Aktualitet

Sistemi TIMS jashtë funksionit? Reagon Policia e Shtetit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:46 - 25/05/20 |
mapo.al

Pas raportimeve në media se sistemi TIMS ishte jashtë funksioni dhe kjo gjë ka mundësuar qarkullimin e elementëve kriminal, vjen reagimi i Policisë së Shtetit, duke treguar se çfarë ndodhi mëngjesin e së shtunës.


Në përgjigje të interesit të disa mediave, pas publikimit të një lajmi, se është dëmtuar sistemi TIMS dhe nuk funksionon, sqarohet se në datë 23 maj, në orët e para të mëngjesit, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike për shkak të një defekti, sistemi TIMS, për një kohë të shkurtër, doli jashtë funksionit.


Më tej thuhet se menjëherë pas riparimit të defektit në rrjetin elektrik të zonës, po në orët e para të mëngjesit të datës 23, sistemi TIMS është vënë në punë dhe vijon të funksionojë normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.


“Theksojmë faktin se në Pikat e Kalimit Kufitar nuk është shfaqur asnjë problematikë, pasi kufijtë janë të mbyllur dhe në orën që kishte defekt sistemi, nuk ka patur lëvizje personash. Policia e Shtetit, aplikon regjistrimin manual të personave në çdo rast që sistemi mund të shfaqë probleme, duke bërë verifikim të thelluar të të dhënave, bazuar në listat e personave në kërkim, të cilat janë në dispozicion të punonjësve të Policisë në çdo DVP dhe Pika Kalimi Kufitar”, deklarohet më tej.


Policia e Shtetit shpreh keqardhje për dezinformacionet dhe fushatën e pandërprerë që po bëhet nga persona të caktuar, me qëllim dashakeq për të përbaltur punën dhe rezultatet e arritura nga strukturat e saj luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në tërësi.

“Sigurojmë qytetarët se të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt. Në këtë kontekst ftojmë qytetarët, aleatin më të çmuar të Policisë së Shtetit, të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në nr. falas 112, çdo rast paligjshmërie, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, thuhet në mbyllje.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas