Bota, Dikur, Kryesore

Si vodhi Britania 44.6 trilionë dollarë nga India…

Në Britani qarkullon një histori që thotë se kolonizimi i Indisë, sado i tmerrshëm të ketë qenë, nuk ishte për përfitime ekonomike të Anglisë. Madje, thotë se administrimi i Indisë ishte kosto e lartë për Britaninë. Fakti që prania e Anglisë vazhdoi për aq shumë kohë në Indi, ishte thjesht si pasojë e dashamirësisë britanike, sipas kësaj historie.


Një studim i fundit nga ekonomistja e njohur, Utsa Patnaik, që është botuar nga Columbia University Press, i jep këtij versioni një goditje të rëndë. Patnaik sjell dy shekuj të dhënash, të detajuara, mbi taksën dhe tregtinë. Ajo llogarit se Britania ka marrë rreth 45 trilionë dollarë nga India, midis viteve 1756 dhe 1938.

Shifra është marramendëse, 17 herë më e lartë se PBB e Britanisë sot. Po si ndodhi?

Nëpërmjet sistemit të tregtisë. Para kolonizimit, Britania blinte tekstile dhe oriz nga prodhuesit indianë dhe i paguante normalisht, kryesisht me argjend, siç bënte me çdo vend tjetër. Por në vitin 1765, Kompania e Indisë Lindore mori nën kontroll subkontinentin dhe vendosi monopol mbi tregtinë e Indisë.

Ja se si funksiononte: Kompania e Indisë Lindore nisi të mblidhte taksa në Indi dhe pastaj i përdorte të ardhurat (një të tretën e taksave të mbledhura), për të blerë produkte indiane që do të përdoreshin në Britani. Me pak fjalë, në vend që të paguanin për produktet indiane, tregtarët britanikë i merrnin falas. I blinin nga fshatarët dhe endësit, duke u dhënë para që ua kishin vjelë po atyre nga taksat.

Ishte mashtrim, vjedhje e shkallës më të lartë. Megjithatë, shumica e indianëve nuk e dinin se çfarë po ndodhte, për shkak se agjentët që vilnin taksat nuk ishin të njëjtët me ata që vinin për t’u blerë mallra. Po të kishte qenë i njëjti person, do ta kishin nuhatur.

Disa nga mallrat e vjedhura konsumoheshin në Britani, të tjerat ekspertoheshin tjetërkund. Sistemi i ri-eksportimit i jepte Britanisë mundësinë të financonte importe nga Europa, përfshi materiale me rëndësi strategjike, si hekuri, zifti dhe druri, të cilat ishin thelbësore për industrializimin e Britanisë. Në fakt, Revolucioni Industrial u mbështet shumë te vjedhjet sistematike që i bëheshin Indisë.

Veç kësaj, britanikët patën mundësinë të shesin mallrat e vjedhura në vende të tjera, për shumë më tepër se ç’i “blinin”, duke fituar jo vetëm më shumë se 100% të vlerës origjinale të mallrave, por edhe fitime të tjera.

Kur Raxhi Britanik erdhi në pushtet, në vitin 1847, kolonizatorët i shtuan një ndryshim të veçantë sistemit “takso-dhe-bli”: Ndërkohë që Kompania e Indisë Lindore po humbte monopolin, prodhuesit indianë u lejuan t’i eksportojnë mallrat vetë. drejt e nëpër vendet e tjera. Por Britania u sigurua që pagesat do të shkonin në Londër, gjithsesi.

Si funksiononte kjo? Kushdo që donte të blinte mallra nga India, duhej ta bënte nëpërmjet Kartëmonedhave të Këshillit, një sistem monedhash i emetuar nga Kurora Britanike. Dhe e vetmja mënyrë për t’i marrë, ishte t’i blije nga Londra, me flori ose me argjend. Kështu që tregtarët i jepnin Londrës flori për të marrë kartëmonedha, me të cilat paguanin prodhuesit indianë. Kur indianët i kthenin kartëmonedhat në monedhat e tyre lokale, në zyrat e kolonizatorëve, ata “paguheshin” me rupi që vinin nga sistemi i taksave… para që sapo ishin mbledhur prej tyre. Pra, edhe një herë, ata nuk ishin paguar, por ishin mashtruar.

Londra, ndërkohë, merrte gjithë floririn dhe argjendin që duhej t’u shkonte drejtpërsëdrejti indianëve, në këmbim të eksporteve.

Ky sistem i korruptuar do të thoshte që edhe pse India po bënte një tregti fitimprurëse me pjesën tjetër të botës – me një suficit që në fillim të shekullit të njëzetë do të zgjaste për tre dekada – u shfaq si deficit në përllogaritjet kombëtare sepse të ardhurat e vërteta nga eksportet e Indisë u përvetësuan nga Britania.

Disa e shohin këtë “deficit” të rremë si provë që India ishte barrë ndaj Britanisë, por në fakt ishte e kundërta. Britania po merrte sasi të mëdha të ardhurash që u takonin prodhuesve indianë. India ishte pata që bënte vezë floriri. Deficiti tregonte që India nuk kishte rrugë tjetër përveçse të merrte hua nga Britania, në mënyrë që të financoheshin importet. E gjithë popullsia indiane u detyrua të futet në një borxh të panevojshëm ndaj kolonizatorëve, duke vulosur kështu kontrollin britanik.

Britania e përdori sistemin mashtrues për të furnizuar motorët e luftës perandorake, me të cilën pushtoi Kinën në vitin 1840, dhe shtypi Rebelimin Indian në vitin 1857. Dhe kjo ishte përveç taksës së luftës që Kurora merrte drejtpërsëdrejti nga taksapaguesit indianë. Patnaiku thotë se kostoja e luftërave britanike jashtë kufijve indianë mbulohej kryesisht ose plotësisht nga të ardhurat që vinin nëpërmjet Indisë.

Dhe nuk mbaron me kaq. Britania e përdori këtë lumë parash për të financuar zgjerimin e kapitalizmit në Europë dhe nëpër kolonitë e tjera, si Kanadaja dhe Australia. Pra, jo vetëm industrializimi i Britanisë, por industrializimi i një pjese të madhe të botës perëndimore, u lehtësua nga çfarë vilej prej kolonive.

Patnaik identifikon katër periudha ekonomike në Indinë e kolonizuar, nga viti 1765 e deri në vitin 1938. Ajo llogarit taksat e vjela nga secila periudhë me një përqindje modeste interesi (prej 5%, që është më pak se ajo e tregut). Duke i mbledhur të gjitha, ajo zbulon se totali i marrë nga India është rreth 44.6 trilionë dollarë. Ajo thotë që kjo shifër mbetet e përmbajtur, pasi nuk përfshin borxhet që Britania i krijoi Indisë gjatë regjimit të Raxhit.

Këto janë shifra të stërmëdha. Por dëmi i vërtetë që i ka kushtuar Indisë nuk mund të llogaritet. Sepse po t’i kishte investuar India taksat në zhvillime infrastrukturore, siç bëri Japonia, nuk dihet se si mund të kishte shkuar historia e vendit. India mund të ishte kthyer në një kryeqendër ekonomike. Mund të ishin shmangur me shekuj të tërë varfërie e vuajtjesh.

Të gjitha këto janë shumë ndryshe nga narrativa romantike që kanë reklamuar disa zëra të fuqishëm në Britani. Historiani konservator, Niall Ferguson, tha se regjimi britanik e ka zhvilluar Indinë. Kryeministri Kameron tha se regjimi Britanik ishte i gjithi për të ndihmuar Indinë.

Kjo narrativë ka gjetur vend në imagjinatën e popullit, dhe sipas një sondazhi në vitin 2014, 50% e banorëve në Angli besojnë se kolonizimi ka qenë në dobi të vendeve të kolonizuara.

Megjithatë, gjatë 200 viteve të regjimit britanik në Indi, të ardhurat për frymë nuk u rritën pothuajse fare. Në fakt, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, në kulmin e ndërhyrjes britanike, të ardhurat në Indi ishin përgjysmuar. Mesatarja e jetëgjatësisë së indianëve ra me një të pestat, nga viti 1870 në vitin 1920. Me dhjetëra miliona indianë vdiqën në mënyrë të panevojshme, për shkak të politikave që çuan drejt zisë së bukës.

Britania nuk e ka zhvilluar kurrë Indinë. Ka qenë e kundërta, siç bën të qartë Patnaik: India zhvilloi Britaninë.

Çfarë duhet të bëjë Britania sot, atëherë? Të kërkojë falje? Patjetër. Dëmshpërblime? Ndoshta, edhe pse nuk ka para në gjithë Britaninë për të mbuluar shumën që përshkruan Patnaik. Por mund ta nisim duke e treguar historinë siç duhet. Duhet të pranojmë që Britania e ka mbajtur Indinë nën kontroll jo për arsye dashamirësie, por për hir të fitimeve, si dhe të qartësohet që zhvillimi industrial nuk erdhi thjesht prej shpikjes së motorit me avull, siç shkruajnë librat e shkollave, por prej vjedhjeve të dhunshme që u janë bërë popujve e tokave të huaja.

Jason Hickel, akademik te Universiteti i Londrës dhe anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Arteve

Top Channel

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas