Editorial

Sikur COVID të kish ardhur shtatë vjet më parë!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:57 - 15/09/20 |
Nga Armand Maho

Në spektaklin që mbajti në zyrën e tij me ish-ministren e Arsimit, Besa Shahini, të bërë meit në fytyrë nga pabesia në ditën e parë të shkollës, Rama tha diçka që u kalua si pa u vënë re në rrokopujën e përditshme mediatike dhe politike që si burim kanë godinën ku ai drejton.


E mendoj shpesh, dhe lavdi Zotit që Covidi nuk erdhi shtatë vjet më parë, se s’mund ta imagjinoj çdo kishte ndodhur”, tha Rama.


Një frazë e përdorur shpesh gjatë muajve të pandemisë, dhe e futur sërish si pykë në ditën e shkarkimit të ministres së tij të “suksesshme”.


Por vërtetë, çfarë do të kish ndodhur në rast se Covidi do kishte ardhur shtatë vjet më parë, dhe a duhet t’i jemi mirënjohës njeriut që premtoi parajasën në atë mot? Faktet janë kokëforta! Dora e Edi Ramës nuk rezulton të ketë qenë aq e ngrohte dhe e butë me ata që robtohen tërë ditën e lume për të mbajtur frymën gjallë, se me oligarkët dhe ata që i shkojnë pas “berihajit”.


E vërteta është se virusi para shtatë vjetëve nuk do të na gjente me 430 milionë euro koncensione në shëndetësi, që ngjajnë më shumë me një megavjedhje se shërbime ndaj atyre që kanë nevojë. Në atë kohë do kishim dhe ato 153 milionë euro arbitrazhit, që do na duhet të paguajmë për shkak të veprimeve inatçore me sfond korruptiv të Ramës. Në total do kishim hiç gjë; 600 milionë euro më shumë, pa folur për të tjerat.

Koronavirusi në 2013-n do të na gjente me 800 mjekë e 3000 infermierë më shumë, që i mungojnë sot sistemit. Të emigruar pikërisht si shkak të politikave të “begata” të Rilindjes. A nuk ishte po ky kryeministër që në emër të shtetbërjes, i sulmonte mjekët nga mëngjesi deri në darkë si të ishin kriminelë, duke i futur në lloj lloj listash të “zeza”, që si provë të vetme kishin llomotitjet e militantëve të tij? A nuk ishte ky që ua mërziti vendin e tyre profesionistëve të fushës, jo vetëm se nuk u rriti asnjëherë pagën, por dhe me testimet e kota, fyese dhe poshtëruese që shpikte ministri i tij në atë kohë?

Ramës duhet t’ia kenë thënë se çfarë ndodh te spitalet COVID 1 dhe COVID 2. Gjendja është katastrofë. Mjekë dhe infermierë të stërlodhur, s’ka kush t’i zëvëndësojë. Vrapojnë sa tek një pacient tek tjetri të veshur kokë e këmbë nëpër korridore e dhoma në vapën mbytëse të spitaleve. E pra, para shtatë vitesh kjo s’kish pse ndodhte.

Shqiptarët e 2013-s ndoshta nuk do të kishin përjetuar atë “picir” të atyre muajve të karantinës, në një kohë kur shifrat e të prekurve ishin në minimumin e tyre, ku një vendim i mëngjesit nuk vlente për në mbrëmje dhe ai mbrëmjes ishte anulluar të nesërmen në mëngjes, me vetëm një fjalë nga ekrani i ERTV. Ndoshta nuk do të kishin një kryeministër, që përmendte vazhdimisht rolin e babait dhe ndryshonte sjellje sipas gjendjes shpirtërore që i shkaktonin sarajet e Surrelit, që nuk do të përdorte pandeminë për tendera korruptivë, dhe në mes të qametit e ka mendjen se si të dorovisë miqtë e tij me troje ndërtimi si ajo e teatrit.

Fatkeqësia e këtij populli është se COVID -19 dhe tërmeti i 26 nëntorit ra në kohën më të papërshtatshme të mundshme, në vitin e fundit të qeverisjes së Rilindjes. Kur buxheti i shtetit është dërrasë dhe forma e menaxhimit të të ardhurave publike është skandaloze; kur fondet nuk arrijnë të alokohen, pasi shtetet donatore janë skeptike në lidhje me menaxhimin e tyre; kur në shtatë vjet s’ka pasur asnjë investim të huaj, dhe numri i atyre që përjetojnë varfërinë në këtë vend ka arritur në 48%. Tërmeti dhe pandemia janë dy fatkeqësi që nxorën cullak paaftësinë e një qeverie, të drejtuar nga një njeri që Shqipërinë e sheh vetëm nga syzet 3D të Facebook-ut të tij. Ndoshta ishin dhe një paralajmërim për shqiptarët, si për të treguar se gabimin që bënë 2013-ën, nuk duhet t’a përsërin më në 2021-in.


Etiketa: , , , ,

Pas