Si u proklamua Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve

Nga Veli Haklaj

VIJON NGA NUMRI I DJESHEM



Atentatet politike

Zogu I, gjatë mbretërimit të tij të shkurtër, shënoi një rekord të paarritshëm, duke u mbijetuar 55 atentateve që synonin t’i merrnin jetën. Viti 1928 shënoi disa prej tyre të organizuara nga kundërshtarët e tij politikë brenda dhe jashtë vendit, me mbështetjen e qarqeve dhe organizatave që kërkonin destabilizim të Shqipërisë nëpërmjet eliminimit të drejtuesit të shtetit.

Nga 28 qershori deri më 2 korrik 1928, në Tiranë u zhvillua gjyqi kundër komplotistëve bullgarë të “Federatës Ballkanike”, që tentuan t’i bënin atentat presidentit Ahmet Zogu. Policia kishte filluar hetimet kundër komplotit që në prill 1928. Sipas dokumentacionit të dosjes gjyqësore, rezulton se komploti ishte përgatitur në Trieste që në gusht 1926 prej Hasan Prishtinës, i cili u ishte zotuar agjentëve bolshevikë që bashkëpunonin me lidhjen “Federata Ballkanike”, se kur të rrëzohej regjimi republikan në Shqipëri dhe Hasan Prishtina të merrte fuqinë në dorë, bolshevikët do të kishin të drejtë të vepronin lirisht në Shqipëri për të realizuar qëllimet e Komitetit Ballkanik në tërë Ballkanin. Shpirti i komplotit ishte Denko Mihail Abaxhieff (Theodhor Gjeorgjieff), i cili ishte ekspert i bombave elektrike. Sikur të mos kishte ndërhyrë fati, atentati me bombë kundër Presidentit mund të ishte bërë më 9 prill 1928, me rastin e vizitës që bëri atë ditë, bashkë me motrat, në vilën e Durrësit.

Më 12 korrik 1928, ora 2 pas mesnate, u ekzekutuan Ibrahim Arapi dhe dy shtetasit bullgarë Denko Mihail Abaxhieff dhe Todor Vulkanoff të akuzuar dhe dënuar me vdekje për tentativë vrasje në Durrës të Presidentit të Republikës Ahmet Zogut, në marrëveshje me Komitetin Kombëtar të Federatës Ballkanike Si bashkëpunëtor i tyre, Anastas Pandeliu u dënua me një muaj burgim.

Më 14 gusht 1928, u shpall vendimi i gjyqit kundër të pandehurve, të rreshtuemes Emine Rexhepit, prej Skraparit, dhe të arratisurve politikë Ismail Haki Tatzati, Ali Këlcyra, Xhemal Bushati, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, Kol Tromara, Qazim Koculi, Spiro Koleka, Xhelal Preveza të dërguar para gjyqit me vendimin e hetuesit “për me u gjykue me faj krimi si formues të një komiteti të fshehtë e antikombëtar me qëllim shkatërrimi të qetësisë së brendshme tue përgatitë një atentat kundër jetës së Kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut”. Trupi gjykues vendosi dënimin e fajtorëve Ismail Haki Tatzati, Ali Këlcyra, Xhemal Bushati, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, Kol Tromara, Qazim Koculi, Spiro Koleka e Xhelal Preveza me vdekje. Kurse Emine Rexhepi u dënua me dy muaj e gjysmë burgim.

Fillimisht për këtë atentat u hetuan edhe Ismail Haki Deveja dhe Hysen Nikolica, por me përfundimin e hetimeve, gjyqtari hetues i Gjyqit të Posaçëm për Faje Politike, z. Ramazan Skënderi, më 21 korrik 1928 vendosi ndalim gjyqi për ta, meqënëse nuk ishin të implikuar.

Përveç tentativave për eliminimin e Presidentit të Republikës, gjatë vitit 1928 pati organizime dhe për eliminimin e drejtuesve ushtarakë dhe civilë që konsideroheshin si mbështetës të flaktë të Ahmet Zogut.

