Mapo Letrare

Simultantja e shkrimtarit






               Publikuar në : 13:11 - 22/09/19 |
Nga Kosta Nake

Nga Kosta Nake


Simultantja e poetit dhe shkrimtarit



(Bisedë e një grupi devollinjsh me Dritëro Agollin, në tetor 2011, e pa botuar më parë)

Kosta Nake (gazetar): Në datën tuaj të lindjes janë numrat 13 dhe 31. A jeni supersticioz me numrat?

Dritëro Agolli: Unë nuk besoj, unë jam ateist. Unë i besoj materies, atyre gjërave që shoh dhe ku vë këmbën. I besoj dritës dhe errësirës, ujit dhe zjarrit, bimëve dhe qenieve të gjalla; mbi të gjitha i besoj njeriut dhe zemrës së tij. Megjithëse zemra është e mbuluar e nuk ka ndpnjë xham për ta parë, ajo ka një veti që e bën atë të tejdukshme. Mbase kjo më bën të besoj te kjo materie filozofike, te njeriu i cili, që kur lind e deri sa vdes, përpiqet të mësojë. Por poetët dhe prozatorët besojnë te jeta e përtejme, njëlloj si ata që besojnë te Zoti. Kështu shkrimtarët, piktorët, kompozitorët janë fetarë sepse besojnë te poezia. Piktorët e kompozitorët janë më afër poezisë. Poezia nuk tregon shumë, nganjëherë edhe nuk tregon. Megjithëse nuk jam besimtar supersticioz, jam supersticioz për këto të tjeart që lidhen me letërsinë dhe artin.

Kosta Nake: Ç’do të thotë të jesh 80-vjeçar?

Dritëro Agolli: Vjen një ditë dhe vërtet plaku rëndohet shumë. Ka disa që kalojnë një pleqëri jo të këndshme nga shëndeti. Mund të shfaqet skleroza, të dalësh nga shtëpi e të mos dish të kthehesh. Por ata që dinë të punojnë mirë, dinë ta largojnë sklerozën nga vetja. Skleroza vjen tek ata që nuk e vënë në lëvizje as trupin, as trurin. Në Devoll ka pak sklerozë, se atje njerëzit punojnë shumë. Që i vogël jam mësuar të mbjell misër. Babai hapte brazdën përpara me qetë, unë hidhja farën pas tij. Ndonjëherë më shante se hidhja shumë misër. Po më mirë shumë se pastaj e rrallon; po doli rrallë çfarë do t’i bësh? Kurse prashitjen e kisha frikë se mos ua prisja rrënjët bimëve.

Plak do të thotë edhe të të dhembin kockat, do të thotë ta parandjesh se po të vjen fundi. Po ai që e di si është ndërtuar jeta, nuk ka frikë. Se dhe toka nuk është e përjetshme. Këtu është vendi për të folur ca më shumë, po plaku është llafazan dhe nuk i mat shumë fjalët.

Kosta Nake: A mendoni se ka ndryshuar largësia midis Menkulasit ku u lindët dhe Tiranës ku jetoni e punoni?

Dritëro Agolli: Jo nuk ka ndryshuar fare. Edhe sikur të isha në Paris apo Nju Jork, në Kamçatkë apo andej nga Australia,

Vendlindja ime është e saktë

Dhe s’le dyshim më pas,

Ku linda unë kish një kaçkë

Në fshatin Menkulas.

Po njeriu ka një të mirë që udhëton, në këmbë apo me mjete dhe kthehet sërish në shtëpinë e tij. Qeniet e tjera nuk e kanë të zhvilluar këtë ndjenjë, e kanë më shumë instikt. Mund të vijë një kohë që dhe Bilishti të ketë aeroportin e tij dhe Menkulasi do të jetë më afër me Tiranën. Edhe biletat e udhëtimit do të jenë më të lira.

Bashkim Gjoza (poet): Kur dhe si e keni soditur natyrën në funksion të lirizmit tuaj?

Dritëro Agolli: Unë që kur kam lindur, kam qenë në aleancë me natyrën. U linda kur po këndonin gjelat e dytë. Kënduan gjelat, nuk ra boria e ndonjë makine, as nuk këndoi hoxha, se në Menkulas nuk ka patur xhami, ishte e rrënuar atëherë. Kontaktin me natyrën e kam patur me lulet që çelin, me bajamet që fillojnё të parat, pastaj me qershitë e mollët. Lumin e kam vështruar nga sipër duke e kapërcyer me nogallka. Aty kam parë edhe arixhofkat që vinin për të bërë shporta e sepete. Zogjtё i kam njohur përmes bilbilave që këndojnё në mëngjes dhe në mbrëmje.

