Kryesore

Si u kthye Shqipëria në problem për shqiptarët në rajon





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:10 - 02/05/19 |
mapo.al

Mbështetja për tezën e rishikimit të kufijve e vendosi Edi Ramën në pozitë të vështirë. Jo vetëm kaq, por Shqipëria po iu bën dëm shqiptarëve në rajon akoma më shumë. Thuhet se Kosovës nuk po i hiqen vizat pasi Shqipëria e dëmton me shembullin e saj. Kurse fati i hapjes së negociatave të Maqedonisë po lidhet me fatin e Shqipërisë. Për ironi, nxënësi më i dobët tani është Shqipëria. Por nxënësi i keq merr në qafë edhe shokët e bankës. “Shqipëria, nga një ëndërr për shqiptarinë, u shndërrua në një dëshpërim,” thotë Kim Mehmeti


Nga Enton Palushi



Në tetor të vitit të shkuar, në një takim në Tiranë, Ramush Haradinaj u shfaq shumë i emocionuar përpara të rinjve. Kryeministri kosovar po fliste për tezën e shkëmbimit të territoreve, duke u zotuar se nuk do lejonte më të derdhej gjak në vendin e tij. Për njeriun që ka parë të afërmit duke u vrarë në luftë, kjo betejë në paqe ishte po kaq e vështirë.


E megjithatë kur dukej se të gjithë e kishin vënë përpara, vjen Samiti i Berlinit, që u duk si një fitore personale e tij. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh kundër në mënyrë kategorike ndaj kësaj teze. Lajmi akoma më i mirë ishte se edhe presidenti francez, Emmanuel Macron doli kundër. I çliruar, Ramush Haradinaj dha një intervistë me stilin e tij të sinqertë. Ai pranoi se ishte ndjerë në vështirësi në samit, pasi kundër vendimit të tij për të vendosur taksë 100 për qind ndaj Serbisë, kishin dalë shqiptarët e tij, Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Madje ky i fundit ishte më i zëshmi.

Një ditë më pas këtyre akuzave, kryeministri Edi Rama sqaroi në FB se kjo nuk është e vërtetë. Madje thotë se është e kundërta. “Meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi”, -tha Rama.

Por a vlen kjo përpjekje e tij për t’u treguar si i paanshëm? Në fakt mbështetja e tij për tezën e rishikimit të kufijve vetëm sa e ka vendosur në një pozicion të paktën të vështirë. Historia do e sqarojë akoma më shumë këtë pozicion, por fakt është se Shqipëria në këtë rast u duk se nuk ishte në krahun e Kosovës. Aq më keq, në kohën kur Kosova po kërkon liberalizimin e vizave, thuhet se shembulli i keq i Shqipërisë në këtë drejtim mund t’i penalizojë edhe ata.

Në fund fare, shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, nuk po pritet mirë as në Maqedoninë e shqiptarëve të tjerë. Kjo për shkak se duket se fati i hapjes së negociatave të Shqipërisë po lidhet me atë të Maqedonisë. Për ironi, nxënësi më i dobët tani është Shqipëria. Por ndodh shpesh që nxënësi i keq merr në qafë edhe shokun e bankës.

“Shqipëria, nga një ëndërr për shqiptarinë, u shndërrua në një dëshpërim,” thotë shkrimtari Kim Mehmeti. Ky frustrim ndjehet kudo.


Etiketa: , , , , , , ,

Pas