Kështu, dy shqiptarë me shtetësi jugosllavë, Ali Abazi nga Brodestani dhe Rustem Sulejmani nga Prizreni (Kosovë)  iu  nështruan një procesi hetimor-gjyqësor sepse duke qenë në marrëveshje me majorin e gjindarmërisë së Prizrenit, kishin hyrë fshehurazi në tokën shqiptare “duke formuar një bandë të armatosur me pushkë e bombë, për me vra zotërinjtë Muharrem Bajraktarin dhe Sali Shaban Kabashin e me qitë ngatërresa në dëm të qetësisë së brendshme të Shtetit”. I pandehuri Rustem Sulejmani, nga Prizreni, pohoi në procesin hetimor se për vrasjen e Muharrem Bajraktarit serbët do paguanin 150 000 dinarë, kurse për vrasjen e Sali Kabashit 50 000 dinarë. Me kryerjen e atentateve edhe Mbreti i Jugosllavisë do jepte si bakshish 20 000 dinarë. Këto shuma ishin marramendëse po të kemi parasysh se i pandehuri Ali Abazi punonte si postëmbartës i Jugosllavisë në Prizren me rrogë 400 dinarë në muaj.

Gjyqi në ngarkim të tyre u zhvillua më 27 qershor deri më 1 korrik 1928. Trupi gjykues vendosi bashkërisht dënimin e tyre me nga 101 vjet burgim të rëndë.

Më 15 deri 18 qershor 1928 u zhvillua gjykimi i Shaban Ramadanit, nga katundi Çelin, i Nënprefekturës së Podrimes të Jugosllavisë (Kosovës) për hyrjen në Shqipëri me detyra spiunazhi në shërbim të Qeverisë Jugosllave. Trupi Gjykues vendosi bashkarisht dënimin e tij me 101 vjet burgim.

Një atentat tjetër do të bëhej prej Elmaz Ganiut e Arif Mehmetit kundër jetës së kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë, z. Sul Shehut, që ishte ndër anëtarët me influencë të regjimit në ato anë.

Nisur nga faktet e shpalosura në procesin hetimor dhe gjyqësor të komplotistëve të Durrësit, me qarkoren e datës 14 korrik 1928, drejtuar të gjitha prefekturave dhe Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë, Ministria e Brendshme i informonte se ishin duke hyrë të huaj në Shqipëri, e sidomos maqedonas bolshevikë, të cilët vinin edhe duke abuzuar nga ospitaliteti që u jepte vendi ynë, duke guxuar të organizonin komplote kundër jetës së Kryetarit ë Republikës edhe Regjimit. Prandaj, Ministria e Brendshme porosiste “që të tillë persona që nuk kanë një cilësi tregtare e tjetër analoge, e që hymjen e tyne në Shqipni e pengon edhe ligji i punëtorëve, me i hetue, me i gjurmue e me i kontrollue dhe në rastin e një dyshimi mâ të vogël me na njoftue, për me ju dhânë urdhna për masat që duhet të merren kundra  tyne”. Qarkorja e mësipërme iu dërgua edhe Ministrisë së Jashtme për njoftim dhe me lutjen që t’ua njoftonin përfaqësuesve edhe konsujve tonë, që të ishin mjaft të kursyem në lëshimin e vizave njerëzve të dyshimtë, për të cilët bënte fjalë qarkorja.

Ndërkohë, rezulton se ishte intensifikuar survejimi i personave që kontaktonin me punonjës të shërbimit diplomatik të vendeve fqinje. Më 17 korrik 1928, Komiseria e Policisë së Tiranës lajmëronte Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë Botore, në Ministrinë e Brendshme, se shoferi i Shkëlqësisë së Tij Presidentit (Ahmet Zogut) po shihej gjithnji në kontakt me agjentët jugosllavë, e sidomos më tepër takimet i kishte me kapterin e atasheut ushtarak jugosllav dhe me berberin Simon Zhivkoviq, tek i cili kishin ndejen i gjithë personeli i Legatës e i agjentëve të tyre. Shoferi në fjalë, katër-pesë ditë më parë kishte larguar edhe gruan e tij për në Austri.

Po kështu, nga komunikimi i datës 23 gusht 1928 ndërmjet prefektit të Gjirokastrës Zef Kadarja dhe Ministrisë së Brendshme, rezulton se ishte përgatitur një komplot i cili do të vepronte ditën e hapjes së Asamblesë. Prefekti Kadarja e kishte mësuar këtë informacion nga Mehmet Delija, nëntoger në Baonin Kufizor të Gjirokastrës, i cili i  kishte deklaruar se çështja është në dijeninë e kompetentëve të organeve qendrore dhe se ishin marrë masat e duhura. Megjithatë, prefekti Kadarja insiston në telegramin shifër se “në qoftë kështu mirë, por në rast se përgatitja e këtij komploti nuk âshtë në dijeni të kompetentëve të atyshëm, lutemi të thërritem me shpejtësi që t’ju jap shkoqitje”.