Saramango, një poet latinoamerikan kujtonte se si ai ati, kur e ndjeu se do të vdiste, shkoi në mbrëmje në kopsht dhe i përqafoi të gjitha pemët. Kaq shumë e donte natyrën me gjelbërimin e saj! Dhe të nesërmen vdiq. Edhe im atë, kur erdhi në apartamentin tonë, merrte një kërcu të trashë dhe sëpatën e zbriste poshtë për ta gdhendur. “Ç’ke që rri me atë kërcu? – i thoja. – Lëre fare!” “Më hanë duart për punë, more bir, – ma kthente.”

Luan Palla (mësues): Si kanë qenë marrëdhёniet e Dritëroit me njerëzit në këndvështrimin tuaj?

Sadije Agolli: Dritëroi nuk ka qenë njeri dogmatik. Ja vështroni jetën private të tij. U martua me një ruse dhe rrethanat e ndanë prej saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, u lidh me mua që kisha probleme me biografinë. Ai ishte një nga komunsitët e parë ndër gazetarët, kurse në familjen time jo vetëm që s’kish asnjë komunist, por xhaxhi im ishte dënuar. Ditën e damës, veshur me fustan të bardhë, u ktheva tek ai sepse vuante nga tuberkulozi. Shkova e putha atë dhe kjo ishte një sfidë, sepse u mblodhën të gjithë të sëmurët që ishin aty. Dhe qava deri te ura e Bunës ku Dritëroi më tha t’i prisja lotët.

Bashkim Gjoza: Cilët janë poetët dhe prozatorët tuaj më të dashur?

Dritëro Agolli: Prozatori më i dashur për mua është Tolstoi, kurse si poet Hygoi, sepse kanë kapur një gamë të madhe të jetës politike e shoqërore. Ka dhe të tjerë që e kanë bërё këtë, po këta të dy e kanë bërë më bukur dhe nuk harrohen.

Bashkim Gjoza: Sa e bukur është ajo poezia e Hygoit për Pavlin e vogël!

Dritëro Agolli: Ka dhe një poezi për një grek të vogël. Nga poetët tanë Naimi është i pavdekshëm, lirik dhe epik. Po mbi të gjitha atdhetar. Sa herë kalon nëpër pyje e male s’ke si të mos kujtosh vargjet e tij:

“O malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë,

Fushat e gjera me lule që ju kam ndërmend ditë e natë…”

Në krijimet e Naimit nuk ka asnjë fjalë turke, merreni dhe shikojeni për kuriozitet. Kurse shkrimtarët e tanishëm dhe analistët gjysmën e fjalëve i kanë shqip, gjysmën e kanë turqisht e anglisht. Sot ka më shumë turqizma se në kohën e Naimit! Po do të thoni ju edhe Noli futi shumë fjalë turke në poezitë e tij. Por në pjesën më të madhe futeshin qёllimisht për të satirizuar. Edhe Mjeda ishte mjeshtër i madh i fjalës. Këta të dy kanë ndikur tërthorazi në krijimtarinë time. Sidomos me temat patriotike dhe kujdesin për pastërinë e gjuhës.

Endri Fifo (këngëtar): Në qoftë se do ta shkruanit përsëri poemën “Devoll, Devoll”, a do të kishit të  njëjtat ndjesi?

Dritëro Agolli: Nuk besoj se do të kisha ato ndjesi të forta lirike e të përzemërta të një djali të ri. Do të isha më i përmbajtur dhe më filozof.

Endri Fifo: Cilët quani romanet tuaj më të mirë?

Dritëro Agolli: Dy janë romanet ku problemet shihen më gjerë: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Arka e djallit.”

Kosta Nake: “Arka e Djallit” është kryevepër për problematikën e pasur dhe tematikën aktuale, për humorin e hollë e të këndshëm, për mesazhet që përcjell. Por romani doli në një kohjë tronditjeje të thellë për letërsinë shqiptare, me një ngarkesë politike të skajshme që e zhvendosi dhunshëm vëmendjen nga letёrsia dhe arti. Duke u ndalur pak te ky roman, do të doja të dija: vdekja e Bamkë Dynjasë është thjesht një zgjidhje kompozicionale apo keni patur parasysh diçka tjetër?

Dritëro Agolli: Po, kam dashur të them se njeriun ndonjëherë nuk e lënë as të qeshë, as të bëjë shaka, po i vihen pas. “Pse e the këtë proverb? Pse e tregove këtë anekdotë?” Kish gjëra që njerëzit i thonin me njëri-tjetrin në socializëm. Mund të kujtoj atë thënien e shkodranëve “u bëmë si shtatë xhuxhat” që aludonte për vezët që ndaheshin me racion, shtatë në javë. Edhe Nastradinin nuk e pranoin në Buhara, në vendlindjen e tij, se ai gjithmonë i thumbonte me ato shakatë e tij. Mbase Nastradini mund të ketë qenë një sajesë si Qerozi i përrallave tona.

