher kundërshtoi dhe nguli këmbë për të mos lejuar asnjë shtyrje nga 12 shtatori. Ai shtoi se tashmë kishin rënë dakord për çdo gjë, dhe se vëmendja do të ishte thjesht tek formulimi i Deklaratës Finale.

Ashtu siç ishte vendosur më parë, në këtë takim merrte pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Polonisë Skubizievski. Ministri Gensher bisedoi miqësisht me të dhe e qetësoi duke i thënë, se ishte rënë dakord paraprakisht, që zgjedhjet parlamentare mbarëgjermane të zhvilloheshin me 2 dhjetor, (por nuk ishte vendosur) dhe marrëveshja për kufirin Oder-Neise, do të ratifikohej në Bundestag. Vetëm pasi të ishte ratifikuar me katër vendet fituese marrëveshja 2+4, vetëm në një rast të tillë Gjermania e Bashkuar do të kishte një sovranitet të plotë. Të dy ministrat ranë dakord që më 17 qershor 1991 të nënshkruhej Traktati i Miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe i bashkëpunimit miqësor. Gensheri me fillimin e punimeve, informoi kolegët për çfarë kishte biseduar me ministrin Skubizievski. Ministri polak, një personalitet i shquar në fushën e historisë dhe njohës shumë i mirë i 6 gjuhëve të huaja, u kërkoi kolegëve të tij, që nga kjo mbledhje të dilej me një Deklaratë të 4 fuqive mbi kufirin gjermano-polak. Ai shpjegoi, se Polonia këtë deklaratë nuk e kërkonte si garanci, kjo nuk vihej në dyshim me dy shtetet gjermane e më tej me Gjermaninë e bashkuar. Ministrat, pa rezerva, ranë dakord për të plotësuar këtë kërkesë të Polonisë. Me Poloninë, Gjermania synonte vërtet të vendoste një kapitull të ri të bashkëpunimit të ngushtë dhe ta konsideronte një aleate strategjike, e të tillë e konsideron edhe sot.

Ndaj dhe Gjermania ndjehej, edhe moralisht e detyruar, për të pasur në thelb marrëdhënie të një dimensioni të veçantë me Poloninë. Takimi i Parisit nuk paraqiti asnjë problem, asnjë mosmarrëveshje. Çështjet thelbësore ishin zgjidhur, tani do të punohej për 12 Shtatorin në Moskë. Të gjithë ministrat shfaqën besimin, se bisedimet 2+4 nuk kishin arsye për t’u shtyrë dhe se ato duhet të përfundonin para samitit të KSBE, në nëntor, po në Paris. Atje do të nënshkruhej përfundimisht Deklarata e Moskës, për t’i mundësuar Gjermanisë së Bashkuar, formalisht ushtrimin e sovranitetit të saj.

Tani vëmendja e diplomacisë gjermane ishte përqendruar tërësisht në përfundimin e të gjitha çështjeve që do të paraqiteshin për diskutim dhe nënshkrimin e formatit 2+4 në Moskë.

Por në këtë moment nga Londra vinte një shqetësim: cili do të ishte statusi i ushtarakëve britanikë të stacionuar në Berlin, gjatë periudhës kalimtare 3-4 vjeçare, kur do të largoheshin edhe ushtarakët sovjetikë? Ministri i Jashtëm Gensher, duke njohur qëndrimet e papritura të britanikëve dhe rezervat që më parë kishin shfaqur për bashkimin gjerman, vendosi të shkojë vetë në Londër për të biseduar për këtë çështje. Ai u takua fillimisht me kolegun e tij Hurd dhe më pas me Kryeministren Thatcher. Shqetësimi britanik ishte se ai vazhdonte ende, edhe në këto momente, të shihte me skepticizëm bashkimin gjerman.

Thatcher-i i shtroi hapur Gensherit pyetjen: Me se do të merren ushtarakët anglezë tani? Gensheri iu përgjigj shkurt: ashtu si deri tani! Midis Thatcher-it dhe Ministrit të Jashtëm kishte mosmarrëveshje për procesin e bashkimit gjerman, ndonëse Hurd-i ishte tepër i kujdesshëm që këto diferenca të mos shfaqeshin hapur në publik. Gensheri kujton, se duke shkuar në këmbë nga Foreign Office për në Downing Street N.10, së bashku me kolegun e tij Hurd, takoi kalimtarë rrugës që e ndalën, e përshëndetën dhe i thanë, se jo të gjithë anglezët mendojnë kështu si Zonja Thatcher, për bashkimin tuaj të ligjshëm.

Në kabinetin e Kancelarit Kohl, por në MPJ në mënyrë të veçantë, vazhdonte puna nga ekspertët e këshilltarët për përgatitjen e Dokumentit përfundimtar, që do të miratohej në Moskë, në shtator. Intensivisht po punohej edhe në RDGj, ku shumë diplomatë të njohur gjermano-perëndimorë po punonin së bashku, për çdo problem me zyrtarët lindorë. Kancelari Kohl ka kontakte të përditshme telefonike me Kryeministrin De Maizière. Ai plotësoi edhe të gjitha kërkesat që Berlini Lindor kishte nevojë emergjente, sidomos për ushqime dhe barna.

Kancelari Kohl e kishte bërë praktikë pune, që të ftonte rregullisht në zyrën e tij për konsultime ish-kancelarët socialdemokratë Vili Brant dhe Helmut Shmidin. Ata kishin një ndikim shumë të madh në jetën politike dhe në mediat e vendit. Gensheri nuk la asnjë rast pa marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare, për të sqaruar qëndrimin e Gjermanisë së Bashkuar për të ardhmen e paqen në Europë, për stabilitetin dhe për bashkëpunimin me Lindjen, veçanërisht për bashkëpunimin me Bashkimin Sovjetik.

Më 7 Gusht, në Vjenë, duke marrë pjesë në ceremoninë funebre për t’i dhënë lamtumirën e fundit Bruno Kreiskyt, Kancelarit europianist, burrit të madh të shtetit dhe një prej figurave më brilante të socialdemokracisë europiane, gjeti rastin për të biseduar me disa ministra të jashtëm. Italiani Giani De Michelis, kishte ndryshuar qëndrimin ndaj çështjes së Bashkimit Gjerman, që nga rezervat e hapura që kishte shfaqur në Ottava të Kanadasë. Por as ai dhe as Kryeministri Andreoti nuk shpreheshin aktivë e mbështetës të hapur. Ata thjesht pranonin më shumë në heshtje. Dhe Gensheri bisedoi gjatë me të e i kërkoi të prononcohet. Po kështu bëri edhe me Ministrin e Jashtëm holandez e portugez.

Sapo u kthye në Bon, Shevanadze i telefonoi dhe i shprehu shqetësimin për një deklaratë të Kryeministrit Lindor, De Maizière, i cili fliste pa u konsultuar me Bonin për një datë shumë të shpejtë të zgjedhjeve të reja të Gjermanisë së Bashkuar. Vërtet ato ishin diskutuar midis dy shteteve gjermane, por jo për t’u bërë publike, që do të nënkuptonte se minimalisht bashkimi gjerman do të arrihej 1 muaj para datës së parashikuar për zgjedhje.

Ministri Gensher i shmanget kësaj deklarate, duke i thënë homologut të tij sovjetik, se “tani ne duhet të përqendrohemi tek takimi i 12 Shtatorit në Moskë” mbasi koha më e përshtatshme për të arritur Bashkimin Gjerman do të ishte midis mesit të dytë të Shtatorit dhe 14 Tetorit. Gensheri foli kështu hapur për kohën e bashkimit, për herë të parë. Deri në ato momente ishte thënë vetëm që Bashkimi Gjerman të përfundojë para Samitit të KSBE-së, të 7 Nëntorit në Paris.

Në mesin e muajit gusht, Ministri i Jashtëm gjerman shkon në Moskë për të koordinuar përfundimisht, të gjitha qëndrimet për mbledhjen e 2+4, të 12 Shtatorit. Rëndësi kishte të konsultohej për çdo fjali të Deklaratës përfundimtare, për të mos mbetur e hapur asgjë, as nga pikëpamja politike dhe ushtarake, por sidomos, nga pikëpamja juridike. Në thelb, në këtë vizitë dyditore në Moskë, gjatë të gjitha bisedimeve nuk u shpreh asnjë mospërputhje mendimesh dhe qëndrimesh.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu, nga një draft të Marrëveshjes së ardhshme për Partneritet, fqinjësi të mirë, bashkëpunim, e cila ishte diskutuar midis Gorbaçovit dhe Kohl-it në Kaukaz. Sovjetikët i propozuan Gensherit, edhe një marrëveshje për shkëmbime në fushën e ekonomisë, industrisë, shkencës dhe teknikës, një draft të së cilës ia dorëzuan edhe ministrit Gensher.

Ministri i Jashtëm gjerman përsëriti para shtypit qëndrimin, se marrëdhëniet midis Gjermanisë së Bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik do të njihnin zhvillime të papara dhe në çdo fushë.

Me Shevarnadze-n, Gensheri kishte biseduar edhe se kur duhej ratifikuar Dokumenti i 12 Shtatorit. Kryesorja do të ishte, se me ratifikimin nga 4 fuqitë e mëdha dhe 2 shtetet gjermanë të Marrëveshjes, të pushonte së ekzistuari Marrëveshja e Postdamit. Të dy ministrat e jashtëm ranë dakord, që duke biseduar edhe me 3 fuqitë perëndimore, Marrëveshja të ratifikohej në parlamentet përkatëse, brenda 2-3 muajve.

Gensheri dhe Shevardnadze folën edhe për çështje që lidheshin me shpërnguljen e ushtarakëve sovjetikë, si ato të shpërblimit, strehimit në Bashkimin Sovjetik, të asistencës financiare për familjet e tyre, të pronave në RDGJ etj. Shevarnadze i kërkoi Gensherit që për këtë çështje e të tjera që lidheshin me shpërnguljen, të formulohej një deklaratë e përbashkët e dy shteteve gjermane.

Po kështu sovjetikët kërkonin, ndonëse ishte rënë dakord ne Kaukaz, që të përgatitej një deklaratë për numrin e forcave ushtarake të Gjermanisë së Bashkuar. Gensheri bie dakord dhe, më 30 Gusht, së bashku me Kryeministrin Lindor De Maizière shkuan në Vjenë për ta formalizuar këtë qëndrim.

Për marrëveshjen ekonomike Kancelari Kohl ngarkoi menjëherë Ministrin e Ekonomisë Hausmann, për të nisur bisedimet me sovjetikët dhe për të pasur të gatshme për nënshkrim këtë marrëveshje para 12 Shtatorit. Një punë shumë intensive që nuk pranonte asnjë zvarritje, asnjë shtyrje. Çdo gjë duhet të ishte në funksion të arritjes së Marrëveshjes historike të 12 Shtatorit.

Më 31 Gusht u nënshkrua midis dy shteteve gjermane Marrëveshja “Për Bashkimin e Gjermanisë”. Për RFGj-në ajo u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm, Wolgang Shauble dhe për RDGj nga Ministri Günther Krause, në Berlinin Lindor. Aty u fol për herë të parë, për realizimin e bashkimit gjerman më 3 Tetor dhe për të zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme më 2 Dhjetor, në kuadrin mbarë gjerman.

Një javë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Moskës, 2+4, Presidenti Bush i telefonoi Kancelarit Kohl dhe duke i folur për takimin që do të kishte me Gorbaçovin, mbas 3 ditësh në Helsinki, i kërkoi të dijë nga afër për problemet në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjes në Moskë, për t’i konsultuar me Gorbaçovin. Ai do t’i kërkonte udhëheqësit sovjetik se pavarësisht ndonjë problematike të veçantë, bisedimet duhet të zhvilloheshin e të përfundonin me nënshkrimin e marrëveshjes më 12 Shtator. Mbas bisedimeve të Gensherit me Shevardnadze-n në Moskë, në mesin e muajit gusht, ambasadori sovjetik në Bon, Terashov, mori takim me kabinetin e Kancelarit Kohl dhe i vuri në dijeni, se pala sovjetike, për qëndrimin e ushtarëve sovjetikë në RDGj deri në largimin e kontingjenteve të fundit, pra në një periudhë 3-4 vjeçare, kërkonte një financim prej 3.5 miliardë DM për kostot e transportit; 11.5 miliardë DM për financimin e ndërtimit të shtëpive për ushtarakët, 1 miliardë për arsimimin e familjeve të ushtarakëve, 3 miliardë shpenzime të tjera, pra, 18-19 miliardë DM.

