Aktualitet

Sikleti me mësuesin e gjimnazit, ministren për Europën e ca të tjerë









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:59 - 22/01/21 |
Genc Pollo*

“Fremdschämen” është një fjalë gjermanisht e cila, me sa kam parë, nuk ka ekuivalent njëfjalësh në gjuhët europiane përfshi edhe shqipen. Kur duan të thonë Fremdschämen autorët në anglisht a frëngjisht shpesh e përdorin këtë term të huaj siç e shkruajnë gjermanët.



Fremdschämen është ndjenja e sikletit apo e turpit kur ti sheh sesi një i njohur a miku yt vihet në pozitë të turpshme a të sikletshme shpesh pa e kuptuar vetë. Për shembull po të rastisi të shohësh një mësuesin tënd të gjimnazit, të cilin e kujton me respekt, se si e tallin me zhurmë kalamajtë e lagjes kur kalon rrugës i pirë xurxull e me pantallona të lagura duke mos gjetur dot shtëpinë e vet.


Fremdschämen ishte fjala që më ra ndër mend kur pashë se ministrja për Europën, mbas një videokonference me ambasadorët e BE, postonte në twitter se “Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet!“. E më pas shtonte se ishte optimiste se BE do e mbante fjalën dhe të vendoste për kuadrin e negociatave dhe Konferencën Ndërqeveritare këtë vit, duke e mbyllur me apostrofimin fundor “Siç premtuan!”




Dy rreshta paksa të lodhshëm mbi të pavërtetën e ministres:



Për kuadrin e negociatave kushtet për t’u përmbushur janë nëntë:


1- proçesi penal kundër ish magjistratëve që dyshohen për vepra penale (realizimi: tek tuk por asnjë rast në lidhje me vetingun);

2- proçesi penal kundër votëblerësve (realizimi: disa minipeshq në Peshkopi, ndërsa peshkaqenët ende me imunitet);

3- proçedimi penal i avancuar i politikanëve të lartë për korrupsion e krime (rezultati: kujtoni Sajen mbi kalin e bardhë);

4- zbatimi i ligjit zgjedhor (rezultati: do të shihet mbas 25 prillit);

5- vendimi final mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të qershorit 2019 (rezultati: hiç akoma) e kështu me rradhë.

Për Konferencën Ndërqeveritare kushtet janë gjashtë:

1- reforma zgjedhore sipas OSBE-së (rezultati: e prishën njëanshmërisht ndërsa kryesonin OSBE-në);

2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë (rezultati: pavarësisht se çfarë thonë shqip e anglisht e megjithë avancimin asnjë nga të dyja gjykatat nuk është vërtet funksionale pasi nuk kanë ende numrat e duhur për vendime formale e legjitime);

3- ligjet e medias sipas Komisionit të Venecias (rezultati: asgjë! Raportin e Venecias e mbajnë në sirtar prej 7 muajsh për të luajtur cic mic); pak a shumë kështu edhe kushtet e tjera.

Ndoshta dikush do e gjejë krahasimin e mësuesit të gjimnazit me zonjën në fjalë si të pavend. Do t’i thoja se turpërimin “Fremdschämen” nuk e ndjej dhe aq për aksh person por në rradhë të parë për ofiqin e Republikës. Gënjeshtra, arroganca e paturpësia zyrtare ka arritur maja të panjohura në qeverisjen rilindiste. Por muajt e fundit, me Ramën në krye, ato po bëhen mesazhi bazë ndaj Europës.

Lexo edhe :  Von der Leyen: E ardhmja e Shqipërisë, Europa

Dikush tjetër ndoshta do të më pyeste nëse ndjej Fremdschämen edhe për ambasadorët të cilëve u duhet të dëgjojnë broçkulla të paturpshme nga ministrja jonë. Në një farë menyre po. Megjithëse Delegacioni i BE deklaroi njëkohësisht me ministren se duhej akoma punë për hapat e tjerë drejt negociatave si dhe kujtoi ndihmën në miliona Euro për pandeminë (gjë që shefi i ministres e bën hasha çdo tre ditë).

Por në një farë mënyre Fremdschämen për ta mund të jetë edhe i pavend. Ata janë rrogëtarë e bejnë punën e tyre në interes të shtetit që përfaqsojnë. Ditën kur Rama ofendoi Francën ambasada frënge reagoi vrik e shpuzë. Mbasi Rama për dy javë rresht e bëri helaq Komisionin Europian reagoi edhe Delegacioni në Tiranë. Edhe pse më avash e më butë, por reagoi.

Broçkullat e ministres ndoshta fyejnë inteligjencën e diplomatëve europianë që u bie t’i dëgjojnë ato; por në thelb ato janë ofendim për publikun vendas. Unë nuk pres që diplomatët të braktisin misionin e tyre primar e të angazhohen në mbrojtjen e namuzit të shqiptarëve! Nuk kanë arsye t’a bëjnë! Edhe nëse duan, nuk jam qind për qind i bindur që është e këshillueshme. Në logjikën e shteteve të tyre, Shqipëria e të tjerët në Ballkanin Perëndimor, mundet të bëhen pjesë e BE-së; kur të përmbushin kushtet! Jo se duhet me doemos të bëhen pjesë. Prandaj nëse qeveritë tona i gënjejnë për kushtet diplomatët thjesht mbajnë shënim. Dhe mendojnë se mirë janë aty ku janë.

Për sa i përket integrimit të vendit tonë në BE, zyrtarët europianë, sipas meje, ndahen në dy lloje: në ata që insistojnë rigorozisht për kushtet sepse mendojnë që përmbushja e tyre është në dobi të BE-së së pari e të Shqipërisë së dyti; si dhe në ata që duan të përshpejtonë integrimin me motive gjeopolitike dhe për kushtet mbyllin njërin sy; me mendje të lehtë se për demokraci e shtet ligjor “folim mbrapa”.

E kam thënë disa herë në Kuvend e shkruar po kaq herë: këta të fundit janë miq e aleatë të Ramës, por pse jo, edhe të Shqipërisë; ata të parët janë miq e aleatë të një Shqipërie Europiane.

*Ish minister e deputet

1


Etiketa: , ,

Pas