Nga Veli Haklaj
Hyrje
90 vjet më parë, më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme dhe Asambleja Kushtetuese zgjodhi dhe e proklamoi Ahmet Zogun Mbret të Shqiptarëve, nën emrin ZOGU I. Megjithëse kanë kaluar nëntë dekada, edhe pse ka patur në vijimësi studime dhe publikime të shumta nga autorë shqiptarë dhe të huaj për këtë moment të rëndësishëm në zhvillimet historiko – politike të Shqipërisë, akoma edhe sot e kësaj dite publikohen komente dhe kundërshti për mënyrën dhe legjitimitetin e kurorëzimit të Zogut si Mbret i Shqiptarëve. Në këtë punim, i cili do të bazohet kryesisht në dokumente arkivore të shtetit shqiptar, do të pasqyrojmë shkurtimisht rrethanat politike dhe mënyrën e veprimit të institucioneve të shtetit shqiptare për proklamimin e Mbretërisë dhe Mbretit të Shqiptarëve. Theksojmë se një pjesë e të dhënave dokumentare publikohen për herë të parë.
Republikë apo Mbretëri?!
Pas një aktiviteti të spikatur si ministër i Punëve të Brendshme, më 2 dhjetor 1922, Ahmet Zogu do të votëbesohej si kryeministër i Shqipërisë. Në kujtimet e tij, Eqrem bej Vlora do evidentonte se “ai ishte i vetmi që dinte me saktësi se çfarë donte dhe kishte për këtë një program të qartë”. Siç duket, që në këtë moment Ahmet Zogu kishte projektuar rrugën e qeverisjes së shqiptarëve nën drejtimin e tij, si kryeministër, si president e më pas si Mbret i Shqiptarëve. Por kjo gjë, sigurisht, lypte një farë stabiliteti dhe uniteti. Kështu që, siç thekson dhe studiuesi B. J. Fischer, nevojat e Zogut dhe të Shqipërisë dukej sikur përputheshin.
Në këtë rrugëtim jo të lehtë politiko-qeverisës pati një ndërprerje nga Revolucioni i Qershorit (qershor-dhjetor 1924). Në vitin 1924, Zogu kishte dëshmi të mjaftueshme për të mëtuar se sistemi i një principate parlamentare, që ishte ndërtuar prej Fuqive të Mëdha në vitin 1912, nuk i shkonte për shtat kushteve të vendit. Përvoja e qeverisjes në Shqipëri për periudhën 1912 – 1925 tregonte se në Shqipëri nuk u arrit stabilitet politik. Shumë qeveri ndërroheshin pa arritur të bënin as programin e tyre, shumë klane, interesa, ndërhyrje influenconin në stabilitetin politik në Shqipëri. Ahmet Zogu mendonte se Statuti i Republikës linte gjithnjë të hapur synimin e pushtetit me anën e zgjedhjeve dhe nuk garantohej siguri për një shtet të ri, i cili sapo kishte dalë nga kriza. Ahmet Zogu mendonte se një mbret mund ta stabilizonte vendin më mirë se një president. Edhe ndjenjat e shqiptarëve, krenaria e trashëguar sikur e joshnin një veprim të tillë.
Vetë Ahmet Zogu, në një intervistë për “National-Zeitung”, na thotë se koncepti i monarkisë e kishte intriguar qysh në moshë të re. Ai adhuronte fort Napoleonin dhe Jul Qesarin, të cilët, si i pari ashtu dhe i dyti, qenë nisur nga republikë dhe kishin krijuar monarkinë. Të tjerë autorë na sugjerojnë se ngjarja që influencoi mbi Zogun lidhur me monarkinë kishte pasë qenë kurorëzimi i perandorit Karl të Austrisë më 1916. Gjithsesi, fakti që Zogu e kishte shtruar udhën për këtë ndryshim duke nisur qysh nga fillimi i vitit 1924 e ndoshta edhe më herët është i njohur për shumë studiues.
Ndërkohë, Princi i pafat Vid u përmendte atyre që kishte mundësi të takonte dhe ta dëgjonin se kurrë nuk kishte abdikuar nga froni i tij. Por ai priste më kot për ndonjë përgjigje, deri sa përfundimisht hoqi dorë nga pretendimet e tij.
Si rrjedhim, harmonizimi i vullnetit politik të Ahmet Zogut me mbështetjen e personaliteteve kryesore shqiptare të kohës dhe me dakordësinë e Fuqive të Mëdha dhe atyre fqinje, i hapi rrugë veprimit politiko-juridik për proklamimin e Mbretërisë Shqiptare.
Procesi i proklamimit të Mbretërisë
Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me procesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e procedurave kushtetuese e ligjore.
