-Diktatura e ndritur e Ismet Totos përballë Gjykatës Politike të Ahmet Zogut
Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I DJESHËM…
Beteja e Qafë-Plloçës, shpartallimi i kryengritësve
Pasi morën Delvinën, Gjirokastrën dhe Tepelenën, ku Ethem Toto caktoi dhe administratorët e pushtetit, forcat kryengritëse iu drejtuan Vlorës duke udhëtuar me kamionë në rrugën e vjetër Tepelenë – Vlorë. Beteja e zhvilluar në Qafën e Plloçës me forcat qeveritare shënoi dhe thyerjen e forcave kryengritëse.
Sipas dëshmisë së Ismet Totos, “te Qafa e Plloçës, kur ishte mjaft errët, rreth orës 8 – 8.30 të darkës, kundra kolonës së automobilave plasi një pushkë e fortë e dendur dhe e papritur. Me zbrazjen e automobilave me ngutësi, mbasi luftuam nja dy orë, fuqia u çrregullua dhe humbi komanda. Në këtë çrregullim e sipër fuqia u nda në grupe-grupe pa drejtim dhe filloj pushkatimi edhe në mes tyne, nga shkaku i errësirës. Kështu erdhi prishja”.
Simbas urdhërit telefonik të qarkkomandës së Vlorës, kapter Zef Mirashi, postëkomandant i Sevasterit, n’orën 14.00, ka zënë Qafën e Golimbasit me dy xhandarë e dy vullnetarë civila, ku do të ndalonin përparimin e rebelave bashkë me fuqinë që ishin duke e mbledhur nga postat e nga roja e kufirit për me e çue në atë vend.
Pas një shkëmbimi zjarri me forcat kryengritëse, kapter Zefi është tërhequr dhe, mbasi ka kaluar 2 km Qafën e Plloçës, ka ndeshur në pesëdhjetë xhandarët e ardhur nga Tirana. Këtu kapter Zefi u ka parashtrue zotërinjve major Bilal Nivicës, kapiten Neki Dacit dhe nëntoger Gjon Dostanishës që të zënë pa vonesë Qafën e Plloçës se rebelët janë duke përparuar me automobila dhe janë afër.
Zotërinjtë oficera kanë urdhëruar në çast që kapter Zefi me skuadrën e vet të zënë vend në Qafë, në krah të djathtë të rrugës, kurse kapter Selim Rama me skuadrën e vet të zënë vend përmbi kapter Zefin, në krahun e djathtë të tij, ku ishte pozicioni më i vështirë dhe i dyshimtë, i cili u sulmua më tepër prej kryengritësve. Nëntoger Gjoni me një pjesë të fuqisë ka zënë vend në rrugë mbi qafë dhe major Bilali e kapiten Neki Daci me fuqinë tjetër kanë ndejtun më mbrapa për dirigjimin e luftimit. Më vonë, për me sigurue krahun e majtë, ka shkue xhandar Mustafa Rama vetë i pesti, i cili ka thyer afër njëzetë rebela që dojshin me marrun krahë.
Zjarrin e parë e ka hapur skuadra e kapter Zefit, e cila është mësy gati prej krejt fuqisë së tre automobilave të parë, të cilët kanë mbërri afro njëzetë metra afër skuadrës së përmendun, por kjo ka qëndrue trimnisht duke përdorë shumë herë revolen.
Pjesa më e madhe e fuqisë së nëntë automobilave të tjerë kanë mësy zonën e okupueme prej skuadrës së kapter Selim Ramës. Këtu është zhvillue luftimi më i gjatë e i rreptë dhe kryengritësit kanë lënë të vdekur Tahsim Toton me dy të tjerë dhe nga skuadra e kapter Selimit është plagosë një xhandar.
Vetëvrasja e Ethem Totos
Kapja ose asgjësimi i organizatorëve kryesorë të kryengritjes së Delvinës, vëllezërve Ethem e Ismet Toto, do të ishte detyrë kryesore për Forcat Ndjekëse, që drejtoheshin nga major Bilal Nivica. Ndërkohë, me qëllim ndjekjen dhe koordinimin e veprimeve konkrete, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrendshme Zef Kadarja u emërue Zëvendësisht Prefekt i Gjirokastrës.
Mbas thyerjes së forcave kryengritëse në Sevaster, ministri i Brendshëm Musa Juka, që ndiqte nga Tirana operacionin, u dërgon prefekturave Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Berat; nënprefekturave Përmet, Tepelenë Delvinë, Sarandë, Himarë; Komunave të Kl. I-rë Kolonjë, Kurvelesh, Libohovë, Konispol dhe, për njoftim, nënkolonel Osman Gazepit, në Këlcyrë, dhe major Bilal Nivicës, ku të jetë, këtë telegram: “Ethem Toto do të mundohet me e kalue kufinin ose me u mshefë ndër miqt e shokët e tij ose ndër pyje. Sikurse u kemi urdhnue pa reshtun duhet të merren masat për sigurimin e moskalimit të kufinit. Në rast se ai qëndron brenda vendit, patjetër të shtihet në dorë gjallë a vdekun. Neglizhuesit e urdhnave kanë me u ndëshkue rreptësisht”.
Pasi kryengritësit u shpartalluen te Qafa e Plloçës nga fuqija e major Bilalit, Ethemi me reshter Mato Sheremetin, Hidajet Hajnon, Sadik Buzon, Shefqet Gjolekën, Rexho Hasanin dhe Fejzo Dinen u arratisën, duke marrë një përrua naltë. Ethemi shprehej për një tradhëti të Vlorës, pse ai u kish thânë pasuesve atë ditë se Vlorën dhe autoritetet i kish për vete.
Ndërkohë, Ethem Toto, i diktuar prej fuqive qeveritare, porsa ka mbërritur në vendin “Varreja e Zageçit” të Golemit, u rrethua nga të gjitha anët. Pas një luftimi të filluar në orën 19. 30, të datës 25 maj 1937, që vazhdoi një orë, Ethem Toto, pasi mbeti i plagosur, zgjodhi të vriste veten me revolver.
Dorëzimi i Ismet Totos
Pas shkatërrimit të fuqisë kryengritëse në Sevaster, Ismet Toto kërkoi Ethemin andej e këtej, por nuk e gjeti. Atëherë me disa shokë i dolën nga pas fuqisë ndjekëse qeveritare dhe ndoqën itinerarin nëpër katundet Vajzë, Velçë, Ramie, deri afër Kullsit të Himarës.
Në procesverbalin e pyetjes, Ruzhdi Islami, nga Kallarati i Kurveleshit, ish-postëkomandant i Postës së Qendrës në Gjirokastër, deklaron:
“…Unë me gjithë Xhevdet Gjolekën, Ismet Toton, nëntoger Xhelal Shtëpanin, Bejkush Gjolekën, Xhevdet Gjolekën, Myftar Musto Buzon dhe Murat Hodon si dhe një Teki (Kolaneci-V.H.) muarëm drejtimin për në Plloçë. Mbasi qëndruam atje dhe u ngrysëm, tërë ditën e hënë qëndruam atje dhe në darkë kemi shkuar në Brusnjë tek çobani i Ago Shero Agajt, me emen Mustafa Ndreu. Si na dha bukë, ky na udhëhoqi për tërë natën dhe na pruni në një pyll në mes të katundit Velçë dhe Ramic dhe atëherë Mustafa shkoj vet tek Hate Qamili në Ramic dhe bashkë me Haten erdhen tek neve në pyll. Në muhabet që Ismeti dhe Xhevdeti bënin me këta të dy, i kallëzonin ngjarjen dhe i thoshin se na mori në qafë Vlora, se Ethemi tre ditë më përpara kishte dërguar Ago Sheron për të përgatitë një fuqi dhe ditën e dielë të priste telat e Vlorës. Në bisedim që bënin Ismeti me Xhevdet Gjolekën thoshin se gjoja Ethemi o vet direkt, o me anën e Ago Sheros, i ka dërgue letër, ku e ka vu në dijeni dhe Skender Muçon nga Tragjasi i Vlorës. Si ndejtëm tërë atë ditë në pyll, ditën e martë në mbramje, u nismë andej për në drejtim të Kallaratit dhe