Është skanuar faqe për faqe në formatin JPG kualiteti 10 në dimensione të njëjta me origjinalin (300 dpi). Është rifaqosur publikimi dhe është gjeneruar në PDF, me të njëjtën cilësi. Formati gjithashtu është ruajtur i njëjtë me origjinalin, i cili është gjeneruar në versionin internet, duke përdorur një program të veçantë. Të gjithë fashikujt e revistës “Hylli i Dritës”, që nga viti 1913-1944, tashmë gjenden të dixhitalizuar në faqen zyrtare të Bibliotekës së Shkodrës. Parametrat janë ruajtur në varësi të madhësisë së publikimit, në mënyrë të tillë që të jetë e përshtatshme për çdo ekran kompjuteri, për këdo që kërkon akses në këtë faqe. Ky projekt, sipas drejtorit të bibliotekës publike “Marin Barleti” të Shkodrës, Gjovalin Çuni, ka nisur pas idesë së hedhur në vitin 1997 nga International Federation of Library Associations, e cila në vitin 1997 botoi Manifestin për bibliotekat digjitale. “Përmbajtja e këtij manifesti synonte ta bënte ‘trashëgiminë kulturore dhe shkencore të qasme për të gjithë’. Nisur nga ky parim, ne synuam që përmes fillimit të këtij procesi në bibliotekën tonë të shtonin gamëm e shërbimeve dhe t’i siguronim lexuesve tanë qasje në koleksionet dixhitale”- shprehet në intervistën e tij për MAPO-n drejtori Çuni.
Si arritët të siguronit gjithë edicionin e revistës “Hylli i Dritës”? Ajo gjendej në arkivin e bibliotekës suaj apo keni kërkuar dhe hulumtuar dhe jashtë saj?
Botimet e “Hyllit të Dritës” janë siguruar nga mbyllja e Kuvendeve Fetare të Françeskanëve dhe Jezuitëve në nëntor të vitit 1946. Që në prill të vitit 1946, siç kujton dhe At Donat Kurti në librin “Provinca Françeskane Shqiptare” (Shkodër: BF, 2003. 270f.), nga ana e komunistëve u mor vendimi që të mbylleshin institucionet kulturore dhe fetare brenda Kuvendit si dhe me u shtetëzue shtypshkronja me gjithë librarinë, muzeun e bibliotekën e Kuvendit, në të cilën mbaheshin librat e çmuar të bibliotekës së françeskanëve, e krijuar që në vitin 1858 dhe e fuqizuar shumë nga At Gjergj Fishta, i cili jo vetëm e drejtoi për pak kohë këtë Bibliotekë, por edhe e pasuroi me libra që blinte në dyqanet e antikuareve të Europës. Vete Fishta ia fali librat e përdorimit të tij bibliotekës françeskane. Fishta e pasuroi këtë bibliotekë edhe me krijimtarinë e tij të rrallë jo vetëm si poet kombëtar, por edhe si prozator i fuqishëm. Por nga ky shtetëzim mjaft libra humbën, por një pjesë fatmirësisht u vendosën në fondet e bibliotekës “Marin Barleti”, duke mbetur si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Shkodra sot është ndër qytetet, ndoshta i vetmi në Shqipëri, ku ekziston një rrjet i bibliotekash me pasuri të vyera kulturore. Është një rrjet i komplementar bibliotekash ku mund të gjesh një pjesë të mirë të materialeve të kërkuara, duke filluar nga orientalistika deri te revista dhe libra me trajtesa albano-balkanologjike. Koleksioni në fjalë për digjitalizim u bë në bashkëpunim me bibliotekën universitare “Luigj Gurakuqi”, por nuk ka qenë e vështirë të plotësohej koleksioni edhe me biblioteka të tjera, nëse u kërkohej, siç ishin biblioteka “At Gjergj Fishta” e ringritur, biblioteka e Jezuitëve, Muzeut, por edhe mjaft biblioteka personale në Shkodër, ku mund të gjendej koleksioni i plotë i “Hyllit të Dritës”.
Përse u bë së pari dixhitalizimi i edicioneve të “Hyllit të Dritës” dhe jo antikuaret që gjenden në arkivin e bibliotekës së Shkodrës?
