Aktualitet

Si u zgjodh Ahmet Zogu Mbret i shqiptarëve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:20 - 31/08/20 |
Nga Shpëtim Axhami*

Nga kronika e kohës, orë pas ore e ditë pas dite, me vendime historike për një sistem legjitim mbretëror.


Për Shqipërinë ishin kohë të trazuara dhe vendi kishte nevojë për burra shteti. Ahmet Zogu kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe i gabimeve të rënda që bënë kundërshtarët. Po të donte ai ishte bërë mbret që në vitin 1924, madje i sigurt ishte në janarin e vitit 1925, por nuk u ngut. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm. Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925). Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e Mbretërive. Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit. Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar. Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjithë hapat e nevojshëm kushtetues.


Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dyja dhomave legjislative.


Më 7 qershor 1928, ndryshimi i Kushtetutës (Statutit)


Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit sipas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente sipas Art.47 të Statutit.”

Më 16 qershor 1928, dekretohen zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese
Në mbështetje të nenit të mësipërm, u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.
Më 17 gusht 1928, bëhet votimi direkt.

Me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë

23 gusht 1928, festë në Durrës dhe në Tiranë ende pa u kurorëzuar
Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike.

Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte. Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë.

Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese

Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri.

Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve (mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00, betimi i deputetëve

Mbledhja e dytë e Asamblesë Kushtetuese, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, nënkryetar; Fiqri Rusi – kujdestar; Ejëll Serreqi – sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit.

Më 29 gusht, në orën 17.00, lexohen letrat e popullit

U zhvillua mbledhja e tretë, ku u lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve.

Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm
Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim në këmbë për Mbretin
U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë.

Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve.

Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

Pse mbret i shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…Dhe pse Zogu i Parë dhe jo Ahmet Zogu

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ashtu siç del qartë!

Vendosje e kësaj forme regjimi, nuk ishte imponim, rastësi apo dëshirë e dikujt, por ishte domosdoshmëri absolute e parapërcaktuar që me Shpalljen e Pavarësisë dhe që në Kongresin e Lushnjës, ku rolin e kryetarit të shtetit e kishte lozur Këshilli i Lartë i Regjencës.
Në këto momente politike të trazuara, në një shtet të ri, ku nuk po gjendej si duhet as stabilitet i brendshëm dhe as i jashtëm, ishte domosdoshmëri dhe e padiskutueshme të vendosej kjo formë regjimi, si thamë më sipër, e parapërcaktuar më parë dhe më e përshtatshmja për ne.

FJALIMI I PARË I AHMET ZOGUT SI MBRET

Dalshim faqebardhë para historisë

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit Shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër. Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit. Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

Koha e lavdishme e bërjes së shtetit modern shqiptarë tashmë kishte nisur.

82 vite nga shpallja e Mbretërisë së Shqipërisë

Më 1 Shtator të vitit 1928 Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e gushtit të atij viti shpalli krijimin e Mbretërisë Demokratike Parlamentare të trashëgueshme në Shqipëri. Duke përkujtuar atë ditë, pretendenti për fronin mbretëror Leka Zog I evokoi sukseset e Shqipërisë gjatë kohës së Mbretërisë së parë shqiptare.

“Mbreti Zog kur krijoi shtetin shqiptar, vuri ligjin dhe i dha popullit qetësinë e begatinë. Monedha dhe pasaporta shqiptare u njoh kudo në botë”, bëri të ditur në një konferencë për mediat, pretendenti për fronin mbretëror Mbreti Leka Zog I. Në konferencën që vjen pas disa vitesh për pretendentin e fronit, Leka Zog I kërkoi bashkëpunim të dy partive shqiptare në prag të hyrjes së vendit në Bashkimin Evropian.

Më 1 Shtator 1928, Asambleja shpalli kryetarin e Republikës, Ahmet Zogu si Mbret të Shqiptarëve. Ahmet Zogu lindi më 8 Tetor 1898 në Burgajet të Matit në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit XV. Pas 1 Shtatorit 1928 u thirr formalisht Naltmadhnia e Tij Zog I, Skënderbeu III, Mbreti i Shqiptareve. I lindur në 8 Tetor 1895 dhe vdekur në 9 Prill 1961, Zogu ishte politikan shqiptar, Ministër i Brendshëm (30 janar 1920–14 nëntor 1920), kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), President (1925-1928)dhe Mbreti i parë i Shqipërisë (1928-1939).

Më 27 prill 1938, u martua me konteshën hungareze Geraldina Appony. Më 9 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria. Një ditë më pas, ai dhe familja e tij u vendosën në Greqi, duke nisur kështu jetën në ekzil, kohë kur filloi organizimin e rezistencës së armatosur. Mbreti Ahmet Zogu vdiq në 9 Prill 1961.

*Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit


Etiketa: ,

Pas