afër sabahut kemi shkue në shtëpinë e Veliko Muratit, nga Kallarati, i cili na dha bukë dhe u ngrysëm në një pyll mbi shtëpinë e tij. Pastaj kemi shkue në pyllin e Kuçit dhe mbasi qëndruam atje një ditë shkuam në Kullës në shtëpinë e Koço Lekës dhe mbasi hëngrëm bukë shkuam në pyllin e Kullësit. Aty kemi ndejtë një javë rresht dhe bukë na binte Koçua. Aty Ismeti mori vesh nga ana e dy barinjëve vrasjen dy vllaznëve të tij, Ethemit dhe Tahsimit, dhe të xhajës dhe ky, mbas kësaj, vendosi dorëzimin. Me vendimin për dorëzim u bashkuan dhe nëntoger Xhelal Shtëpani, Myftar Buzo dhe Tekiu, ndihmës veteriner i Delvinës…” Kështu, më datën 27 maj 1937, ata fillimisht takuan kryeplakun e Kullsit të Himarës dhe me të shkuen në Rrethkomandë. Armët i dorëzuen në Himarë.
Me t’u informuar për kapjen e Ismet Totos, ministri i Mbrendshëm Musa Juka dërgon më 28 maj 1937, këtë shkresë për major Bilal Nivicën:
“Ju falenderoj për suksesin që patët në shtimjen në dorë të Ismet Totos, Xhelal Shtëpanit me dy shokë. Por ju lutemi bâni çmos për me diktue edhe Xhevdet Gjolekën dhe me e shti patjetër në dorë. Për këtë qëllim dispononi urdhëna të forta gjithë detashmentëve që të bâjnë ndjekje të repta dhe të shtrëngojnë shumë popullin e krahinave ku dyshohen se mund të jetë mshefë. Presim përfundimin”.
Zhvendosja e Gjykatës Politike në Gjirokastër
Caktimi i major Bilal Nivicës në krye të Forcave Ndjekësë për shtypjen e kryengritjes së Delvinës, u bë njëkohësisht me lirimin e tij nga detyra e kryetarit të Gjykatës së Posaçme për Faje Politike. Në vend të major Bilal Nivicës, si kryetar i Gjykatës së Posaçme për Faje Politike u emërue nënkolonel Abedin Xhiku, në përbërje të së cilës ishin dekretue si anëtarë civila Eqerem Hado e Dhimitër Goda dhe anëtarë ushtarakë major Shan Vila e kapiten I-rë Lan Kraja, kurse prokuror z. Kiço Bisha
Këshilli i Ministrave, nën kryesimin e z. Koço Kotta, kryeministër, mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 18 maj 1937 vendosi që qendra e Gjyqit të Posaçëm Politik të vendoset në Gjirokastër, për të zhvilluar hetimet dhe gjykimet kundra kryengritësve të lëvizjes së Delvinës.
Arsyet e kryengritjes – Diktatura e Ndritur
Zhvillimi i procesit hetimor nxori në pah dhe disa arsye të dukshme të rebelimit të organizuar dhe drejtuar nga vëllezërit Toto.
Nga pyetja e të pandehurve rezulton se Ethemi në Delvinë nuk tregonte mejtime kundra Mbretit, vetëm kundra Abdurrahman Klosit, Musa Jukës, Koço Kottës bânte kritika. Në udhëtimin për në Vlorë Ethem Toto i thotë Ismail Gjylbegut “unë kam qenë më i madhi besnik i Mbretit dhe më thërret tani me më çue në Itali, me më diskretitue, e më ka vu katër pusina”. Ky pohim e bindi Ismail Gjylbegun se Ethemi këtë veprim e bënte për çështje personale.
Kurse i pandehur Xhelal Shtëpani deklaroi: “Sa për qëllimin e kryengritjes, nga sa më ka thënë mue Ethemi, ka qenë me marrë fuqin në dorë e me bâ veten kryeministër e qëllimet e tija mâ të tejshme nuk m’i ka deklarue”.
Me shkresën e datës 7 qershor 1937, Prefekti i Gjirokastrës Zef Kadarja i dërgon Zyrës Sekrete, në Ministrinë e Brendshme, procesverbalin e mbajtur në burgun e Gjirokastrës, më 7 qershor 1937, me të rreshtuemin Ismet Toto, nga ana e Zav. Prefektit Zef Kadarja.
Mbi pyetjet e bëra me porosi të Ministrisë së Mbrendshme, Ismet Toto deklaronte:
“Nuk kam qenë as i shtytun prej kurrkujt, veçse besojsha që Shqypnija nuk mund të bâhet një shtet modern europian duke patur në krye si klasë drejtonjëse të shoqërisë shqiptare memuaret e mbetura nga gremina morale dhe lândore e Perandorisë Otomane. Besoj se duke patur në krye një mbret të ri do të mund të mobilizoheshin energjitë e reja të kombit edhe me koncepsione e parime europiane të shkëputeshim nga mizerja morale e lândore e mbetun trashëgim nga e shkuara jonë fatkeqe edhe të hynim pa humbur kohën në radhën e kombeve europiane të shëndoshë e të pasur e të lumtur. Shokë në këtë fushatë janë të gjithë ata që kanë shkruar në atë kohë.
Me klerin katolik nuk kamë patur këtë fushatë por vetëm një polemikë akademike që filloj krejt pa dashur edhe mori proporcione të mëdha nga isterizma e klerit. Nuk kam qenë as i shtytun as i inspiruem prej kujt në fushatën me klerin mbasi siç kam bisedue edhe me Patër Anton Arapin mâ vonë, edhe kujtoj se e kam bindë, polemika me të filloi krejt pa dashur meqëenëse, siç duket edhe në broshurën, për shumë persona të klerit katolik unë kam respekt.
Neoshqiptarizmën si fjalë e si doktrinë e kanë përhapur më përpara Branko Merxhani, Vangjel Koça e Xhevat Kallajxhiu me shokë të tjerë në Tiranë. Nebil Çika, unë, Odhise Paskali, Ndoc Logoreci, Ernest Koliqi, Asim Jakova, Stefan Shundi, Hamdi Kërçiku, Tahir Gjinali kemi botue revistën “Ilirija“ dhe kemi ndjekur parimet e Neoshqiptarizmës. Ashtu siç e kuptonim neve neoshqiptarizmën, si doktrinë mund ta definoj kështu: një bashkërendim harmonial i energjive edhe vlerave kombëtare me qëllim kryesor që të forcohet idea edhe ndërgjegjja kombëtare, t’arrihet me shpejtësi një shkallë më e lartë mirëqenie ekonomike e popullit edhe jeta shpirtërore e vendit të lartësohet n’ato shkallë që jetojnë popujt e rinj europianë. Kritikat që rastësisht mund t’u jenë bâ disa personave kujtoj se janë bâ sepse ata janë pengime për të punuar në drejtimin që ekspozova mâ sipër.
Data 21 tetor 1935 (formimi i Qeverisë së Mehdi Frashërit- V.H), siç e ka shpjegue në një artikull të gjatë Branko Merxhani në revistën “Ilirija”, që doli atë javë, u konsiderue nga ana e shumicës së djalërisë intelektuale si një ndërrim drejtimi ideologjik e politik i shtetit. U besue tashti se hymë me njerëz me parime në një udhë të re, tue u përpjekur me metoda e koncepsione europiane për ta bërë Shqipërinë mbrenda një kohe të shkurtër shtet të qytetëruem edhe u konsiderue si triumf i oksidentalizmës mbi orientializmin. Branko Merxhani ka shtruar një pyetje në revistën “Ilirija” të muejt nëntor 1935: Ja diktaturë të haptë e të sinqertë, ja demokraci të vërtetë.