Edhe pas shpalljes së Mbretërisë, megjithëse Jugosllavia e kishte njohur Mbretërinë Shqiptarë dhe Ahmet Zogun si Mbret, përpjekjet e Qeverisë Jugosllave vazhdonin me intensitet për destabilizimin e Shqipërisë. Në një dokument të vitit 1928 (i përkthyer nga turqishtja) del në pah aktiviteti antishqiptar i qeverisë jugosllave dhe organizatave të saj “Dora e Kuqe dhe Dora e Zezë”. Dokumenti origjinal mungon në dosjen e fondit përkatës të Ministrisë së Brendshme, por edhe dokumenti i përkthyer nuk është i plotë. Nisur nga të dhënat me interes, po e japim pjesën e këtij përkthimi të administruar në këtë dosje.

“Përmbledhje informatash

Komiteti Dora e Kuqe dhe Dora e Zezë në Shkup kan bâ një mbledhje në të cilën kanë marrë pjesë guvernori i Shkupit, gjeneral Naunoviç, dhe ai i Manastirit, Markoviç, bashkë me shtabin e ushtrisë e të gjendarmërisë. Këta kanë vendosur që në Shqipëri, e sidomos afër kufirit jugosllav, të qesin ngatërresa e për këtë kan kërkue nga Beligradi fonde të posaçme. Mbasi Beligradi ka akordue fondet, guvernorët në fjalë kanë thirrë në Shkup të gjithë nënprefektat e kufinit e për të fillue veprimin kanë marrë instruktime të mjaftueshme.

Mbas gjithë këtyne përgatitjeve, âsht thirrë në Shkup personalisht vëllau i të ndjerit Ceno [Kryeziut] bashkë me nënprefektin e Plavës e me shtatë shaljanë, të cilët i ka pasë me veti bajraktari i vram [bajraktari i Shalës, Lush Prela u vra më 25 gusht 1928]. Nënprefekti i Gjakovës e sidomos komandanti i Qarkut të Prizrenit, që âsht njeri me shumë influencë në qarqet politike e ushtarake të Beligradit, n’interes të zhvillimit të veprimeve të sipërtregueme kan propozue që të fillojnë me veprim mbasi të jet vra Muharrem Bajraktari, i cili duhet medoemos që të zhduket pse vetëm pas zhdukjes së tij, në Lumë e krejt Kosovën Shqiptare [Prefekturën e Kosovës: Lumë (Kukës), Has, Malësi e Gjakovës (Tropojë)] mund të gjejmë shesh të lirë veprimi. Ky propozim u pranua menjëherë nga Beligradi dhe u caktuan 150 000 dinarë shpërblim gjaksorit të tij. Ky lloj shpërblimi në atë mbledhje të Shkupit âsht caktue edhe për ata që do të vrasin Dushan Stoviqin, dedektivin me famë magjar që serbëve iu ka zbulue shumë mistere të çështjes serbo-kroate, dhe Vanco Mihailloffin, kryetarin e Komitetit Maqedonas në Jugosllavi. Vendimet e këtij Kongresi të tmerrshëm, kur jepen, ekzekutohen medoemos, pse deri tash jan bâ shtatë mbledhje dhe çdo [gjë] që âsht vendue âsht zbatue.

Këto veprime si në propagandë ashtu edhe veprime të tjera do të fillojshin enegjikisht më 23 nëntor 1928, por mbasi nënprefekti i Rrethit të Sharrit prej kohnave të këqija po përgatitet që të veprojë paralelisht me të tjerët dhe prandaj dorë për dorë veprimi gjatë gjithë kufinit u la për në fillim të prillit [1929] tue nis qyshë tash përgatitjet e nevojshme tue derdhë shuma kolosale.

Përveç kësaj, fonde pa masë e ma tepër së çdo zyrë tjetër disponon Konsullata Jugosllave e Shkodrës e cila ka urdhënue me veprue paralelisht me të tjerët.

