Një mesazh i fortë vjen nga Uashingtoni në konferencën për 30-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, nga Drejtori i VOA për Euro-Azinë. Biberaj ngre shqetësimin se rrëshqitja e Shqipërisë prej standardeve demokratike është dëmtuesi më i madh i raporteve me partnerin strategjik, SHBA. Sipas tij, këto marrëdhënie s’mund të merren të mirëqena e statike, por duhet punuar çdo ditë për to. Ai vlerëson se zgjedhjet e 25 prillit dhe plotësimi i kritereve për votë të lirë e të ndershme, janë një gurë prove
Elez Biberaj, Drejtori i Divizionit për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës, një prej njohësve më të mirë të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, dhe përkthyesi i James Baker në mars të vitit 1991, kur Shqipëria po hapej dhe kur fjalët e tij i dëgjoi një turmë prej 300 mijë vetësh në sheshin “Skënderbej”, ka shprehur disa qëndrime kritike dje në konferencën për 30-vjetorin e rivendosjes së raporteve mes dy vendeve.
Përtej kortezisë dhe vlerësimeve diplomatike, Biberaj është shprehur se realiteti politik në Shqipëri pas 30 viteve nuk është ai që pritej, dhe se rrëshqitja prej standardeve demokratike përbën një kërcënim në raportet mes Tiranës dhe Uashingtonit.
“Është e natyrshme që në raste të tilla si 30-vjetori i rivendosjes së lidhjeve, vëmendja të përqendrohet tek aspektet pozitive të tyre. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohen disa çështje që, nëse nuk trajtohen nga shqiptarët, mund t’i vënë në provë serioze këto marrëdhënie”, u shpreh Biberaj në konferencën ku morën pjesë shoqëria civile dhe ambasadorja Kim.
Biberaj theksoi se raportet SHBA-Shqipëri s’mund të merren si statike dhe të mirëqena dhe se mbështetja e Amerikës, duhet merituar.
“Si çdo marrëdhënie dypalëshe, edhe ato mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena apo të shihen si diçka statike dhe të përhershme. Mbi të gjitha, mbështetja e Amerikës nuk është një e drejtë e natyrshme e shqiptarëve. Në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Ndërtimi i një demokracie funksionale në Shqipëri mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane. Veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve”, deklaroi Biberaj.
Ai evidentoi përkeqësimin e Shqipërisë në raport me vlerat dhe standardet demokratike. Si dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Kritik ishte qëndrimi i tij për prishjen e sistemit politik dhe instalimin e shtetit njëpartiak.
“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Europë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet. Polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë. Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”, pohoi Biberaj.
Gazetari dhe një prej njohësve më të mirë të raporteve Shqipëri-SHBA në këto 30 vite, vëren se ka disa praktika aktualisht në qeverisje, që bien ndesh me një vend anëtar në NATO.
“Politikanët dhe biznesmenët e fuqishëm kanë kapur shtetin dhe, si rrjedhojë, pasuria dhe qasja te pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Natyra gërryese e modelit kleptokratik të qeverisjes së Shqipërisë është tepër serioze.
Prishja e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet e rëndësishme është thjesht e papranueshme për një anëtar të denjë të NATO-s dhe për një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Presidenti Joe Biden ka deklaruar se nxitja e demokracisë do të jetë një përparësi kryesore për administratën e tij. Qëndrimet dhe veprimet e qeverisë dhe të opozitës ka të ngjarë të bëhen objekt i një vëzhgimi të shtuar nga ana e Shteteve të Bashkuara. Vështirë që administrata amerikane të mbetet e pavëmendshme ndaj politikave dhe veprimeve të cilat minojnë normat, vlerat dhe institucionet demokratike”, deklaroi Biberaj.
Ai e vuri theksin te zgjedhjet që do të mbahen më 25 prill, si një gur prove për vendin, për të ardhmen demokratike dhe për raportet me SHBA-në.
“Zgjedhjet e prillit 2021 janë një provë për pjekurinë demokratike të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ky është një moment historik dhe dështimi mund të ketë pasoja të rënda. Edhe pse hapja e fushatës është shoqëruar me një retorikë të ashpër, shqiptarët kanë një mundësi për ta kthyer vendin e tyre në një rrugë të qartë demokratike.
Nëse zgjedhjet janë të besueshme, me rezultate të pranueshme nga lojtarët kryesorë, ato do të hapnin mundësi të reja dhe do të shpalosnin potencialin e madh që kanë shqiptarët. Përkundrazi, një proces zgjedhor sërish me të meta dhe i manipuluar ka të ngjarë të pengojë stabilitetin politik të vendit, të sinjalizojë një përkeqësim të mëtejshëm të praktikave demokratike dhe të ndërlikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian. Pamundësia për të mbajtur zgjedhje të pastra do të forconte dyshimet për besueshmërinë dhe angazhimet demokratike të elitave shqiptare”, tha Biberaj.