Mbas shumë bisedimesh me shokë të ndryshëm, qi emnat nuk i mbaj mend, unë u binda se në Shqipni nuk mund të kemi demokraci edhe për shumë kohë dhe ishte e domosdoshme themelimi i një diktature të shpallur duke i shëmbëllyer pak a shumë diktaturave Hitleriane, Qemaliste e Fashiste. Kjo sipas mendimit tim do të zhdukte edhe çdo propagandë komuniste në vendin tonë. Diktatura e Ndritur do të mbeshtetej mbi organizimin e djalërisë në stilin Hitlerian dhe, siç duket nga projekti që kam paraqitur në Pallat (Pallatin Mbretnor-V.H.), organizimi i djalërisë do të kish një departament të djalërisë zogiste pranë Oborrit Mbretnor edhe do të ish drejtpërsëdrejti nën komandën e Mbretit. Edhe, meqënëse Hitleri ka shtatë milion djem t’organizuem e Musolini gjashtë milion djem t’organizuem dhe me gjithë këtë nuk u ka ardhë ndonjë rrezik regjimeve respektive, s’ka se si dyshohet, pra s’do të kishte ndonjë rrezik regjimi ynë nga organizimi i tridhjetë – dyzetë mijë djemve të vënë nën komandën e një personi aq të lartë e të shkathët sa âsht Mbreti i Ynë.
Sa për pyetjen se kush mendohesh të deklarohej diktator, kjo âsht krejt e pavend mbasi kushdo që dëshiroj edhe u shfaq anëtar i diktaturës së ndritur e deklaroj pa asnjë rezervë se diktator në këtë rast do të ishte vetë Sovrani (Mbreti Zog I -V.H). Mbaj mend se në një artikull âshtë shkruer që gjenija qoftë në formë diktature, qoftë në formë mendonjësi ose artisti mund të lindë aq familje fisnike sa edhe familje të vobekta. Kjo pyetje âshtë tendencioze. Pak nga shkrimtarët e ditës kanë shfaqur sinqerisht si një admirim edhe një respekt ndaj personit të Sovranit sa unë e kam quajtun sintheza mâ ekspresive e fisnikërisë së radhës sonë. Botimi kërcënues në gazetën “Arbënia” kundër paralamentit e Mehdi Frashërit âsht shkrue nga Aleks Mavriqi pa dijeninë time as të Nebil Çikës. Sapo doli gazeta edhe u konfiskue.
Njerëz të armatosur në shtëpi në Tiranë nuk kemi pasur veç një ordinancë të rregullt. Çdo supozim tjetër âsht shpifje e thjeshtë. Tjetër nuk kam për të thânë. Fjalët i vërtetoj me nënshkrimin tim.
Burgu i Gjinokastrës, 7 qershor 1937.
Ismet Toto”.
Ndërsa në deklarimet e tij të mëparshme në procesin hetimor, Ismeti kishte deklaruar:
“Mbas rrëzimit të Kabinetit Frashëri, Ethemi pati një dizulizion të madhë në jetën e tij. Ai kujtonte se i qe lutur Sovranit që ta rikompozonte Kabinetin Frashëri, mbasi ashtu do të mund të punohej ma mirë dhe do të bahej më e madhe dashuria dhe lidhjet ndaj popullit dhe Fronit.
Ethemi, që qysh në 1924 ka qenë në shërbim të Mbretit me detyra të ndryshme me rândësi dhe në të cilat ka shërbyer me patriotizëm dhe besnikëri ndaj Fronit, ja kishte çfaq lirisht edhe me gojë edhe me shkresa Sovranit mendimet e veta. Ndërkohë që ardhja e të vjetërve në fuqi rishtazi i dha Ethemit një tronditje të fortë edhe personalisht, sepse i erdhën armiqtë personal në fuqi, edhe si patriotë, sepse, sipas bindjes së tij, me ardhjen e të vjetërve në fuqi punët e Atdheut morën një drejtim shkatërronjës dhe demoralizonjës.
Ethemi nuk bani kryengritje kundra Monarkisë ose personit të Sovranit, por u ngrit kundra frymës së qeverimit dhe drejtimit që kanë marrë punët e shtetit. Ethemi më patë thanë se, n’arritshim në Vlorë, do të kërkoj të bisedoj me Pallatin dhe do të kërkoj vetëm rrëzimin e kabinetit e me aq do të gjejë një mënyrë për t’i dhânë fund kësaj shamate.
