Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, në emër të Kryesisë së Kuvendit, nëpërmjet një letre i është drejtuar sot kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, ku e fton për raportim në kuvend lidhur me menaxhimin e çështjes së pandemisë.
“Situata pandemike në Republikën e Kosovës është përkeqësuar duke shkaktuar shifra alarmante të të infektuarve dhe rritje të ndjeshme të numrit të të vdekurve”, shprehet ajo.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, ndër të tjera, kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit rreth menaxhimit të pandemisë në vend. Pas konsultimit me anëtarët e kryesisë, njëzëri jemi dakord që t`u ftojmë për raportim në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me këtë çështje”, vijon letrën kryetarja e Kuvendit.
“Duke pasur parasysh urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës, luteni që në ditët në ditët në vijim, por jo më vonë se një javë, ta njoftoni Kuvendin lidhur me ditën dhe kohën e raportimit”, përfundon Osmani.