Kohl-i u informua dhe u tha bashkëpunëtorëve të tij, se do të fliste vetë me Gorbaçovin. Ndërkohë, edhe Presidenti Bush i telefonoi Kancelarit dhe i kërkoi që Gjermania t’i vërë në dispozicion një shumë financiare (pa përcaktim) për shkak të shpenzimeve të mëdha të SHBA-së në ndalimin dhe largimin e trupave irakiane nga Kuvajti, më 2 Gusht.

Kohl-i i telefonoi Gorbaçovit dhe shprehu rezerva për këtë shumë financiare që kërkohet. Por udhëheqësi sovjetik i paraqiti gjendjen e vështirë dhe i bëri thirrje Kancelarit që “të përqendrohen në këtë vendim historik që do të marrin (më 12 Shtator) dhe të mos merreshin me gjëra të vogla e me detaje”.

Kohl-i i thotë Gorbaçovit, se do të konsultohej dhe do të fliste përsëri me të. Ai u konsultua me ministrat Waigel dhe Hausmann dhe arritën në përfundimin, që t’i akordojnë Bashkimit Sovjetik deri në 12 miliardë DM. Atëherë, për të mos pasur asnjë problem vetëm 3 ditë para nënshkrimit të marrëveshjes së Moskës që do të bashkonte Gjermaninë, Kancelari i tha Gorbaçovit se do t’u jepnin 12 miliardë DM ndihmë dhe 3 miliardë kredi. Gorbaçovi bie dakord i kënaqur.

Një ditë para takimit 2+4 të Moskës, pra më 11 Shtator, u krijua një situatë krejt e paqartë dhe tronditëse: Ministri i Jashtëm britanik, Hurd, që sapo kishte mbërritur në Moskë, u tha zyrtarëve sovjetikë se ai nuk do të nënshkruante dokumentin përfundimtar!

Cili ishte arsyetimi i tij? Pse kishte ardhur dhe si mund të shprehej kështu, krejt hapur kundër marrëveshjes që pritej nga e gjithë bota? Çfarë kishte ndodhur në Londër? Ministri i Jashtëm britanik do të shprehej, se “ne nuk e dimë se sa do të qëndrojë Gorbaçovi në pushtet, prandaj qeveria e Mbretërisë së Saj e sheh të pamundur nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, nuk e dimë nëse mund të bëjmë manovra të NATO-s në territorin e RDGJ, mbas tërheqjes së trupave sovjetike”. Mbas një krize të vërtetë që u krijua në sallën e mbledhjes, dhe mbas disa telefonatave me Londrën, Ministri i Jashtëm britanik u tërhoq. Me pas, edhe një tjetër problem: zv/Ministri i Jashtëm sovjetik Kvizinskij, propozoi, që për të mos humbur kohë me diskutimet në mbledhje edhe marrëveshja e 2+4, por edhe ajo për trupat sovjetikë të miratohej këtu, por të nënshkruhej në kuadër të Asamblesë së Nju Jork-ut. Gensheri kundërshtoi energjikisht. Edhe sovjetikët u binden. Ministri i Jashtëm Shevardnadze që erdhi nga një takim i Byrosë Politike, tha se duhej t’i nënshkruanin këtu, e jo në Nju Jork. “Kjo”, do të shprehej Shevarnadze, “do të kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe jo vetëm për marrëdhëniet sovjeto-gjermane, por edhe për Europën, botën, për të ardhmen”. Ai vlerësoi si të veçantë kontributin e Kohl-it dhe Gorbaçovit në këtë proces. Shevardnadze vuri në dijeni se do të ishte vetë Gorbaçovi që do të hapte këtë takim historik i pari, e më tej, shumë shkurt, meqë nuk ka probleme, do të flasin kolegët ministra. U ra dakord që pasi të fliste Gensheri, më tej De Maizière (që mbante ende edhe postin e Ministrit të Jashtëm), Baker, Hurd dhe Dumas. E gjithë kjo, sipas Shevarnadze do të ishte jo më shumë se 1 orë.