Fakti që s’ka patur asnjë marrëveshje me as ndonjë fuqi e organizatë të jashtme, me as ndonjë nga kundërshtarët e Regjimit jashtë provon se Lëvizja e Delvinës âsht jo një kryengritje në kuptimin leteral të fjalës, por një akt i dëshpruar, një protestë morale, një vet-sakrifikim në të mirën e atdheut të sotëm dhe të nesërm. Qëllimi ka qenë të ndryshohet drejtimi i punëve shtetërore dhe jo të përmbyset shteti. Të këtillë shembull kemi me kryengritjen fashiste e cila, ndonëse erdhi në fuqi me violencë, nuk e cënoj as monarkinë italiane, as famën e shtetit, por ndërroj frymën dhe drejtimin e jetës italiane.
Një lëvizje si e Delvinës, që mbështetet në ato pak armë që ndodheshin aty-këtu nëpër postëkomanda me municione dhe pa municione, një lëvizje që fillon me 60-70 njerëz t’armatosun dhe nuk ka parashikuar të kapërcejë të 300-400 njerëz t’armatosun, duket sheshit se nuk mund të ketë pretendim dhe as qëllim të përmbysjes së shtetit, i cili ka kaq fuqi t’armatosuna në kâmbë dhe ka, aq mâ tepër, fuqitë e Malsivet të Veriut të disiplinuara dhe të bindura e t’armatosuna. Ethemi i njihte fort bukur këto fuqi, meqenëse i kishte pasur dhe vet shpeshherë nën komandë. Masandej fakti që si Ethemi ashtu dhe shumica e pjesëmarrësve në këtë lëvizje kanë qenë persona me shërbime dhe të konsideruar drejtësisht si autorë të Regjimit, provon se lëvizja e Delvinës âsht nji lëvizje mbrenda në sistemin e Regjimit, pa kontakte dhe lidhje me fuqi të jashtme kundra regjimit dhe shtetit. Mund të krahasohet me ato lëvizje që ndodhin edhe brenda partive të shteteve të tjera, fjala vjen Gjermani, Turqi e Itali.
Unë personalisht, deklaron Ismeti, që kam mëse dhjetë vjet që i shërbej shoqërisë shqiptare edhe si nëpunës edhe si shkrimtar, kam mundur të bindem vetë dhe të bind të tjerë se atdheu i ynë do të mund të përparojë edhe t’europianizohet vetëm e vetëm kur klasa drejtuese e shoqërisë shqiptare të jetë e përbërë nga njerëz patriot e me karakter dhe me trut e tyre të formuara prej kulturës europiane. Natyrisht k’si njerëzish gjinden mâ tepër në mes të rinjvet e për këtë shkak unë kam qenë predikonjës i organizimit të djalërisë shqiptare, punë për të cilën kam qenë dërguar nga sovrani jasht shtetit. Duke përfunduar, i pandehuri Ismet Toto thekson se, mbasi pra këto idealet tona ranë dhe nuk u realizuan, unë si vëllaj i Ethemit nuk mund të mos merrja pjesë në këtë kryengritje vetëvrasëse.”
Në procesin hetimor, që u mbajt më datën 28 maj 1937, në burgun e Gjirokastrës, i arrestuemi Ismet Toto, në prani të zëvendësisht prefektit Zef Kadarja dhe major Bilal Nivicës, deklaronte:
“Pas rrëzimit të kabinetit Frashëri, Ethemi i ka thânë Mbretit: – Ky kabinet nuk të bân Naltmadhëni, nuk punohet. Për mue mos mendo, pse unë shkoj prap Qarkkomandant dhe jam në gjendje të bëj për Mbretin atë qi bâjnë oficerat japonez për Imperatorin e tyne, por të lutem Naltmadhëni të mos sillni prapë të vjetrit në fuqi se kishte me shkaktue një dëshprim të thellë në gjithë popullin. Nalmadhënija i është përgjigjun Ethemit: – Unë kam flokët të thinjura në politikë, nuk bâj unë të tilla gabime”.