Dy oficerë shqiptarë të arratisun që banonin në Selanik u thirrën në Beligrad dhe s’andejmi si tregtar me pasaporta jugosllave janë nisë për në Vjenë.

Po të jetë e mundun që Qeveria Shqiptare të kish një besnik për me ardhë në kontakt me z. Shemsi Mitrovicën që rrin në Kopran-han, në Shkup, do të siguronte shumë informata të rregullta e me rëndësi mbasi … [këto përfundon dokumenti që ndodhet në këtë dosje]

Programi i festimeve

Edhe në organizimin e festimeve për proklamimin e Monarkisë dhe Mbretit Zogu I luajti një rol të rëndësishëm Ministria e Brendshme, e cila me qarkoren e drejtuar të gjitha prefekurave me telegram shifër, fare urgjent, të datës 28 gusht 1928, udhëzonte:

“Proklamimi i Monarkisë do të bâhet me 1 shtator 1928, ora 11.00, para dreke. Po me atë ditë e orë do të shpallet Mbret Presidenti A. Zogu. Emri që do të marrin âsht ky: Zogu i I, Mbreti i Shqiptarëve. Në këtë ditë ceremonija duhet të bâhet sa mâ madhështore që imagjinohet. Bashkitë nuk lypset të kursehen me asnjë mënyrë nga shpenzimet dhe titullarët e këshillat e tyne të tregojnë energjinë e aktivitetin e fundit të tyne. Për me ia arritë qëllimit lehet në kompetencën e juej formimi i komisioneve të përbâmun edhe prej njerëzve që i kan pa e din se si rregullohet ceremoninat grandioze e historike si kjo. Sot telegrafisht ju çelen edhe kredina nga buxheti i kësaj Ministrie prej fondit kremtim. Me këto kredina do të zbukurohen vetëm zyrat qeveritare. Zbukurimi i qyteteve, gostitë e të tjera kan me u bâ prej bashkive. Ndër ato vende ku s’ka bashki, këto dy ditë për me u bâ ceremonija e lulzueshme do t’ju çelen kredi të tjera. Komanda e Armatës nëpër vendet breg detit ka çua Massa detare dhe për vendet, ku s’ka det, topa. Të shtimen e tyne e ka lân në urdhnin tuej. Urdhnoni komandat që e shtimja të bâhet me 1 Shtator, ora 11.00. Ditën e Proklamimit si dhe titullin e sipërtreguem të Mbretit mos e tregoni dhe shkrimet që do të bâhen, si nëpër Arkat e Triumfeve dhe nëpër vende të tjera, të përgatiten që tash tue i mbyll mjeshtrat që do t’i punojnë në ndonjë lokal të rezervuem, tue i porositë veçanërisht ata që punimet që kan me i bâ deri më 1 shtator, që kan me u vendos nëpër vendet e caktueme, mos t’ja tregojnë njeriu. Shtojmë se për hedhjen e topave Komandat duhet t’i lajmëroni vetëm me 1 Shtator në mëngjes e jo përpara. Nënprefekturat që ju mvaren do të lajmërohen prej titullarëve të Prefekturave tue iu dhânë edhe instruksione që të shihen të pëlqyeshme prej titullarëve të Prefekturave.”

Ndërkohë, interesimit të Nënprefekturës së Lushnjës se “ç’hymn do të këndohet ditën e proklamimit Monarkik e të kurorëzimit të Shpëtimtarit”. Ministria e Brendshme iu përgjigj: “Tash për tash të këndohet hymni presidencial. [Ditëve] Të tjera hymni kombëtar”.

Proklamimi i Mbretërisë Shqiptare

Manifestime për Mbretin e Shqiptarëve filluan para datës 1 shtator 1928. Më 23 gusht, ora 11 e 43 minuta, Presidenti i Republikës Ahmet Zogu, kaloi nëpër Shijak për të shkuar në Tiranë. Mëgjithëse populli nuk ishte lajmëruar aspak, porsa u pa automobili i parë i adjutantëve, u mbyll tregu përnjëherë dhe u stolis me flamuj si për kremtim. Korespondenti i “Shekullit të Ri” Q. Domi njoftonte se “populli i tânë e priti Madhninë e Tij pranë Urës së Erzenit. Posa u pa automobili i Shpëtimtarit, populli jetoi çaste enthuziazmi dhe emocioni që nuk tregohen. Në kalim me automobil para popullit, Ahmet Zogu u aklamue me fjalët e mallëngjyeshme: “Rroftë Mbreti Shqiptar” për të parën herë.”

