Kryeministri italian Giuseppe Conte u shpreh se është “shumë i zhgënjyer” për mungesën e konsensusit mes vendeve anëtare të BE, për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat u bllokuan nga Franca.
Conte tha se “shpreson që ky zhgënjim dhe ky ankth nuk do t’i zhytë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në dëshpërim“, duke shtuar: “Italia gjithmonë do të jetë afër tyre dhe do të vazhdojë të jetë afër tyre“.
Udhëheqësit e BE “luftuan” mesnatën e kaluar në një debat të tensionuar mbi të dy vendet e Ballkanit, por në fund nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje, madje një deklaratë e paqartë ofronte inkurajim dhe shtyrjen e një vendimi zyrtar.
Kryeministri i Letonisë: S’do ketë vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Ndërkohë kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, deklaroi se sot nuk do të ketë vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Zgjerimi është shumë i rëndësishëm për ne, por jo të gjitha vendet janë dakord për hapjen e negociatave. Kërkohet vendim unanim”, deklaroi Karins.
Edhe kryeministri i Luksemburgut konfirmoi se nuk do të ketë një vendim ditën e sotme.
Krerët e shteteve anëtare debatuan mes tensionesh deri në mesnatë lidhur më çështjen e zgjerimit. Por, ata nuk ishin në gjendje të dakordësoheshin as lidhur me një marrëveshje që do të inkurajonte Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, apo për shtyrje të vendimit zyrtar.
Presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi ashpër hapjen e negociatave për anëtarësimin, duke mbizotëruar ndaj liderëve të tjerë, përfshirë gjermanen Angela Merkel dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.