Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shkruan në rrjetet sociale se, raportet e organizatave ndërkombëtare prestigjioze, konfirmojnë vit pas viti, se zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme.
“Raportet e organizatave ndërkombëtare prestigjioze, konfirmojnë vit pas viti, se zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme. “Indeksi i Sundimit të Ligjit 2022”, përgatitur nga ëorld Justice Project, është tregues i gjendjes reale ku ndodhet vendi dhe një “thirrje” e fuqishme për të reaguar kundër korrupsionit në rritje, për të kërkuar më shumë rend, siguri, drejtësi efektive dhe të paanshme për të gjithë. Konkluzionet e WJP konfirmojnë se Shqipëria ka nivelin e hajdutërisë së Qeverisë më të lartë në kontinent. Nga matja e 4 parimeve universale të Sundimit të Ligjit, llogaridhënies, ligjit të drejtë, qeverisjes së hapur, drejtësisë së paanshme dhe të aksesueshme, rezulton se Shqipëria ka pësuar rënie duke u renditur në vendin e 87 mes 140 vendeve, tre pozicione më poshtë nga viti i kaluar kur ndodhej në të 84-tin. Ndërkohë që Kosova vit pas vit shënon progres, duke u renditur në vendin e 57 nga vendi i 60 që ndodhej në vitin 2021. Asnjë tregues nuk njeh përmirësim në Shqipëri, por vetëm rënie të vazhdueshme, duke konfirmuar perceptimin e përgjithshëm qytetar dhe denoncimet e opozitës që bëjnë me përgjegjësi Edi Ramën dhe keqqeverisjen e tij për këtë situatë”, shkruan Blushi.
Ai gjithashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar protestës së thirrur me 12 nëntor.
“Gjendja është shumë e rëndë ndaj dhe shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë për shporrjen e sektit kriminal dhe të korruptuar të “Rilindjes”. Të gjithë në protestën madhështore në 12 Nëntor!”, përfundon ai.