Një atmosferë shumë entuziaste përshkroi të gjitha ditët e zhvillimeve të punimeve të Asamblesë Kushtetuese. Ndër të tjera, në diskutime u theksua edhe kjo: “Nevoja që detyroi kombet njëqind vjet më parë të krijojnë regjime republikane ishte për me i bâ ballë monarkive absolute…”, “kjo nevojë sot nuk ekziston më…, sot ndodhemi përballë një rreziku që âshtë bolshevizmi dhe për me i bâ ballë regjimi republikan âshtë shumë i vogël. Për me i bâ ballë këtij rreziku e vetmja formë e shtetit âshtë monarkia”. Pas mbylljes së bisedimeve, më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese miratoi Nenin 1 të Statutit Themeltar të ri që shpallte Shqipërinë “Mbretëri demokratike, parlamentare e të trashëgueshme”. Në të njëjtën kohë ajo mori vendimin e posaçëm me të cilin e caktoi Ahmet Zogun “Mbret të Shqiptarëve” me emrin Zogu i Parë. Emërtimi “Mbretëri Demokratike Parlamentare” që iu dha shtetit me Statutin Themeltar të Mbretërisë shprehte synimin për ta paraqitur atë si një regjim demokratiko – borgjez.

Siç njofton gazeta “Telegraf”, “në mes të krismave të topave, të brohorive t’Asamblesë dhe të popullit, të tingujve të muzikave, të jehonave të kambanave të kishave, dhe lutjeve që nga maja e minareve u proklamua në orën nëntë e dymbëdhjetë minuta, të shtunën më 1 shtator 1928, prej Asamblesë Konstituante Mbretëria Demokratike Parlamentare e Shqipërisë me Monark Lart-Madhënin e Tij ZOGUN e PARË Mbret i Shqiptarëve”. Me ngjyra të forta emocionale përshkruhet ky moment edhe në editorialin e “Shekullit të Ri”: “Edhe Natyra sot kremton … Mali madhështor i Dajtit, dëshmonjës i pa zâ i epopesë Skënderbegiane sot përfqafon me mallëngjim ish-kryeqytetin e Shqipnisë së vjetër dhe Kryeqytetin e Shqipnisë së re dhe i lumtur për ringjalljen e Mbretnisë Shqiptare, bekon madhnisht trashëgimtarin e Heroit të Krujës!”

Roli i faktorit ndërkombëtar

Në vitin e shpalljes së Mbretërisë, Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki. Koncepti i monarkisë, i drejtimit të shtetit nëpërmjet kurorës, me një centralizim të fortë dhe të kontrolluar nga lart, nuk ishte i panjohur për shqiptarët. Madje mund të thuhet se ishte shumë më familjar se koncepti i republikës.

Ahmet Zogu u kujdes që procesi i proklamimit të mbretërisë brenda vendit të zhvillohej me qetësi, pa bujë, pothuajse në fshehtësi, legal dhe i rregullt. Sigurisht që vuri në veprim intensiv shërbimin diplomatik në Romë, Londër, Paris e Beograd.

Në vitin 1924, gjatë kohës që Zogu ishte në mërgim në Beograd, e kishte pyetur mbretin Aleksandër rreth mundësisë së ndryshimit të regjimit kushtetues në Shqipëri dhe ky i fundit i kishte dhënë përgjigje të favorshme.

Por propozimi konkret për krijimin e mbretërisë shqiptare me Ahmet Zogun mbret u hodh në tryezën e bisedimeve dypalëshe Itali – Shqipëri, që gjatë diskutimeve të mesit të korrikut të vitit 1927, kur Musolini thirri në Romë Ugo Solan (shefi i Legatës italiane në Durrës) për konsultime rreth masave që duhet të merreshin për forcimin dhe zgjerimin e ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri. Sipas Solas, Zogu kishte qenë plotësisht dakord me propozimin italian në lidhje me shndërrimin e republikës në  mbretëri. Në shkëmbim të garancive që kërkoheshin nga Zogu ndaj shtetit italian, Italia do t’i jepte garanci Zogut, që në rast se shteti jugosllav do të shpërbëhej, Shqipërisë do t’i kthehej Kosova. Kjo e fundit perputhej me objektivin e Zogut për rikthimin Shqipërisë të territoreve të saj në rastin e një konflikti ballkanik. Në këtë fazë kishte një përputhje qëndrimesh por sidomos interesash midis Zogut dhe Italisë.

