Editorial

Sjellja mizore e Veliajt pas pamjeve tronditëse te ‘Petro Nini’




               Publikuar në : 20:16 - 12/03/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Pas ngjarjeve tronditëse në mes të Tiranës, në një rrugë pranë shkollës Petro Nini Luarasi, reagimi i kryeministrit Edi Rama ishte ai që pritej: ai sërish tha se nuk mban përgjegjësi, pasi vendimi është marrë nga gjykatat. Është e kotë që të presësh nga Rama të mbajë përgjegjësi për ndonjë gjë në këtë vend.

Por ajo që habiti ishte qëndrimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që në disa reagime tentoi të mbajë veten larg nga kjo histori, duke e prezantuar si një nismë e një fuqie më të madhe se ai vetë, a thua se duart e tij nuk kanë firmosur asnjë nga lejet e ndërtimit që kanë krijuar këtë situatë tmerri në bashkinë më të madhe në vend.

Nuk ka më asnjë sekret se Tirana po mbushet me ndërtime, krejt ndryshe nga sa kishte premtuar kryebashkiaku Erion Veliaj kur e nisi mandatin. Të dhënat e INSTAT, të publikuara dy javë më parë, thonë se viti 2018 ka njohur një rritje rekord të lejeve të ndërtimeve në Tiranë. Në total janë 480 milionë euro që do të investohen për të ndërtuar më shumë se 1.4 milionë metra katrorë.

Ekspertët, përfshi këtu revistën Monitor, thonë se do ketë një flluskë nga ky fluks i madh i ndërtimeve në një zonë të ngushtë të Tiranës. A mund të jetë i vërtetë konstatimi i tyre?

Fakt është se deri më tani ekuilibri në dukje mes kërkesës dhe ofertës nuk është vendosur mes ndërtuesve dhe qytetarëve të zakonshëm. Këta të fundit, edhe sikur të marrin një rrogë deputeti, nuk e përballojnë dot një banesë në shumicën e zonave në Tiranë. Ekuilibri është vendosur mes ndërtuesve dhe parave të krimit të organizuar. Kjo e ka bërë situatën në Tiranë jo vetëm të frikshme nga pikëpamja e skenave si tek ajo te ‘Petro Nini Luarasi’, por edhe për shkak se qeveria dhe vetë Erion Veliaj ka treguar se është më shumë në krahun e shitësve. Sa herë inauguronte një rrugë në fillim të mandatit, Veliaj shprehej se ajo do ia rrisë vlerën banesave.

Sa e qëndrueshme është kjo deklaratë? Të martën, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokuta raportoi në Kuvend se ndërtimi është sektori me rrezikshmërinë më të lartë për këtë aktivitet të paligjshëm. “Sektori i ndërtimit një nga ata me riskun më të lartë për pastrimin e parave. Jo më kot numrin më të lartë të subjekteve për të cilat ka pasur masa kanë qenë pikërisht firmat e ndërtimit”, tha Gjokuta.

Por ndërsa ne e kemi të vështirë të parashikojmë se çfarë do të ndodhë pas disa vitesh në Tiranë me këtë fluks ndërtimesh, e kemi farë të lehtë që të parashikojmë atë që do ndodhë tani. Shtimi i ndërtimeve shumëkatëshe në zona të ngushta në Tiranë vetëm sa do shtojë trafikun, ndotjen dhe sëmundjet- që nga ato kancoregjene e deri tek më të thjeshtat, përkundër të gjithë premtimeve të Veliajt.

Jo vetëm kaq, por ky është një tregues se premtimi i madh për decentralizimin e Tiranës ka qenë thjesht një mashtrim. Merrni rastin e Bulevardit të Ri, që u bllokua nga Edi Rama në kohën kur kryebashkiak ishte Lulzim Basha, me pretendimin se kjo rrugë nuk të çon askund. Edhe sot ajo nuk të çon askund. Sepse që të decentralizosh qytetin, do të thotë që të ndjekësh ritmin me investime që vetëm shteti mund t’i bëjë si shkolla, parqe, spitale, rrugë, etj. Kjo qeverisje ka treguar se në këtë anë nuk ka asnjë shans të veprojë.

Por mbi të gjitha, edhe sikur të bëhej, decentralizimi do të thotë çmime më të ulëta për qytetarët dhe kjo nuk u shton për shtat atyre që duan të ndërtojnë sa më afër qendrës, duke ia marrë frymën Tiranës.

Kjo ndoshta nuk ka shumë rëndësi, sa kohë që kemi festat. Meqë ra fjala, më datë 17 do festohet me dëshirën dhe urdhrin e Veliajt. Mos harroni që kur të dilni në shesh atë ditë të konsumoni çdo ushqim që gjeni nëpër tezga. Çdo thërrmijë e saj është plot me ajrin e pastër të Tiranës, një prej qyteteve më të ndotura në Europë.


Etiketa: , , , , , ,

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Nje gje me cudit? PD hyri ne cader humbi thelle zgjedhjet…doli nga parlamenti per t’i humbur akoma me thelle zgjedhjet…Per ke punojne shefat e PD-se?

    Përgjigju ↓
Pas