Ideja e dixhitalizimit ka lindur nga nisma e vitit 1997 e IFLA-s (International Federation of Library Associations), e cila në vitin1997 botoi Manifestin për bibliotekat digjitale. Përmbajtja e këtij manifesti synonte ta bënte “trashëgiminë kulturore dhe shkencore të qasme për të gjithë.” Nisur nga ky parim, synuam që përmes fillimit të këtij procesi në bibliotekën tonë të shtonin gamën e shërbimeve dhe t’i siguronim lexuesve tanë qasje në koleksionet dixhitale. Ky proces synon edhe në ndryshimin e koncepteve mbi bibliotekën dhe në përqasjen e saj drejt nevojave të sotme të shoqërisë së informacionit. Tanimë, bazuar në përvojat botërore, por edhe ato kombëtare, ku veçohet Biblioteka Kombëtare, ne jemi në hapat e parë të pasurimit të statusit të bibliotekës, për të mos i konsideruar bibliotekat vetëm si vende publike të trajtimit të librit, por t’i kthejmë ato edhe në ente botuese të materialeve të dixhitalizuara, vende ku bashkohen burimet tradicionale me teknologjitë e fundit, vende ideale për informim dhe mësim të bazuar në metodat tradicionale, por edhe moderne të ruajtjes dhe shpërndarjes së materialeve bibliotekare. Natyrisht e gjithë puna jonë ka filluar dhe do të vijojë bazuar në standardet ndërkombëtare që kanë krijimet e koleksioneve digjitale:
qasjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shkencore, pjesëmarrjen në sistemin e bibliotekave digjitale dhe në bashkëpunimin me ato, lidhjen e bibliotekës me rrjete të tjera, shfrytëzimin e përparësive që jep bashkërendimi me mediat dhe me institucionet për krijimin e shpërndarjen e përmbajtjes digjitale.
Si janë ruajtur dhe në çfarë gjendje janë gjetur botimet në bibliotekat e tjera, përfshi këtu atë të françeskanëve, por dhe të familjeve shkodrane?
Koleksionet janë të ruajtura mirë, edhe ato që kemi siguruar nga burime të tjera. Ne përpiqemi t’i mbajmë brenda mundësive që kemi. Të mos harrojmë, përgjithësisht kemi një bibliotekë që mund ta quajmë tanimë të vjetruar përsa i takon organizimit si ndërtesë, për arsyen e vetme se është planifikuar si e tillë, bazuar në fondet e mbyllura, siç quhet në terminologjinë e bibliotekave, dhe nga ana tjetër ka ardhur koha tanimë të vihet dorë në shmangien e lagështirës, në trajtimin termik të librit, në ruajtjen nga brejtësit, në aspirimin e ambienteve dhe në ndriçimin sipas normave. E di që është shumë e vështirë të realizohen të gjitha njëherazi, por duhet menduar që të realizohen shkallë-shkallë. Nëse do të ketë një qëndrim indiferent, brenda një kohe të shkurtër, gjendja, sidomos e librit të rrallë, ka për të qenë alarmante përsa i takon ruajtjes.
Thuajse të gjithë autorët që kanë shkruar në fletët e “Hyllit të Dritës” kanë qenë të ndaluar për t’u lexuar gjatë komunizmit. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të mohuar, vrarë e burgosur. Mjafton të shikojmë vetëm drejtuesit e tyre. At Gjegj Fishta:i mohuar, i përbaltur, pa varr. At Anton Harapi: i pushkatuar. At Gjon Shllaku: i pushkatuar. At Benedikt Dema: në burg. E më pas At Zef Pllumi etj. etj. , vargu kishte me kenë tepër i gjatë.
Sa ka qenë kostoja e projektit?
Puna e bërë ka kushtuar 110 000 lekë nga buxheti vjetor i Bashkisë Shkodër dhe është realizuar nga Suad Bilali, të cilin e falënderoj.
Dixhitalizimi mbyllet me “Hyllin e Dritës”, apo do të vazhdojë?
Dixhitalizimi në të ardhmen do të vijojë, tanimë në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të kulturës që ndodhen në Shkodër, ku mes tyre do të synojmë të dixhitalizojmë pasuritë trashëgimore kulturore të bibliotekave të qytetit, të muzeut, galerisë së arteve, qendrës kulturore “Pjetër Gaci” etj. Para pak kohësh biblioteka jonë inicioi një takim që synonte gjetjen e mundësive për krijimin e rrjetit të përbashkët dixhital për të tërë institucionet. Edhe në përfshirjen në programet që lançojnë herë pas herë nuk ka hapësira aplikimi, dhe ne jemi të detyruar të aplikojmë jashtë në programet e lançuara nga Linda & Bill Gates, ndonëse deri tani nuk kemi arritur të fitojmë. Ndoshta jam i paditur, por nuk di një bibliotekë të jetë ndihmuar nga fondacionet e fuqishme që veprojnë në Shqipëri. Nëse në bibliotekën tonë ndodhet një kënd fëmijësh, ajo është i vetmi financim që vjen nga Raiffesen Bank.