I bindur se miratimi vetëm i Italisë për krijimin e monarkisë shqiptare mund të shkaktonte pakënaqësi dhe reagime negative të vendeve të tjera evropiane dhe të atyre fqinje, Zogu ndërmori një veprimtari të dendur diplomatike. Nëpërmjet Ministrit të tij të Jashtëm, Vrioni, ai kërkoi jo vetëm të mësonte opinionin e Anglisë por edhe të merrte një miratim paraprak prej saj. Në takimin me Chamberlenin (shkurt 1928), ministri Britanik u shpreh se “nuk ishte në zakonin e Qeverisë së Madhërisë së Saj të merrte përsipër përgjegjësitë e dhënies së këshillave lidhur me çështjet e brëndshme të një vendi të pavarur”.

Ndërkohë, i ngarkuari me punë i Greqisë në Tiranë e kishte siguruar Zogun për njohjen e shpejtë që Greqia do t’i bënte regjimit të ri. Ndërsa prej pjesës tjetër të Evropës Zogu kishte marrë përgjigje me një “indiferentizëm dashamirës”.

Gjithsesi, procesi i kalimit nga republikë në monarki duhej të zhvillohej pa incidente dhe të garantohej një mbështetje e gjerë popullore për formën e regjimit që do vendosej dhe për Ahmet Zogun si kandidatura më e spikatur për mbret.

Njohja ndërkombëtare

Mbretëria e A. Zogut u njoh shpejt nga shumë shtete të mëdhenj e të vegjël. Italia qe e para që e njohu Mbretërinë Shqiptare, Greqia e dyta. Brenda muajit shtator 1928 u konfirmuan njohjet e regjimit monarkik edhe nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Gjermania, Franca, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Uruguaj, në tetor vijuan njohjet nga Spanja dhe Japonia, në nëntor nga Lituania etj. Kjo dhe në sajë të ndihmës që dhanë qeveritë e Italisë dhe të Britanisë së Madhe.

Jugosllavia vonoi njohjen deri më 19 shtator 1928 për shkak se titulli “Mbret i Shqiptarëve” mund të kuptohej si shtrirje e autoritetit përkatës mbi shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera jugosllave. Një nga ministrat jugosllav do deklaronte për fletoren “Pravda” se “Guverna Jugosllave nuk ishte lajmërue zyrtarisht mbi proklamimin e Monarkisë së Shqipërisë, por qëndrimi i saj nuk ka me qenë i ndryshëm nga guvernat e tjera. Gjithë shtetet anojnë nga pikëpamja që forma e guvernës âsht çështje e brendshme e çdo shteti, prandaj asnjë çështje nuk do të përzihet. Si fqinjë ne i kemi dhënë prova Shqipnisë se nuk jemi kundër saj dhe nuk kemi arsye t’i turbullojmë konsolidimin”.

I vetmi problem serioz erdhi nga Qemal Ataturku, i cili i brengosur nga tradhtia e Zogut kundrejt formës republikane të qeverisjes refuzoi ta njihte regjimin.

Duhet theksuar se njoha e shpejtë nga Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje konfirmojnë mbështetjen e tyre për procesin e kalimit të Shqipërisë nga republikë në regjimin monarkik.

Në vend të mbylljes

Një njohës shumë i mirë i zhvillimeve politiko-qeverisëse në vitet e para të veprimit shtetëror në Shqipëri, Eqrem bej Vlora, do theksonte: “Koha, rrethanat dhe fati do ta kenë ndihmuar Zogun, mund ta kenë përshpejtuar, madje edhe lehtësuar procesin e përparimit, megjithatë unë jam plotësisht i bindur se vendimtare kanë qenë vullneti i fortë dhe zotësia e këtij njeriu. Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë.”

FUND

LEXONI ME POSHTE DY PJESET E TJERA

Si u proklamua Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve

‘Populli kërkon shpalljen e Monarkisë me Ahmet Zogun Mbret’


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252