Sami Begolli (autor i librit “Menkulasi i Dritëroit”): Si do të dëshironit të ishte muzeu juaj në Menkulas, në përmbajtje dhe në funksionim?

Sadije Agolli: Kemi biseduar gjatë me Dritëroin për këtë problem, prandaj më lejoni ta jap unë përgjigjen. Me shtëpinё-muze janë marrë njerëz që nuk ishin ekspertë, prandaj janë harxhaur shumë para dhe nuk u përfundua. Më mirë do të ishte të bëhej shtëpi kulture dhe në katin lart mund të ishte dhoma-muze e Dritëroit. Pamë disa shtëpi-muze të këtij lloji kur ishim në Rusi. Që të mbash një të tillë duhen shumë para. Shkuam te shtëpia e Dostojevskit. Duhej të pajiseshe me biletë për t’u futur, pastaj duhej të paguaje sërish, po të doje të fotografoje.

Po të jetë vetëm muze, do të mbetet gjë e vdekur. Një shtëpi kulture ku shkon mësuesi dhe zhvillon një bisedë letrare, merr jetë. Kemi shumë libra me autografë që mund të ekspozohen atje, kemi shumë objekte të Dritëroit. Po ja u nxeh njëri dhe shkoi e dogji e mbaruan! Prandaj është edhe problemi i sigurisë. Një fshat është i vogël për të mbajtur një shtëpi-muze.

Dritëro Agolli: Edhe Tolstoi në Jasnaja Poljana e ka muzen, në fshatin e lindjes.

Pëllumb Agolli (publicist): Për përmendoren e Gëtes,

Ç’mendim ke ti?

Më pyeti njëri dhe tjetri atje.

Në se përmendoren s’e ngrita gjer tani,

Tani përmendoren ç’ta ngre?

Ashtu si Gëtja, edhe Ju, i dashur Dritëro, e keni ngritur prej kohësh monumentin tuaj.

Pëllumb Agolli: Ç’është letërsia për ju?

Dritëro Agolli: Letërsia për mua është siç është perëndia për hoxhën dhe për priftin. Ajo duhet të përmbajë të gjithë elementët e jetës, ashtu siç i ka kjo dhomë të gjitha pajisjet e nevojshme. Por, po të paraqitet ashtu ashtu siç janë në natyrë, nuk ka art. Ato duhet të ngrihen në art. Personazhi duhet të të mbetet në mendje, kjo është letërsia e vërtetë, ta thuash në letërsi të vërtetën artistike. Natyra është e gjerë, e madhe, e pafund dhe, po të imitohet ajo, është njëlloj si një krimb që zvarritet pas një elefanti. Poeti duhet të shohë harmoninë e objekteve, kështu krijohet arti. Po të mos ketë harmoni, s’ka krijim artistik. Përveç kësaj, harmonia duhet të jetë në lëvizje.

Pëllumb Agolli: Në vjershën “Atdheu” ju mes të tjerash thoni:

Në se ti më kërkon,

Do të thotë se të duhem,

Rabeckë të jem nëpër botë,

Dragua të vij kur më fton…

Ç’është për ju atdheu?

Dritëro Agolli: Atdheu përbëhet nga disa rrathë që sa vijnë  e zgjerohen. I  pari dhe më i vogli është rrethi i familjes, pastaj oborri, komshinjtë, lagjja, fshati, krahina dhe krejt atdheu. Kështu e ka thënë edhe Çajupi:

Mёmёdhe quhet toka,

Ku më ka rënë koka,

Ku kam dashur mëm’ e atë,

Ku më njeh dhe gur’ i thatë

Kur isha në Përmet me një mikun tim dhe po shkonim drejt shtёpisë së tij, nga larg vumë re tymin që dilte nga oxhaku i dhomës së miqve. Ai u ngazëllye dhe më tha: “Paskan ardhur miq të tjerë!” Kurse një shkrimtar rus ka thënë “Tymi i atdheut më duket më i ëmbël.” Mjafton ky detaj domethënёs që ndeshet në dy vende të largëta midis tyre për të kuptuar raportin që krijohet midis krijuesit dhe atdheut të vet.

Febi Kanina (ish-ushtarak): Keni bërë herë pa here vlerësime për Devollin dhe devollinjtë. Çfarë dëshironi t’u shtoni këtyre vlerësimeve?

Dritëro Agolli: Kam thënë disa herë që devollinjtë janë punëtorë dhe meritojnë një përmendore pune. Ata të tillë janë paraqitur edhe në emigracion, kudo ku kanë shkuar. Do të dëshiroja që në një moment të përshtatshëm ata të kthehen dhe të investojnë në Devoll. Të mos sjellin vetëm makina, por edhe makineri bujqësore me agregatët e tyre që asnjë pëllëmbë tokë të mos mbetet e paqëndisur.

 

 

 

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas