Pretendimet për votim të dyfishtë në zgjedhjet e 25 prillit, ndezën shpresat opozitës për të shpallur të pavlefshëm procesin elektoral.
Mirëpo, nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, gjatë mbledhjes së KAS, ka dhënë një shpjegim se pse ka ndodhur sipas saj i ashtuquajturi votim i dyfishtë, pasi një gjë e tillë rezultoi nga shqyrtimi i procesverbalit të pajisjes së identifikimit elektronik.
Teksa ishte duke sqaruar raportin për votimin e dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, Pelinku tha se vendosja e gishtit dy herë është bërë nga operatori teknik mbi pajisjen “PEI”, që ka shërbyer si shembull për të qartësuar votuesin sesi bëhet identifikimi elektronik.
“Të dhënat që ju dhanë juve janë thjesht të dhënat për identifikimin biometrik. Kjo nuk vërteton që personi ka votuar 2 herë. Sistemi të ndalon që me të njëjtën kartë identiteti të paraqitesh 2 herë”, sqaroi ajo.
Por edhe pse në ditën e zgjedhjeve, testimi i pajisjeve është i ndaluar nga Kodi Zgjedhor, Pelinku që ishte në krye të menaxhimit të sistemit të identifikimit elektronik tha se 2 rastet që personat kanë shkuar në dy qendra të ndryshme, sërish janë pjesë e administratës zgjedhore që kanë provuar testimin e identifikimit biometrik.
“Ne supozojmë që ka qenë pjesë e administratës zgjedhore, që ka kryer identifikimin biometrik në qendrën ku ka qenë caktuar ditën e votimit dhe më pas ka shkuar në qendrën e vet të votimit për të votuar. Shenja e gishtit për më shumë se 1 rast, nuk mund të themi se kujt i përket shenja e gishtit në këtë fazë, nga të dhënat që na kanë rezultuar nga kryqëzimi, një nga të dhënat i përket operatorëve, në këto kushte na lind e drejta të dyshojmë se shenja unike e përdorur ka qenë e operatorit teknik që përdor pajisjen, por kjo duhet të jetë objekt i hetimit në vazhdim për të identifikuar në mënyrë të saktë kujt i përket gishti. Ka pasur raste kryesisht kur votuesit kryesisht në moshë të madhe nuk i është njohur shenja e gishtit dhe e ka vendosur operatori. Do t’i takojë prokurorisë që të sqarojë se çfarë ka ndodhur”, tha ndër të tjera Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku.
LEXO EDHE:
Ankimimet për rezultatin e Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës, debate në KAS