Nga fundi i vitit 1927, planet e Ahmet Zogut për t’u bërë mbret u shpallën me bujë nga shtypi ndërkombëtar, kurse brenda vendit vetëm në fillim të muajit gusht filloi të publikohej se mund të ndryshohej forma e regjimit. Në numrin e datës 8 gusht 1928, gazeta “Telegraf” evidentonte se çështja e programit dhe e ndryshimeve që do të bëjë Asambleja Kushtetuese në Statutin Themeltar të Shtetit ishte në gojën e të gjithëve. Në këtë kohë, nga bisedimet dhe mendimet në qarqe të ndryshme, po krijohej një korent i fortë në favor të një qeverimi të përmbledhur i cili do të pajtohej me traditat sundimtare të popullit shqiptar.
Por kalimi i shtetit shqiptar nga republikë në monarki kishte pengesa juridike serioze. Neni 141 i Statutit Themeltar të Republikës përcaktonte shprehimisht se: “Forma republikane e shtetit nuk mund të ndryshohet në asnjë mënyrë”. Për të kapërcyer këtë pengesë, si dhe për t’i dhënë një pamje të ligjshme kalimit nga republikë në monarki, u zbatua një procedurë e posaçme.
Të dy dhomat legjislative, dhoma e Deputetëve dhe Senati, duke e ndier nevojën e një rishikmi të përgjithshëm të Statutit, në një mbledhje të përbashkët, në formë Asambleje Legjislative, më 7 qershor 1928, vendosën me një zë shtimin e këtij paragrafi në nenin 141 të Statutit të Republikës: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket vetëm Asamblesë Konstituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit, simbas procedurës së caktueme në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndame dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Konstituente simbas art. 47 të Statutit”. Po në këtë mbledhje, të dy dhomat, me një zë, vendosën shpërndarjen e të dy Dhomave për t’u ftue Asambleja Konstituente që të hartonte e të votonte një Statut të ri. Në mbështetje të këtij shtimi në Statut dhe të vendimit të marrë prej Asamblesë Legjislative për shpërndarjen e Dhomave dhe mbledhjen e një Asambleje Kushtetuese për rishikimin e përgjithshëm të Statutit, u dekretuan zgjedhjet për 17 gusht 1928.
Roli i Ministrisë së Punëve të Brendshme
Një rol kyç në procesin teknik për proklamimin e Mbretërisë Shqiptare luajti Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohej nga Kostaq Kotta. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi 152/11, Viti 1928, gjenden dokumente të shumta që hedhin dritë për veprimtaritë e kryera për këtë qëllim. Rezulton se ka patur një kujdes të theksuar që misat që do zgjidheshin në Asamblenë Kushtetuese të ishin qartësisht të krahut qeveritar. Por fillimisht duhej që edhe zgjedhësit e dytë të zgjidheshin nga radhët e personave që mbështetnin qartësisht regjimin. Kjo provohet dhe nga praktikat e shumta dokumentare që përmbajnë komunikimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me prefekturat dhe nënprefekturat në mbarë vendin, sidomos me ato që ishin më me peshë dhe ku evidentoheshin probleme si në Shkodër, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Berat etj.
Situata në Prefekturën e Vlorës
Më 12 prill 1928, prefekti i Vlorës Qazim Bodinaku njoftonte Ministrinë e Brendshme se partia kundërshtare po i luftonte zgjedhjet rreptësisht. Megjithëse prefektura me organet e saj nuk kishte bërë ndonjë vepër ilegale, veçse me mënyra të pëlqyeshme kishte marrë masat e duhura për sigurimin e fitimit të kandidatit të qeverisë, ndaj këtyre veprimeve të zyrtarëve u ankuan zotërinjtë Seit Qemali, Pertef Risilia, Gani Alika dhe Idriz Sadija. Sipas informacionit të prefektit Bodinaku, gjashtë kandidatët kundështarë në Vlorë ishin bashkuar për t’i dhënë votat e tyre Seid Qemalit. Lufta elektorale po vazhdonte nxehtësisht. Megjithëse Grupi Qeveritar shihej i demoralizuem, prefekti Bodinaku ishte i sigurtë se kandidati i qeverisë do të fitonte. Ndërkohë ai parashtronte edhe emrat e disa nëpunësve që kishin nxjerrë pengime.
Në fundin e muajit qershor, situata në Prefekturën e Vlorës u përshkallëzua me shpejtësi. Më 29 qershor 1928, prefekti i Vlorës Qazim Bodinaku informonte Ministrinë e Brendshme se parashihej që në zgjedhjet e Asamblistave në këtë prefekturë do të kishte një luftë elektorale të ashpër. Kundështarët po mundoheshin për të përgatitur sheshin e luftës dhe do të bënin çdo sakrificë për t’ia arritur qëllimit të tyre. Prefektura po mundohej me i marë me të butë, por planifikonte marrjen e masave të tjera administrative. Duke u mbështetur në ndihmën bujare të titullarit të Ministrisë së Brendshme, për t’ja arritur qëllimit, prefekti Bodinaku lutej që të merreshin këto masa:
- Komanda e Përgjithshme e Gjindarmërisë të dërgonte 20 xhandarë në Vlorë;
- Drejtoria e Financës së Vlorës të nxirrte listën e atyre që i detyroheshin arkës për çdo lloj takse, duke kërkuar edhe burgimin e tyre;
- të urdhërohej çelja e një kredie nga Fondi Sekret për të përballuar shpenzimet e ndryshme për të dërguar njerëz andej-këndej e sidomos për të kontrolluar sjelljet e kundërshtarëve;
- të urdhëroheshin ish-deputetët me u nisë për Vlorë sa më shpejt për të biseduar për zgjedhësit e dytë.
Brenda ditës, Ministria e Brendshme do njoftonte prefekturën e Vlorës se “ju shkrue Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë për të dërgue fuqin e kërkueme dhe se u morën të gjitha masat për të plotësue pikat që parashtroni në telegramin tuaj”.
Situata në Prefekturën e Shkodrës
Sipas informacioneve që zotëronte Ministria e Brendshme, në prefekturën e Shkodrës po bëhej një propagandë “kinse në zgjedhjet e ardhshme ka me u bâ një obstruksion e sdomos prej elementit katolik”. Ipeshkvija e Shkodrës kishte ftuar të gjithë famullitarët e rajonit të Pukës për t’iu dhënë instruksione për të bërë propagandë në zgjedhje. Për këtë, më 23 qershor 1928 Zyra Sekrete kërkonte të bëheshin hetime dhe përpjekje që të zhdukej kjo propagandë, në rast se ekzistonte. Më 30 qershor 1928, zëvendësishtprefekti i Shkodrës Kolë Rodha garantonte Ministrinë e Brendshme se për sigurimin e zgjedhësve të dytë me persona proqeveritarë do të merreshin të gjitha masat. Me këtë rast, për të qenë më të sigurtë, ai propozonte që oficerat rezervë të votojnë dhe të votohen. Sigurisht që ditën e zgjedhjeve do të ishin pa uniformë e pa armë.
Ndërkohë, me afrimin e kohës së zgjedhjeve, meqenëse të arratisurit politikë mund të bënin ndonjë lëvizje për të penguar zgjedhjet, autoritetet civile dhe ushtarake të Prefekturës së Shkodrës kërkuan të autorizoheshin nga Ministria e Brendshme që në viset e juridiksionit të tyre të dërgohej një batalion ushtarësh të cilët të bënin një qarkullim duke filluar që nga Kopliku, Shkreli, Boga, Qafa e Bordelecit, Theth e gjithë rajonin e Dukagjinit. Në përgjigjen e datës 19 korrik, Ministria e Brendshme njoftoi Prefekturën e Shkodrës se u bënë hapat e duhura për t’u urdhëruar dërgimi i një batalioni për qarkullimin në qarqet në fjalë. Batalioni u plotësua dhe u nis për në viset e sipërcituara, në fundin e muajit korrik.
Sipas informatave që kishte Ministria e Brendshme, si në qendër edhe në nënprefekturat e Prefekturës së Shkodrës, populli nuk po vinin të gjithë në zgjedhje, por vetëm një pakicë. Prandaj me telegramin e datës 21 korrik 1928 porosiste që të “jepen urdhna të rrepta e të bëhen përpjekje energjike që të detyrohet përgjithësisht populli për me votue, meqë interesi e lyp që të jenë sa mâ tepër votues.”
Në lidhje me këtë, më 23 korrik 1928, Prefektura e Shkodrës informonte Ministrinë e Brendshme se “mbas përgjigjesh të marruna prej nënprefekturave, zgjedhjet e deritashme janë bâ pothuajse prej tanë popullit. Në zonat e qytetit kan shkue votues shkodranë kadalë, por me shumicë të mjaftueshme, mbasi nuk kanë pasë kundra parti për me bâ polemikë. Vetëm zona e lagjes “Perash” që nuk ishte lajmërue prej kryeplakut kish pakicë votuesish.” Për të bërë propagandë ndër votues Prefektura kishte marrë masa indirekte.
Ndërkohë, që më 19 korrik 1928, me telgram shifër tepër urgjent, zëvendësishtprefekti i Shkodrës Kolë Rodha informonte Ministrinë e Brendshme se kryeplaku i lagjes së Perashit Lin Laca (Pistuli), i vëllaj i ish-nëntoger Gjush Laces, megjithëse ishte porositur, nuk i kishte lajmëruar banorët e lagjes së tij për të votuar dhe nga 400 vetë votuan vetëm 20. Mbasi kjo vepër pengonte zgjedhjet dhe shtinte popullin kundër qeverisë, prefekti Rodha lutej që të autorizohej menjëherë për internimin e tij në Gjirokastër dhe formalitetet e nevojshme do bëheshin pas internimit. Ministria e Brendshme, po atë ditë aprovoj mejtimin e Prefekturës së Shkodrës dhe kryeplaku në fjalë u internua në Gjirokastër.
