Mapo Letrare

Sikur…







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:36 - 04/10/20 |
Nga Pjaver Kroni

Tani…
krejt do ishte ndryshe
kjo tavolin, muret
e zhurmat nga dritarja…


Njimend, do ishte ndryshe
Madje
buz ders do të vinin zana
sikur…
na qeshim përsëri


Tani..
as un, as ti, as kjo poezi…



Por
unë ta du edhe heshtjen
vetmin
kët bised të madhe…


Mund ti mbyll syt me tulla
po të du
Ndërsa dritaren…


Ah, dritaren… Hapun do ta la
të pres, ardhjen tande…

Sikur…

2- Asaj…

Seç ndjej diçka, që m’lexon ngadal
n’asgja
përmendem, duhem, druhem, urrehem
edhe ma…

Ndjej…
dikush po m’mendon, me kujdes
rrëmbehem ndër gishtat e letrës
e digjem
nji harres dhe befas nji kuptim
mbi shkallët mike…

– Oh, ju njerëz që qeshni burrin tek vun
vritmëni tuj m’shpëtu
tjetër s’munda t’isha, veçse i dashurum…

Gjejeni pra, kush jeton mu pa m’pyetë
Gjejeni…

E nëse gjithçka do t’gjeni, jan… ajo
t’i thoni…
ishe agu i par, ishe këmbana e mbrame

Pastaj po…
Le të mbarojn yjet, e si lypsar mëkatesh
pambarim të endem me balt n’për qiell
tuj derdh mbi lulet – Jetova njiher
aromën fatale
të saj…

3 – Bab’s

Mbas nats t’syve tuj, midis teje e drits
rujtun rruga jeme prej rrudhash të shtrime

Ti je n’syt e mi, bab

M’prin si paqe, zhgjet mes pemve t’nalta
tek qielli t’ndjek tej shtigjeve t’dhimbjes
lodhem un, ushtri e përkdhelun… ndiej
dielli pushon, mbi supin tand
Hero i zemrës teme…

Ti m’drejton frymën, bab

Me krah mbush shtegtimi jem
yje vizat e bardha t’kryqzimeve
Her gjeth’, her shkamb mbi gjuj’t e mij
ur e thell dashnia jote e qet
nga loti n’lot, hapi jem mos m’u vra

Ti m’rrjedh nëpër gjak, bab

Si urrejtja për mall, bora përmbi nat
fjalët pa than lum që rrisim bashk…

Madhnisht e përgjithmonë n’ty…
pasosun…
si ecja jonë… n’gjakun tem
bab…

4 – Dashni pa nesër…

Fjalt flasin pa fjal
e bien leht si han
prehun mbi mur

Rand si frym ndër buz
si syt n’sy, pushojn
drithmat ndër supe
yjeve mbi ne

E ambël sa duhet
sa duhet e ftoft
çmendunisht tunduse
rend frikshëm në koh
si andërr e rrëmbyme
mbi nji nat pa gjum…
Sa duhej e bukur
do t’ishte kjo dashnia jon

Por tash… vec lot vetmie
se nesër, ma nuk ka…

Ndër muret prej stinësh
t’arsyes mbi shpirt
si do hije mbi buz
puthjesh me ty …
ti mban pezull nji ankth
sa duhet vrasës
kufijsh t’ndalum
e tashma t’pim me fund
që m’rrethojn si unaz
e dikuj… që s’jam un…

Sa s’duhej
e pamundun
kjo dashnia, jon…

5 – Dashuni

Kisha frikë me t’pasë se kisha lindë me t’humb…
Ishe, tepër

Por na u takuem
të flitnim për vetminë
ku pa faj nuk ishe ti, as ajo
as un që po gaboja

Vërtetë…
na mjaftoi nji çast errësinë
e i shuem dyshimet tona
teksa Zoti im i brishtë
ndizte pishtarë besimi

Teh m’teh, e drejta gënjehet lehtë
por tash që jam i dekun
ti ishe…jetë

Si Zoti yt që tash asht ngrysun
larg ndrin qielli
mungojmë bashkë, qeshim fare
sikur të huej që ma nuk jemi
gjimon ky imazh i katërt
stolisun
si t’parën andërr ti vishesh ëngjëll
e mbush ajrin lamtumirë…

Kisha frik me t’pasë se kisha lind me t’humbë…
Ti ishe
dashuni…

7 – Vizatim…

Dy gota të mbushuna me natë
buzë oxhakut, avuj t’ngrohtë
petalet, flakë n’tavolinën e drunjtë
Jashtë, pemët u bien violinave…

Në fund krejt, vizatoi shkallët

Atëherë ai u ngjit pa frymë
çeli ambël derën prej malli
dhe jashtë la vetminë, e lirë
të ikte , përgjithmonë…

– Mirmbrama princesha ime

Njiherësh, ajo fshiu sytë
buzët, pastaj shkallët
mbylli derën
dhe hodhi vizatimin në qiell.