Dhe përsëri ministri britanik Hurd kërkoi para fillimit të mbledhjes, që “drejtorët politikë të mblidheshin e të gjenin një formulim më të pranueshëm për atë rezervë që britanikët kishin shfaqur”; më parë kishin pranuar, e tani, përsëri donin një formulim të “pranueshëm”. Është interesante, se në mbrëmjen e 11 Shtatorit, ministri Gensher e kishte ftuar për darkë ministrin Hurd, në rezidencën e ambasadorit gjerman dhe aty kishin konsumuar çdo qëndrim. Dukej se përsëri nga Londra kishte rënë telefoni…

Në fillimin e mbledhjes, Gorbaçovi u takua me Gensherin, e uroi paraprakisht dhe më pas iu drejtua të pranishmëve: “Fati e solli që pala gjermane dhe sovjetike të ishin aktorët kryesorë në këtë proces. Asgjë nuk do të vinte pa ndryshimet e thella në RDGj, në Bashkimin Sovjetik, por edhe pa punën kolosale të RFGj.” Dhe Gensheri duke falënderuar tha vetëm, fare pak fjalë: “Atdheu im, që sot do të jetë i bashkuar, ne do të jemi një shtet. Mbas një gjysmë shekulli, të gjithë gjermanët do të jenë te bashkuar” Marrëveshja e shumëpritur nënshkruhet! Gjermania ishte bashkuar. Ishte bashkuar në më pak se një vit dhe këtë nuk e mendonte askush, as Kohl-i, as Gorbaçovi, as udhëheqësit e shquar perëndimorë. Gorbaçovi ishte ai që kishte bërë aq shumë. Tani sovjetikët e kishin dorëzuar, nuk e mbanin më çelësin e bashkimit. Kishte pasur mirëkuptim, kishte pasur kundërshti, mosaprovim, rezerva, dialog me ecje përpara, kthim mbrapa, përsëri entuziazëm për mirëkuptimin. Me aleatët perëndimorë nuk ishin kurrë rezervat që ishin me sovjetikët. Dhe me ta u punua shume qartë: Kohl-i dhe Gensheri e dinin se procesi i reformave në Bashkimin Sovjetik nuk i shërbente vetëm atij vendi të madh, por edhe të gjithë Europës, botës! Sidomos vendeve, që bashkë me Bashkimin Sovjetik, kishin qenë besnikë të një sistemi dogmatik të dështuar socialist dhe partisë-shtet.

Dokumenti Përfundimtar përmbante 10 pika. Vendimtare ishte pika 7, në të cilën thuhej: “Republika Franceze, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i japin fund me këtë dokument të drejtave dhe përgjegjësive të tyre në lidhje me Bashkimin e Gjermanisë si e tërë. Si rezultat, vendimet dhe praktikat 4 palëshe të 4 fuqive mbarojnë përfundimisht.

Gjermania e Bashkuar ka kështu sovranitetin e plotë mbi çështjet e saj të brendshme dhe të jashtme”. Ishte vetë zgjidhja e Gjermanisë në të cilën Aleanca do ishte anëtare.

Ish-Kancelari i shquar socialdemokrat, Schmidt, dhe një nga 5 miqtë më të ngushtë të Kancelarit Kohl do të shkruante mbas nënshkrimit të Marrëveshjes Përfundimtare 2+4 në Moskë: “Mihail Gorbaçov është një burrë i një kalibri të veçantë, i guximshëm si rrallëkush, vizionar i fuqishëm në qëllimin që i ka vënë vetes në rrugën e reformave të nisura, një bashkëbisedues shumë i mirë, me aftësi të mëdha taktike, një pragmatist i zoti dhe njëkohësisht një idealist shumë i madh. Që nga koha e Pjetrit të madh, Rusia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë me aftësi dhe cilësi të krahasueshme. Gorbaçovi është një Herkul modern, që e kuptoi shumë mirë se mirëqenia ekonomike nuk mund të arrihet pa plotësimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Të nesërmen më 13 Shtator, Gensheri me Shevardnadze nënshkruan “Traktatin e miqësisë, fqinjësisë së mirë, partnershipit dhe të bashkëpunimit”. Edhe ky traktat kishte shumë rëndësi për sovjetikët dhe gjermanët. Ky traktat do të nënshkruhej për ratifikim në parlament mbas 3 Tetorit, nga qeveria e vetme gjermane dhe nga një parlament i vetëm, mbas zgjedhjeve të përgjithshme.