Po sipas Ismet Totos, kjo e ndodhina të tjera të mëvonshme, Ethemit i suallën një bindje se Mbreti nuk kishte besim të plotë në të dhe se preferonte të ndigjonte mendimet e rrethit të Abdurrahman Matit. Fakti i ardhjes së këtij kabineti në fuqi, fakti i mosnxjerrjes deputet, megjithë premtimin e dhânun, e forcuen definitivisht bindjen se Mbreti nuk e donte ma Ethemin. Kjo për Ethemin ishte dëshprimi mâ i madh, mbasi qysh nga 1924 e gjerë sot gjithë mundi dhe përpjekja e tij e pakursyme, mâ në fund, përbuzej nga intrigat e pallatit.
Ismeti e vizitonte dendur në Delvinë Ethemin dhe, nga mungesa edhe e shoqnisë, gjithnjë e gjente të mërzitun. Një ditë Ethemi i thotë Ismetit:
– Inteligjencën dhe shkathtësinë politike të Mbretit, pak njerëz e kanë në botë, por Mbreti nuk ka vazhdimësi në drejtimet e tija dhe influencohet shumë nga mentaliteti malësor i Abdurrahman Matit. Kështu më shqelmoj mua që kisha bindje të patundur në fuqitë e mija se do t’i bâjsha shumë shërbime atij.
Ndërkohë, në kohët e fundit ishte vu re një levizje njerëzish dibranë në Sarandë e Delvinë. Vëllezërit Toto kishin informata se në Tiranë ishte vendosur vrasja e Ethemit, me ose pa aprovimin e Mbretit. Maliq Bushati u kish çue lajm me anën e Tahsimit, se dy veta ishin ngarkuar dhe paguar për të krye atë punë. Një agjent i Abdurrahman Dibrës në Sarandë, i quejtuni F.P., nga Dibra, bashkë me një dibran tjetër, kishin shkuar në Delvinë, një muej e gjysëm para se të fillonte kryengritja, dhe zënë me qira një shtëpi njëqind metra karshi shtëpisë së Ethemit. Natyrisht kjo shkaktoj një alarm në shtëpi e një mërzitje për Ethemin, i cili nga inati filloj t’i dëndësojë shëtitjet. Nji tok gjâna të tilla formuen bindje se ai ishte i padëshirueshëm dhe konsiderohej i rrezikshëm e pra duhej të zhdukej. Kjo e bindi se nuk do të kishte mâ posibilitet të ristabilizonte nji besim ndaj Mbretit dhe se gjith përpjekja e tij shkoi kot.
Në biseda me Ismet Toton mbi gjendjen e brendshme të shtetit, Ethemi e gjente situatën të dëshprueshme, megjithatë, gjithnjë thoshte që prestigji i Mbretit âsht kaq i madh sa vetëm një fuqi e jashtme mund ta rrëzojë Regjimin. Ai kishte bindje të plotë se çdo tentativë kryengritëse e brendshme do të dështonte patjetër. Dëshirë për të vajtur në Itali nuk kishte dhe tjetër solucion nuk shihte. Kabineti i Koço Kottës i dukej një kabinet me jetë të gjatë, sidomos pas ardhjes së Konte Çianos.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…
Burimet
AQSH, Fondi 152, Viti 1937.
AQSH, Fondi 157, Viti 1937.
AQSH, Fondi 294, Viti 1937.
“Arbëria”, 1936.
“Demokratia”, maj 1937.
Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Tiranë 2001.
Fletore zyrtare nr. 1, 11 janar 1936, dhe nr. 37, 19 maj 1937.
Fjalori enciklopedik shqiptar, “Kristalina-KH”, V.III, Tiranë, 2009,
Ismet Toto, Larg dhe afër, saga e një familjeje, “UET Press”, Tiranë, 2017.
“Miku i popullit”, 28 nëntor 1931.
Veli Haklaj, Kryengritja e Delvinës e vitit 1937, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009.
LEXO EDHE: