Editorial

S’ka nevojë, të njeh ai ty…








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:09 - 02/08/20 |
mapo.al

Kur Michael Gahler, në emër të PPE bëri një deklaratë shumë të fortë pas ndryshimeve të njëanshme kushtetuese që realizoi Rama e mazhoranca e tij, udhëheqësit rilindas bënë atë që e dinë dhe e kanë në gen.


Nuk u morën me mesazhin, por iu sulën zotit Gahler.


Zëdhënësi i PPE shprehu keqardhjen për prishjen e konsensusit me Kushtetutën dhe tha se është detyrë e partive, shoqërisë dhe qytetarëve të mbrojnë demokracinë.


Ky është një tekst mjaft korrekt dhe krejt i pranueshëm.


Po puna është se nuk i pëlqen Elisa Spiropalit, e cila doli dhe e telendisi keq politikanin gjerman.


Në një fjali madje ajo shkon deri atje sa thotë; dikush t’i tregojë filanit, se punët janë kështu.

Pra, Elisa e lartësive të Olimpit, i drejtohet me të këtillë shpërfillje një anëtari të Parlamentit Europian që prej dy dekadash gati, dhe që e ka nisur karrierën në Frankfurt në vitin ’86. Dhe gjithnjë i zgjedhur, jo i emëruar nga shefi.

Për më tepër, gjatë aktivitetit në PE, ai ka mbuluar çështje që e bëjnë njohës të mirë të vendeve nga Afrika në vendet Baltike.

Të këtillë përvojë, e hedh në kosh me fodullëkun dhe arrogancën tipike kuptohet edhe bosi i Elisës.

Edi Rama i dha goditjen finale zotit Gahler, duke i thënë se nuk e njeh.

Pra, e shpalli anonim, ta padenjë që të hyjë në listën e njerëzve të famshëm dhe personaliteteve që mban nën sqetull shefi i qeverisë shqiptare.

Po çështja nuk është aspak këtu. Se tani për t’u bërë qesharakë, Rama me të tijtë nuk kanë më asnjë droje apo pengesë. Skrupujt kanë rënë me kohë.

Po, Rama mund të mos e njohë zotin Gahler dhe ky me siguri ndihet ligsht prej këtij përjashtimi nga historia.

Problemi është se zëdhënësi i PPE, europarlamentari, e njeh mirë Edi Ramën.

Njeh tiparet e një autokrati që qeveris keq dhe shtyp opozitën e nëpërkëmb standardet demokratike. Di mirë se krimi zgjedhor nuk pranohet në një vend që kërkon të bëhet anëtar i BE. Gahler ka mjaftueshëm të dhëna për lidhjet me krimin, me drogën. Për mënyrën se si hidhet në erë teatri në errësirë.

Ndaj ai dhe forca dhe institucioni që përfaqëson kanë vendosur të rrisin monitorimin ndaj qeverisë dhe Edi Ramës.

Sigurisht, Gahler nuk është qytetar i Shqipërisë as votues këtu. E vetmja gjë që mund të bëjë për të ndihmuar vendin tonë, si mik që është, janë mesazhe dhe ndërgjegjësime si këto që bën.

Kjo pritet nga një mik i mirë. S’do ishte aspak i tillë dikush që hesht dhe bekon paudhësitë e një kryeministri e mazhorance si kjo që kemi.

 


Etiketa: , , ,

Pas