Më 13 Shtator 1955, 35 vjet më parë, ishin vendosur marrëdhënie diplomatike midis Bashkimit Sovjetik dhe RF të Gjermanisë. Ky traktat ishte si një model në shumë aspekte i Traktatit gjermano-francez, të 22 Janarit 1963. Marrëdhëniet gjermano-sovjetike do të hynin në një epokë të re, 231 marrëveshje kishte nënshkruar Gjermania me Bashkimin Sovjetik, që nga ardhja në fuqi e Gorbaçovit e deri tani, në shtator të vitit 1990. Sigurisht që marrëveshje të rëndësishme ishin nënshkruar edhe më parë, sidomos me furnizimin afatgjatë me gazin sovjetik. Por, bashkëpunimi ishte i munguar.

Më 1 Tetor 1990, kur Kancelari Kohl ishte 8 vjet me këtë detyrë, në Hamburg u mblodh kongresi i unifikimit të CDU-së së Perëndimit me CDU-në e Lindjes, kongresi i 38 i CDU, me pjesëmarrjen e mbi 1000 delegatëve. Ai përshëndet me brohoritje Kancelarin Kohl. Delegatët nuk u ulën, ata duartrokasin fuqishëm, pa ndërprerje.

Kishin shkuar edhe përfaqësues të 5 landeve të lindjes: Brandeburg, Mecklenburg,-Vorpommeen, Saksen, Saksen-Anhalt edhe Thuringen e Berlinit Lindor. U diskutuan 12 pika të Kongresit dhe, më në fund, u bënë edhe zgjedhjet për kryetarin federal të CDU-së. Helmut Kohl zgjidhet përsëri, tashmë Kryetar i CDU-së së bashkuar, me 99 për qind të votave. Vetëm 15 vetë ishin kundër. Një rezultat i jashtëzakonshëm. Ai meritonte çdo nderim për politikën e suksesshme ndaj Bashkimit Gjerman. Askush nuk i ndoqi me aq zgjuarsi dhe nuhatje shanset historike dhe askush nuk i shfrytëzoi ato, si ai.

Më datën 2 Tetor mbasdite, Kancelari mbërriti në Berlin. Ishte organizuar një miting i jashtëzakonshëm, me 2 milionë pjesëmarrës. Ishin edhe Presidenti Weizcaker, Gensheri, Vili Brand etj. Festimet e popullit qenë madhështore.

Në tribunën e ngritur para sheshit të Raishtagut, me pjesëmarrje që shkonte nëpër Bulevardin 17 Qershori dhe nëpër rrugën drejt Potdames Platz, e mori fjalën Kancelari Kohl. Ai foli për 45 vitet e Gjermanisë së ndarë dhe për ëndrrën e gjermanëve, që asnjëherë nuk u shua, për një atdhe të bashkuar. Ai falënderoi Presidentin e SHBA Bush, atë të Francës, Miteran, por edhe Kryeministren britanike Thatcher, që edhe deri ditën e fundit nxirrte “kleçka”. Një falënderim dhe mirënjohje të jashtëzakonshme Kancelari Kohl i shprehu homologut sovjetik Mihail Gorbaçov ”, që njohu të drejtën e popujve për të vetëvendosur”.

Kancelari ngriti peshë zemrat e gjermanëve kur falënderoi popullin e RDGJ-së që “me fuqinë e përhershme të dashurisë për lirinë” mposhti diktaturën e SED-it”. Ai vazhdoi duke iu drejtuar qytetarëve të RDGJsë, se “askush nga ju nuk do të jetë më keq se dje, të gjithë do të jenë më mirë”.

Më tej u foli për rrugën e vështirë që e priste Gjermaninë e Bashkuar, por ishte i bindur se populli ishte i gatshëm për sakrifica dhe se do t’i kishin shanset për një sukses të përbashkët.

