Aktualitet

Siguria Ushqimore në Shqipëri, në fokus të auditimeve të KLSH-së





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:23 - 31/03/20 |
Agron OPARI*

Dy dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të mëdha në sjelljen e konsumatorit evropian dhe atij shqipëtar, duke përfshirë shqetësime të rritura për sigurinë e ushqimit në lidhje me prodhimet bujqësore, praktikat e përpunimit dhe shpërndarjes së produkteve blegtorale, globalizimin e tregtisë dhe një ndryshim të vazhdueshëm të nevojave dhe pritjeve të konsumatorit për produkte ushqimore të përpunuara dhe të përshtatshme.


Ndërgjegjësimi i shtuar për sigurinë e ushqimit, si dhe ndryshimet në dietat dhe modelet e konsumit kanë tërhequr interesin për të kryer studime të avancuara në lidhje me produktet dhe preferencat ushqimore të “konsumatorit modern”.


Shqetësimet për sigurinë ushqimore kanë nxituar/inicuar shumë hulumtime dhe studime të gjera në lidhje me çështje të rëndësishme të tilla si roli i etiketimit, sistemet e gjurmueshmërisë, roli dhe rëndësia e institucioneve të sigurisë ushqimore dhe monitorimi, duke përfshirë perceptimet e konsumatorëve për sigurinë e ushqimit.


Në fillim të viteve 1990, “siguria ushqimore/produkteve” u përfshi në teoritë e marketingut nën konceptin e të ashtuquajturit “atribute të besimit” në disiplinën e marketingut. Siguria ushqimore dhe e produkteve ushqimore, ashtu si në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim është një atribut i rëndësishëm, por jo lehtësisht i vlerësuar, për shkak të ekzistencës së asimetrisë së informacionit midis hallkave të kalimit të vlerës, ku zinxhiri i vlerës fillon me prodhuesin fillestar ose importuesin kryesor e deri tek hallka e fundit që është konsumatori final, mbi të cilin rëndojnë më shumë pasojat e asimetrisë së informacionit, qofshin këto si në natyrë monetare por më e rëndësishmja në shëndetin e tyre.


Shqipëria ka nivelin më të ulët të sigurisë ushqimore në Evropë, fakt ky që sugjerohet nga një raport i lëshuar nga Ŵord Bank, sipas të cilit hendeku midis nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit të vendit është shumë i lartë. Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër apo Ballkanin Perëndimor nuk ka një hendek kaq të madh, që do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është prezente. Ndërkohë, indeksi i sigurisë ushqimore për ushqimet me burim shtazor, e rendit vendin tonë të fundit në Evropë me 40 pikë, 35 pikë më pak se Serbia, e cila shënon mesatarisht 75 pikë, pra shumë më e lartë se Shqipëria.

Nëse në vendet e zhvilluara të botës, ditët e sotme po punohet me ritme të intensifikuara drejt garantimit të produkteve ushqimore të shëndetshme, në shumicën e vendeve në zhvillim, përfshi Shqipërinë, siguria e ushqimit mbetet sfidë dhe beteja me të kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjitha palëve të interesuara. Garantimi i sigurisë ushqimore është një proces kompleks, përmbushja e të cilit realizohet nëpërmjet qasjes së integruar, e cila përfshin kontrollin e kultivimit, përpunimit, prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore.

Për sa më sipër lind pyetja, sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë për produktet që konsumojnë?

Duke u vendosur/dimensionuar në kontekstin e situatës kritike në të cilën ndodhet dhe po përballet vendi jonë për afërsisht një muaj për shkak të pandemisë botërore COVID-19, siguria ushqimore merr një rëndësi akoma edhe më të madhe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. “Beteja ekzistencialiste” që po zhvillon jo vetëm Shqipëria por e gjithë bota kundër pandemisë duhet të jetë një kambanë e madhe alarmi dhe njëkohësisht reflektimi i përgjithshëm, që pavarësisht sistemit dinamik të ekonomisë ku ndodhemi, e ku çdo kompani e shtet mbahen në këmbë nga fitimi, ku prioritet mbi çdo objektiv duhet të vendoset jeta, shëndeti dhe mirëqënia e qytetarëve.

Audituesit e KLSH edhe pse nuk e kanë objekt direkt të punës së tyre, kanë kohë që e kanë ngritur si shqetësim çështjen e sigurisë ushqimore duke ngritur pikëpyetje se cfarë produkte po importohen e po hyjnë në tregjet, sofrat dhe shtëpitë tona. Siguria ushqimore lidhur me produktet e mishit që importohen në vend janë disa nga çështjet mjaft sensitive dhe me interes të lartë publik të cilat janë ngritur nga Institucioni i KLSH. Çështjet këto me ndikim në shëndetin dhe mirëqënien e konsumatorëve shqipëtar, por që deri tani ka mbetur pa zgjidhje sepse rekomandimet dhe sygjerimet e ngritura nga KLSH në raportet e auditimit nuk janë marrë në konsideratë për të ndryshuar situatën.

Gjatë auditimeve në degët doganore si pjesë normale e vijimësisë së punës së institucionit të KLSH, janë vërejtur mjaft problematika në importimin e produkteve dhe nënprodukteve ushqimore të mishit. Zanafilla e këtyre problematikave, daton në vitin 2016 ku miratimi i shkresave nr. 1945 prot., datë 25.01.2016 “Mbi zhdoganimin e artikullit “mish” me origjinë EU” dhe nr. 2344 prot., datë 28.01.2016 “Mbi zhdoganimin e artikullit “mish” me origjinë US dhe Kanada” është shoqëruar edhe me ndryshime në çmimin për njësi të deklaruara nga ana e subjekteve për artikujt e kapitullit “02” “Mishi dhe nënproduktet e tij” me origjinë EU, SHBA dhe Kanada, (për më tepër transaksioni i artikujve është kryer në zonat e lira ose off-shore), më konkretisht:

Krahasuar me të njëjtën periudhë janar-gusht të vitit 2015, gjatë vitit 2016 subjektet kanë deklaruar çmime më të ulta blerje të mishit nga të njëjtat vende të origjinës. Nga të dhënat rezulton se çmimi mesatar, ku në total për gjithë sasinë e artikujve të klasifikuar në kapitullin “02”, çmimi mesatar ka rënë nga 169.9 lekë/kg  në 141 lekë/kg ose 28.9 lekë/kg më pak.

Nga auditimi i deklarimeve në sistemin ORACLE për vitin 2016 ka rezultuar se kemi pasur një rënie të ndjeshme dhe të menjëhershme të çmimit për njësi krahasuar me vitin 2015 nga të njëjta vende origjinë si dhe nga të njëjtët eksportues, ku kjo rënie e pajustifikuar e çmimit dhe pa arsye objektive të mirëfillta, është thelluar akoma dhe më shumë gjatë vitit 2017 krahasuar me vitin 2016, duke vijuar edhe në vitet pasardhëse, ku i njëjti produkt, nga e njëjta origjinë dhe nga i njëjti eksportues paraqitet në çmim shumë ulët referuar të dhënave të disponueshme dhe pjesa më shqetësuese është fakti se madje në shumë raste nën çmimin e plehut organik.

Konkretisht nga raportet dhe verifikimet e audituesve të KLSH, nga muaji Janar 2016, konstatohet një ndryshim i dukshëm dhe renie e pajustifikuar e çmimit të deklaruar dhe transaktuar për produktet e mishit të importuara, ku  çmimi i transaktuar është 0.22 – 0.41 €/kg. Madje nga verifikimi rezulton se çmimet e deklaruara dhe transaktuara të artikujve në sistemin ORACLE, rezultojnë edhe nën çmimin e plehut organik, ku çmimi i transaktuar i të cilit është 0.3 – 0.41 €/kg. Gjithashtu nga verifikimet në sistemin ORACLE rezultuan se në vlerë statistikore artikulli pastë pule, krahë pule dhe kofsha pule, me vlera doganore të transaktuar në intervalin 42-66 lekë/kg, rezultojnë shumë më ulët se vlera doganore e plehut organik, ku vlera doganore e transaktuar e të cilit është në intervalin 72-73 lekë/kg.

Kjo rënie drastike dhe e menjëhershme e çmimit të produkteve ushqimore të mishit, e pashoqëruar me shkaqe objektive dhe e pajustifikuar me llogjikë ekonomike dhe financiare, mund të përkthehet vetëm në ulje të cilësisë së produkteve që konsumojnë konsumatorët. Dhe me të drejt ngrihet pyetja se cfarë produkte ushqimore realisht po importohen në vendin tonë? Sa të mbrojtur janë konsumatorët shqiptarë nga ushqimet që konsumojmë?

Garantimi i sigurisë ushqimore është një proces kompleks, përmbushja e të cilit mund të garantohet vetëm nëpërmjet një qasje të integruar dhe fuqizim të institucioneve shtetërore që veprojnë në fushën e sigurisë ushqimore duke kërkuar implementimin dhe zbatimin e politikave evropiane për një nivel të lartë të sigurisë ushqimore, si një nga sfidat dhe betejat më të rëndësishme që ka lidhje drejtëpërdrejtë me jetën dhe shëndetin tonë.

Auditues i Lartë në KLSH*


Etiketa: ,

Pas