Probleme u konstatuan edhe në Lezhë. Sipas informacioneve të sigurta të Nënprefekturës së Lezhës, kryetari i Bashkisë së Lezhës Myrteza Bajaziti dhe Mano Begu “kishin qitur njerëz të tyne ndër katunde për me bâ propagandë kundër misave t’Asamblesë që do të caktonte Qeveria”. Kryetari i Bashkisë ishte dhëndër i bejlerëve të Lezhës, të cilët kishin relacione familjare me Riza Danin, Dan Hasanin e Maliq Bushatin. Sipas informacioneve, të përmendurit ishin shtyrë prej Maliq Bushatit për të bërë një propagandë të tillë. Me të marrë dijeni, Ministria e Brendshme, më 10 korrik 1928, porosiste Nënprefekturën e Lezhës që “për propagandën që bâhet kundrejt misave të Asamblesë, lutemi të porositen si Mano Begu edhe kryetari i Bashkisë që të heqin dorë nga të tilla sjellje tuj ju njoftue se, në rast të vazhdimit, do të merren masa administrative.”
Situata në Prefekturën e Beratit
Më 12 korrik 1928, Prefektura e Beratit informonte Ministrinë e Brendshme se Konsullata e Konstancës i kishte lajmëruar Bashkisë së Beratit kandidaturën si mis të Asamblesë të Doktor Zoi Xoxës dhe lutej të njoftohej në duhej me i shpallë kësi kandidaturash para se të shpallet lista qeveritare. Të nesërmen u dërgua përgjigja “diplomatike” e Ministrisë së Brendshme për Prefekturën e Beratit: “Kandidaturat në fjalë mund të shpallen, por mos t’ju bâhet ndoj përkrahje”.
Kurse në Lushnje nuk konstatohej lëvizje kundër Grupimit Qeveritar, por një shumicë e popullit përgatitej për t’i paraqitur Kryesisë së Republikës telegram për të përjashtuar nga grupi për Asamblist zotni Ferit Vokopolën.
Situata në Nënprefekturën e Kavajës
Më 7 korrik 1928, Nënprefektura e Kavajës i kërkonte Ministrisë së Brendshme që të lajmëronte Ministrinë e Drejtësisë për të mos emërue në asnjë vend për marrjen e votave elektorale si delegat gjyqi avokatët Haxhi Xeka e Musa Sheh Dulla, banues në Kavajë, të cilët kishin qenë kryetarët e Shoqërisë “Bashkimi”. Kjo shkresë iu përcoll nga Ministria e Brendshme për kompetencë Ministrisë së Drejtësisë, më 9 korrik 1928.
Situata në Prefekturën e Kosovës
Më 18 korrik 1928, me telegram-shifër urgjent, Nënprefektura e Tropojës njoftonte Ministrinë e Brendshme se në Krahinarinë e Nikaj-Mërturit (rrethi i Tropojës) dhe Shalë (rrethi i Dukagjinit), po bënin propagandë për prishjen e zgjedhjeve të Asamblesë “me qëllim të qesin pengime e ngatërresa me vrasje të komisioneve e tjera”. Sipas informacioneve, kjo propagandë kishte dalë prej Gucisë e Gjakovës. Për t’ju pre hovin çdo aksidenti iu dhanë urdhërat e duhura autoriteteve kompetente
Një ndër masat e marra ishte dhe dërgimi i personave me influencë për të bërë propagandë pro kandidaturave qeveritare. Më 26 korrik 1928, Prefektura e Kosovës informonte Ministrinë e Brendshme se, sipas informatave të komandës së batalionit kufizuer, famulltari i katundit Dardhë të Pukës, Dom Nikolla Deda, “kishte dalë në rrethin e Malësisë së Gjakovës, kinse për meshë por dalja e tij paska për qëllim propagandë për zgjedhjet”. Meqënëse titullari i kësaj Prefekture, Nevrus Taçi, të përmendunin e njihte si besnik të regjimit, shprehej se nuk dinte se ç’politikë ndjek dhe lutej të njoftohej se “a ta lâmë të lirë me shëtit në atë rreth apo jo”. Një ditë më pas, në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, i kërkohej Prefekturës së Kosovës që “mbasi i përmenduni âsht njeri besnik i regjimit, të lihet i lirë me shëtit në rreth të [Malësisë së] Gjakovës”.
(VIJON NUMRIN QË VJEN)