Institucioni i Avokatit të Popullit, në një status në Facebook iu bën thirrje organizmave diplomatike shqiptare dhe greke të ndërhyjnë për të zgjidhur situatën e krijuar në pikat kufitare te Kapshticës dhe Kakavijës, aty ku qytetarët kanë prej thuajse 48 orë që presin në radhë për të kaluar matanë kufirit.
Statusi i Avokatit të Popullit:
AVOKATI I POPULLIT REAGON ME SHQETËSIM RRETH SITUATËS SË BLLOKIMIT TË QYTETARËVE SHQIPTARË NË KUFIRIN SHQIPTARO-GREK
Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në dy Pikat Kufitare të Shqipërisë me Greqinë, atë të Kakavijës dhe të Kapshticës, ku disa mijëra qytetarë shqiptarë po presin në rradhë kilometrike me automjetet e tyre për të udhëtuar drejt Greqisë.
Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse shqiptare të mbështesin nevojat e familjeve, që kanë në përbërje në një pjesë të madhe, të mitur apo të moshuar dhe që po qëndrojnë në temperatura mjaft të larta prej gati 48 orësh për të siguruar shërbimet bazë si furnizimin me ujë, ushqime, ndihmë mjekësore, shërbime higjieno-sanitare dhe respektimin maksimal të masave parandaluese dhe mbrojtëse për “COVID 19”.
Institucioni i Avokati i Popullit gjen rastin t’u bëjë thirrje autoriteteve diplomatike shqiptare dhe greke të ndërmjetësojnë sa më shpejt për gjetjen e zgjidhjes së kësaj situate tepër shqetësuese të krijuar në kufirin shqiptaro-grek për të shmangur problemet humanitare që sa vijnë e bëhen më të dukshme.
Institucioni i Avokati i Popullit u rekomandon emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë plan të udhëtojnë drejt Greqisë, të shohin mundësinë e shtyjes sa të jetë e mundur të kohës së udhëtimit deri në normalizimin e situatës së krijuar në kufirin shqiptaro grek.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndjekë dhe monitorojë hap pas hapi në terren detyrimet e institucioneve përgjegjëse shqiptare për normalizimin e situatës dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë që presin në kufi.