Ka përfunduar pa marrëveshje mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Burime për MAPO theksuan se nuk ka pasur dakordësi sa i takon identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe përbërjes së komisioneve zgjedhore.
Mësohet se Partia Socialiste nuk pranon variantin e kompromisit të ofruar në tryezë për të depolitizuar administratën zgjedhore, duke mos u tërhequr nga varianti i saj i parë.
Kjo është arsyeja përse në mbledhjen e Këshillit Politik ka shkuar edhe një përfaqësues i ambasadës së SHBA, e cila, siç citojnë burime të mirëinformuara, mbështet variantin e kompromisit.
Kohë shtesë për bisedime – Refuzimi i PS për të pranuar një variant të dakortësuar nga të gjithë, që nuk cenon thelbin e depolitizimit të komisioneve, ka çuar në ndërhyrjen e ambasadës së SHBA. Burimet bëjnë të ditur se PD është e gatshme të çojë diskutimet për reformën zgjedhore përtej 31 majit, me shpresën se në kohën shtesë PS do të bindet të zhbllokojë procesin, duke çuar përpara reformën zgjedhore dhe përmbylljen pa vonesa të tjera.
Bylykbashi: Përpjekjet për konsensus do vijojnë
Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se përpjekjet për konsensus do të vijojnë. Ai theksoi gjithashtu se opozita ka bërë disa propozime për garancinë e zgjedhjeve, ndërsa kërkoi edhe nga mazhoranca që të bëjë koncesionet e saj.
“Në bëmë propozimet tona, por PS nuk ishte e gatshme. Opozita nuk heq dorë nga garancitë e votës së qytetarëve. Ne jemi të gatshëm për të vazhduar punën për konsens dhe presim që PS të bëjë hapet e nevojshme për këtë konsensus. Gjithë përpjekjet e PS-së që të mbajë privilegjet që ka, nga kontrolli i KQZ-së, tregojnë vlerën që ka vendimi dhe propozimi ynë për një qeveri kujdestare, pasi ata duan të krijojnë boshllëqe të mëdha. PS nuk ishte e gatshme që të hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë ndaj procesit zgjedhor. Ju e keni parë që qeveria i shfrytëzoi këto privilegje, duke i prishur zgjedhjet. Le t’i japim kohë PS pse nuk mund ta ketë KQZ-në si një vulë të njomë për të mbyllur rezultatet. KQZ nuk mund të jetë pronë e PS”, u shpreh Bylykbashi.
Petrit Vasili: PS të heqë dorë nga privilegjet
Për zv/kryetarin e LSI, Petrit Vasili, PS kërkon të mos heqë dorë nga privilegjet që ka aktualisht ndaj KQZ-së dhe gjykatës zgjedhore.
“I dominuar nga zgjedhjet të qershorit ku PS i numëronte të gjitha veta dhe e nxirrte vetë rezultatin. PS duhet të dalë nga gjumi parizien, pasi nuk është i shqetësuar se do t’i vjedhë. Kjo është dhe mbahet një qëndrim parim që nuk ka arsye të negociohet. Ne plotësojmë kështu një kusht të BE, pasi 3 kushte lidhen me zgjedhjet”, tha Vasili.
Mbledhja e sotme e Këshillit Politik zgjati rreth 4 orë. Pjesë e diskutimeve u bë edhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane, Ian Crawford, shef i seksionit politik dhe ekonomik në Ambasadën e SHBA-së, cili takoi veçmas Oerd Bylykbashin, Petrit Vasilin dhe Damian Gjiknurin. Takim i cili ka zgjatur rreth 60 minuta, me synim arritjen e një kompromisi të mundshëm.
Ditën e hënë pritet që Këshilli Politik të mblidhet sërish.
LEXO EDHE:
Arsyeja e ndërhyrjes së SHBA/ Ngërçi që mban larg marrëveshjen zgjedhore