Ishte ky momenti kur kauza kryesore e opozitës, ajo që prej tre muajsh kushtëzon çdo pjesmarrje të saj në parlament, mori fund. Tre muaj më parë selia blu artikuloi nga qyteti i Elbasanit, gjenezën e bashkëpunimit të qeverisë me krimin sipas Bashës, kauzën mbi të cilën do të kushtëzonte jetën parlamentare të muajve të ardhshëm: Vettingun në politikë.
“Dekriminalizimi i plotë përmes Vettingut të politikanëve të lidhur me krimin”, deklaroi në Shtator kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Marrëdhënia me parlamentin identifikoi votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese si kusht për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit, aq sa edhe e vetmja dritare komunikimi e mbetur hapur mes mazhorancës dhe opozitës, Komisioni i Reformës Zgjedhore, u duk se u mbyll edhe pse asnjëherë zyrtarisht.
“Nuk kemi bojkotuar asnjë sesion të Komisionit, nuk do të bojkotojmë asnjë sesion të komisionit”, u shpreh tre javë më vonë Basha.
Pas mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, pasqyrë e qartë e mungesës së diskutimit konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës, kjo e fundit miratoi vetëm me votat e saj kalendarin e punimeve të Kuvendit mbi këto propozime të opozitës. Demokratët, të cilët kërkuan votimin pa nevojë për diskutim të amendamenteve kushtetuese, insistuan në mungesën e nevojës për tejzgjatje të këtij kalendari, në punimet e të cilit u bënë pjesë vetëm për të përsëritur qëndrimin e tyre.
Ishte mbërritja e opinionit të Komisionit të Venecias edhe pse ende jo përfundimtar, ajo që përmbushi pritshmëritë e opozitës dhe konfirmoi qëndrimin e mazhorancës, e cila i kërkoi parlamentit të rrëzojë amendamentet kushtetuese që do të shtrinin Vettingun në politikë.
Por kjo tërheqje e opozitës nga pretendimi i votimit të ndryshimeve pa dialog dhe dora e shtrirë ndaj mazhorancës për diskutim me qëllim përmirësimin e këtyre amendamenteve, nuk mori si përgjigje vullnetin politik të socialistëve, por refuzimin kategorik të saj.
Nuk vonoi dhe kjo kauzë e opozitës, e cila në retorikë nuk priti kurrë që mazhoranca ta pranonte propozimin e saj, lindi dhe vdiq pa diskutime të qenësishme të formës, përmbajtjes dhe efektit që do të kishte në jetën politike të vendit. Në 90 ditët e kauzës, kalë beteje e opozitës në këtë sesion parlamentar, Vettingu në politikë më tepër u kthye në arenën e debatit, ku palët politike artikuluan propoagandën e tyre, sesa u mor seriozisht në konsideratë si ndryshim i mundshëm i ligjit themeltar të vendit: Kushtetutës.
Nuk dihet nëse ky rrëzim i propozimit të demokratëve do t’i rikthejë ata në sallat e komisioneve dhe seancës plenare apo do të thellojë edhe më tej bojkotin e tyre por për demorkatët tashmë një gjë është e qartë:
“Të gjithë ata që kanë ngritur kartonët kundër Vettingut të politikanëve kanë dalë hapur si bashkëpunëtorë të krimit, bashkëpunëtorë të oligarkisë, bashkëpunëtorë të vjedhjes. Ligji ka rënë, gjykatat kanë rënë, prokuroria nuk ekziston, por qytetarët e bashkuar mund të shpëtojnë shtëpitë e tyre, siç po bëjnë këtu, mund të shpëtojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe sëbashku mund të shpëtojmë Shqipërinë”, theksoi Basha gjatë një takimi me banorët e “Unazës së Re”./abcnews.al/