“Diktatura mbi 40-vjeçare e SED-it”, deklaroi Kohl-i, “ka krijuar plagë të thella në zemrat e njerëzve. Shteti i së drejtës ka për detyrë të vendosë drejtësinë dhe paqen e brendshme. Këtu jemi të gjithë para një provë të vështirë të vlerave. Padrejtësitë e rënda duhet të ndëshkohen, por ne duhet gjithashtu të gjejmë forcë për vëllazërim të brendshëm. Unë u lutem të gjithë gjermanëve: të gëzojmë të gjithë së bashku, me dinjitet, lirinë e përbashkët. 3 Tetori ishte një ditë e gëzimit, falënderimit dhe shpresës. Gjenerata e re në Gjermani, ka tani shansin si asnjë gjeneratë tjetër para saj, të jetojë përherë në paqe e liri… “Gjermania është atdheu ynë, Europa e bashkuar është e ardhmja e jonë”.

Dhe kështu mund të fliste vetëm një burrë i madh shteti, një Gjerman i madh, një europianist i madh. Presidenti Amerikan Bill Clinton do te shkruante: “ Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte mbas rënies së Murit. Ai i ishte përgjigjur drejt çdo çështje që duhej zgjidhur. i ka zgjidhur drejt për Gjermaninë, i ka zgjidhur drejt për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka zgjidhur për të ardhmen e botës”. Flasin të gjithë udhëheqësit Gjermanë, foli në mënyrë prekëse dhe gjermano-lindori nga Halle-Sale, diplomat ndër më të shquarit ne botë, Hans Dietrich Gensher. Foli edhe Kryeministri gjermano-lindor, Lothar De Maizière, tepër i emocionuar. Ai foli për një “largim pa lot”, për një mision të përfunduar deri në zgjedhjet e reja. Kryeministri gjermano-lindor foli edhe për nevojën e sqarimit të fajeve dhe pafajësive dhe kërkoi, që në radhë të parë, të qëndrojnë përpjekjet për vëllazërim, Kjo ishte themelore.

Në ora 2 të mëngjesit sheshi vazhdonte të brohoriste e të thërriste Kohl, Kohl.

Mëngjesi i 3 Tetorit e gjeti Gjermaninë te Bashkuar! Ishte realizuar një qëllim i madh Kombëtar, një aspiratë dhe një e drejtë që nuk u fashit kurrë. Kancelari Kohl e quan se ka qenë me fat të madh, që Gjermania u bashkua aq shpejt dhe që marrëveshjet u ratifikuan, sepse më 23 Gusht 1991, Presidenti Jelcin, që kishte ardhur në pushtet në mesin e qershorit, ndaloi me një dekret të posaçëm të gjitha veprimtaritë e PK të BS. Të nesërmen Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Presidentit të vendit. Në fakt Kongresi i Deputetëve të Popullit, në Mars të vitit 1990 kishte hequr nga Kushtetuta e BRSS nenin që citonte PK të Bashkimit Sovjetik, si forcë e vetme udhëheqëse të vendit dhe të shoqërisë.

Më 2 Dhjetor 1990, dy muaj pas bashkimit do të zhvilloheshin zgjedhjet e para në Gjermaninë e Bashkuar. Rezultati ishte bindës për CDU-në dhe CSU-në, unioni historik – 43.8 për qind. SPD mori 33.5 për qind, FDP 11 për qind. Mbetën jashtë parlamentit të Gjelbërit, që sapo ishin krijuar, e Majta dhe PDS. Më 18 Janar 1991 u votëbesua në Bundestag, qeveria e re e koalicionit me liberalët (FDP), nën drejtimin e Kancelarit Kohl dhe me zv/Kancelar dhe Ministër të Jashtëm, H.D.Gensher. Për Helmut Kohl kjo ishte zgjedhja e tij e katërt si Kancelar.

Marrëveshja përfundimtare 2+4 hyri në fuqi, më 15 Mars 1991, 11 ditë mbasi ishte ratifikuar nga parlamentet përkatëse. Kishin kaluar 46 vjet nga kapitullimi pa kushte i Rajhut Gjerman dhe vendosja e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani dhe Berlin. Kishin kaluar edhe 30 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit, dhe vetëm 1 vit nga shembja e tij. Tani Gjermania e Bashkuar do ishte një shtet kombëtar Sovran.

*Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: Takimet 2+4 të Parisit dhe të Moskës


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas