Nga Pëllumb Nako
9 maji, dita e Europës erdhi përsëri dhe po ashtu nëpër kanale të shumta mediatike njerëz të pushtetit dhe të politikës kanë rastin rutinë të flasin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Të bën çudi fakti se me sa kompetencë diskutojnë dhe sa shumë nuk janë të saktë krahasuar me masën e madhe të publikut të vendit. Duket qartë që nuk e njohin gjendjen, ose e refuzojnë ta njohin. Për të qenë sa më neutralë ne shkrim, nuk po jap asnjë gjykim mbi qëndrimet e opozitës, sesa reale është ajo, por lexuesi le ta shohë vetë nëpërmjet një sondazhi të organizuar vitin e kaluar dhe sivjet nga “Qendra për Studim e Demokracisë dhe Qeverisjes” mbështetur nga fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung” sesi venë punët e integrimit në vendin tonë.
Përgjigjet janë befasuese dhe shënojnë një shkëputje të asaj që thotë qeverisja nga njëra anë dhe sesi janë marrë mesazhet e perceptimit publik të njeriut të thjeshtë, nga ana tjetër. Janë intervistuar rreth 1115 persona në gjithë vendin, në zona rurale e urbane, gjithsej në 61 bashki, të gjithë grupmoshave e të të dy sekseve. Përgjigjet e tyre do të mjaftonin për të bërë analizën e qeverisjes, për të diagnostikuar problemet që shqetësojnë vendin si dhe për të dalluar rrugën e duhur europiane të tij.
A e meriton vendi ynë hyrjen ne Bashkimin Europian në këtë gjendje që ekziston sot, apo ky i fundit për arsye sidomos gjeopolitike dhe sigurie të hapësirës europiane kërkon të na fusë në gjirin e tij? Pyetja duket brutale por përgjigjet e sondazhit të bëjnë të mendosh se ka diçka të vërtetë në këtë që thuhet.
Dihet që siguria përbën një nga shtyllat kryesore të integrimit në vendin tonë. Dhe nga të intervistuarit e sondazhit, 45.56 për qind mendojnë se situata e sigurisë për 12 muajt e ardhshëm do të përmirësohet, kurse 44.30 për qind e mendojnë të njëllojtë dhe 8.25 më keq. Pra mosbesimi për përmirësimin e sigurisë në vendin tonë mbetet në përmasat 52,55 për qind duke mos treguar atmosferë optimiste.
Po ashtu, sondazhi shpreh qartë se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk konceptohen si kërcënim për sigurinë individuale por si kërcënim për Shqipërinë. Ndjesia publike është mjaft e saktë, e përputhur tërësisht me mendimin e sociologëve kriminalistë të cilët mendojnë se krimi i organizuar nuk perceptohet si kërcënim individual, por si rrezik i themeleve të shtetit të së drejtës. Qeverisja duhet të lexojë qartë mesazhe të tilla.
Më konkretisht,36.95 për qind e të intervistuarve e shohin korrupsionin si kërcënimin më të madh për vendin, kurse 24.04 për qind shohin krimin e organizuar si rrezikun kryesor për vendin. Në total, 64.04 e shohin korrupsionin dhe krimin e organizuar si rrezikun kryesor të shtetit shqiptar. Të dy këto plagë të rënda për vendin, në bazë të sondazhit konfirmojnë se publiku është i ndërgjegjshëm se ato përbejnë edhe pengesën kryesore të hyrjes së vendit tonë në Bashkimit Europian. Sepse 86.55 për qind e të intervistuarve e konsiderojnë korrupsionin së bashku me krimin e organizuar si pengesën kryesore të hyrjes së vendit tonë në këtë organizëm dhe 9.42 për qind e mendojnë si pengesë, por jo më kryesorja, pra në total 95,97 për qind e të anketuarve e quajnë korrupsionin problem për të hyrë në Bashkimin Europian. Në fakt, këtë thotë edhe Bashkimi Europian.
Po a janë ata të kënaqur me punën e qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?
31.48 për qind shprehen se janë disi të kënaqur nga puna e bërë prej qeverisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, 10.31 për qind janë të kënaqur, 28,97 pak të kënaqur, 28,05 për qind aspak të kënaqur. Pra, sasia e personave që dyshojnë në punën e bërë prej qeverisë, ose që presin më shumë prej saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë në masën 88.5 për qind. Këtë thotë dhe Bashkimi Europian.
Pas anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, 59.1 për qind e të anketuarve mendojnë se situata e sigurisë në vendin tonë do të ndryshojë shumë pozitivisht, 31.21 mendojnë disi dhe 6.19 mendojnë pak. Pra nëse i marrim së bashku të tre shkallët e pozitivitetit, rezulton se 96.47 për qind prej tyre presin pozitivisht hyrjen në BE. Madje 73.09 për qind e tyre mendojnë se edhe sot Bashkimi Europian ka një ndikim pozitiv në sigurinë e vendit tonë.
Por kur do të hyjë Shqipëria në Bashkimin Europian?
26.55 për qind mendojnë pas 5 viteve, kurse 31.75 për qind mendojnë pas 10 viteve, ndërsa 16.32 për qind pas 15 viteve dhe 18.02 për qind mendojnë pas njëzet viteve. Nuk mungojnë edhe ata që mendojnë se nuk do të hyjë fare, pra në masën 5.74 për qind.
Treguesit janë mjaft interesantë dhe bëjnë qartë dallimin ndërmjet dëshirës dhe mundësive reale për të hyrë në Bashkimin Europian. Në total 92.74 për qind mendojnë se Shqipëria do të hyjë, por në një periudhë nga 10 deri në 20-vjeçare siç mendojnë 66.19 për qind e të anketuarve.
Sondazhi flet qartë për problemet që ka vendi ynë, por ndryshe nga gjuha e qeverisjes. Aty dallohet mjaft fort se populli ynë ka dëshirë të hyjë në Bashkimin Europian, po ashtu ai është i ndërgjegjshëm që korrupsioni dhe lufta kundër krimit të organizuar janë pengesat kryesore. Dhe nisur nga dyshimi që kanë për punën e qeverisë mendojnë se vendi ynë do të hyjë vonë në këtë organizëm me gjithë mendimin pozitiv që kanë për impaktin e tij në sigurinë e vendit. Sondazhi flet pastër se problemet që pengojnë hyrjen e vendit në Bashkimin Europian janë shqiptare dhe të qeverisë së tij dhe jo të Bashkimit Europian në vetvete, siç e përsërit prej vitesh e vitesh me papërgjegjshmëri kryeministri ynë.