Nata ktheu të flinte mbi lot
e bora të digjej mbi oxhak…

8 – Luli i parritshëm…

– Çfarë ban afër makinës teme mistrec… !?!

Sepse veç të mirët kanë makina t’bukra zotni…
Unë shes andrra zotni,
a e don nji andërr?

Ato me lumtuni i kam lirë,
ato me lekë janë ma shtrenjt zotni
Sepse,
nuk shoh shpesh andrra me lekë, zotni?

Ne t’varfënve na kushton ma lirë me kenë t’lumtun
Na jena të varfën, i thotë nana motrës teme t’vogël…
ndaj për pak lek, mund të t’nap nji të lumtun

– Hiqmu sysh, ti dhe andrrat tueja…

Shes, andrra zotni, shes andrra
Në mos paç lek me ble lirë nji me lumtuni
po t’shes lirë nji andërr me lek
e po ta fal nji me dashni…

Zotnia u largue pa i’a pague nji andërr…

Vogëlushi i varfën me sytë e zez
u kthye me xhepat plot me andrrat e pashituna
e me lotë n’sy, puthi motrën e vogël n’ballë
dhe shkoi me fjetë

Atë natë, pa dy andrra:
që kishte ra me fjetë pa hangër
dhe zotninë që nuk i fali pak qindarka per t’i çue te shpia.

T’nesërmen doli prap me lypë, por nuk e mori andrrën me zotninë e djeshëm.
Atë e rujti për vedi, bashkë me ftyrën rrumbullake e të shpërlame
t’zotnisë t’pasun me lek e t’varfën me dashni …
Ishte andërr shumë e shtrenjtë për ta ble burrat
që kanë veç lekë…

9 – Pika shiu
nji pikë ktu, nji pikë atje…

shiu dyndet mbi heshtje
e mbush gropat e mendimeve
kuptimet mbyten në nji pikë ujë

njerëz që premtojnë, vozisin mbi pellgje fjalësh
erën e kan mbar…

rrëke malli bahen dete harrese
lotët nuk dinë të notojnë

qielli k’putet prej syrit, tek drita bie e lagun
diellin e kanë blerë gënjeshtrat

për dikë, i ambël ky shi
anijet e andrrave nuk shtijnë kurrë ujë

për dikë, i njelmt ky shi
si heshta t’befta mbi supe t’brishta

për askënd, asgja ky shi
si nji pjatë supë, për t’verbrin
që mungon veç dashni

nganjiherë, edhe fjalët dyshojn

shumë të turbullta kto pikla shiu
sa hapat e mi shkruajnë gjurmët e veta

Më përhumb ky peisazh shiu
nji pikë këtu, nji pikë atje
pa ditë rrugën
si iluzioni
i lumtunis

10 – Nuk e di se si të dua

vërtet,
mos më pyet,
mund ta pikturoj zanin tand,
me ngjyra
dhe nji tel yjesh mbi ballkon të hanës
ku t’pushojë,
mund edhe të thur një nadje pranvere
me aromën tande
lumtunisht të vrapoj symbyllë nën këmish
si i parritun ndoj’her
prej syve t’mi n’sytë e tu, krejt pa mend
e pa u rrëzu,
më ke mësu, edhe me ty me u kuptu
në mes të tjerëve, edhe kur mu
prej teje asht largu

unë lind prap sa herë ti hap sytë,
e ma s’perëndoj
se dhe t’mos vdes kur m’buzëqesh,
…më ke llastu

“kjo tavolinë e vjetër, libra pa kopertinë,
dje, sikur, sikur dikur ajo urë…
megjithatë, edhe nëse, sepse
si n’errësinë hesht ajo komodinë…
nji kornizë malli e lule të mbetuna borxh,
Një flok i bardhë mbi rrugë pa nesër
buzë një shisheje të hapun gabim,
dhe nji krahën të rinisë n’sirtarin e lashtë
…bashkë me orët e pendueme ndër kthime”

mund t’i vë flakën Bunës
sepse dua
dhe ta shuaj më pas me Dri
për ty
mund të harrohem duke jetue tek unë
e të përmendem shtrëngueshëm
tek ti

por vërtetë …mos më pyet …
sepse nuk di, nuk di të t’them, se si të dua…


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas