Mapo Letrare

Sintaksa e vjetër e shiut, fjali të mërzitshme paska pa fund














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:22 - 27/03/21 |
Lumo Kolleshi

Cikel poetik nga Lumo Kolleshi





SINTAKSË SHIU


Këputen pikat nga strehët,
Këputen të gjorat me ngut;
Qerpikët zënë dridhen nga ethet,
Një lot i fshehur duket i shkund.




Sintaksa e vjetër e shiut,
Fjali të mërzitshme paska pa fund,
Veç kaq mund t;ju them:loti i njeriut
Të gjitha rrebeshet i mund.


NE DALJE TE VJESHTES
Në lulëzim e gjeta mushmollën,
Veshur për nuse në të dalë të vjeshtës.
Dhe pse malet hodhën sipër cipën e dëborës,
Në këtë dasmë lulesh nuk mund të mungonin bletët.


FUNDVJESHTË
Një epitet i penguar mbi gurët e kalldrëmit të vjetër,
Një rimë e brishtë me kërci të ciflosur…
Një metaforë përkulet nën blirin e ndarë nga fletët,
Ca gjethe të lagura rrëmbimthi erës ia merr,
Balsam ia vë gjurit të epitetit të gjakosur.

POL ELYAR

M’u zhubrosën fletoreve të gjitha fletët,
Nuk ka mbetur asnjë rresht,
Të shkruaj si ti:”Zhe kri to nom”
Mbi plehun e pandemisë kjo botë po fle.
Më thuaj,të lutem,
Ku ta shkruaj fjalën tënde aq të dashur “Liberte”?

BAR I KADIFEJTË

Në ledhet e syve të tu përrallorë
Ka mbirë një bar i kadifejtë qerpikësh,
S’e than dot asnjë ngricë e dëborë.
Veç mua do më thash,po të ikësh.

PRITJE SHEGE

Ti nuk ke parë pritje shege në nëntor,
Para portës së shtëpisë, pritje shege nuk parë,
Ca kokrra i ka mbajtur mes shirave me zor,
Nga malli dhe pritja ca kokrra i ka çarë.

Sapo shkel poshtë saj,të lumtur mblidhen zogjtë,
Mbi supe dhe mbi flokë mbulojnë te verdhat fletë.
Malli pëlcet gurët e shkëmbit më të fortë,
Kështu më ndodh në vjeshtë kur shega pret.

MUND

Ti mund të më vësh taksë te riska e bukës,
Te gualli i qepës ngjyer me kripë,
Te këmisha e hollë e hudhrës,
Te guaska e vezës veshur me një cipë.

Ti mund të ma lodhësh varfërinë,
Për dheun e zi mund të më bësh edhe gur,
Taksë s’më vë dot për dashurinë,
Një zambak do të shpërthejë gjithë nur.

MË THUA…

Më thua të të pëërkëdhel,të puth,të thith të tërën,
Më thua të ta shuaj zjarrin që të djeg.
Bëhem vjeshta e artë per gjethet e trupit tënd
Ku fryjnë erërat e thella që rrëzojnë çdo fletë.

Në detin më të thellë i futemi lundrimit magjisjellës,
Bëhemi korale e vetplotësojmë mrekullinë,
Në sytë e tu pikturoj perëndime të një dielli tjetër
Që ende nuk ka lindur për qiellësinë.

Pastaj, më i etur se dhe vetë etja,
Filloj t’i ripi me fund kupëzat e syve të tu.
Në qiej te pazbuluar rënkon tretja
Për të pikuar bardhësisht s’di se ku.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas