Gjykata e Apelit ka lënë të lirë drejtorin e Ujësjellësit të Maliqit, Petrit Kupe, i cili aksdentoi për vdekje babë e bijë, 4 muaj më parë (8 nëntor 2018). Aksidenti i rëndë ka ndodhur në unazën e qytetit të Korçës, ku pas përplasjes së dy makinave humbën jetën babai dhe vajza e tij 5-vjeçare. Por gjykata e Apelit të Korçës, njërin prej shoferëve, pikërisht drejtorin e ujësjellësit të Maliqit, e liroi dhe vendosi që të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa shoferin e la në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Xhuljana Hoxha, iu drejtua “Fiks Fare”, duke denoncuar vendimin skandaloz të gjykatës. Ajo humbi në këtë aksident bashkëshortin dhe vajzën e mitur. Ajo shprehet e irrituar me vendimin e gjykatës së Apelit Korçë që la të lirë të pandehurin Petrit Kupe. “Si mund të dalë një person dhe të jetë i lirë, kur ka vrarë dy njerëz? Zoti Kupe është drejtori i Ujësjellësit në Maliq dhe ka përfituar nga kjo gjë. Makina e zotit Kupe është lëvizur pas aksidentit duke ndryshuar provat e vendngjarjes”, shprehet ajo për emisionin “Fiks Fare” në Top Channel.
Të njëjtën gjë pohojnë edhe dëshmitarët që kanë mbërritur para policisë në vendngjarje. Makina që drejtohej nga Petrit Kupe ka lëvizur disa metra nga vendngjarja.
“Fiks Fare” vertetoi se kunata e Petrit Kupes dhe ai vetë, kërkojnë të ndihmojnë me avokatë (pa pagesë) familjarët e viktimave për të përfituar dëmshpërblimin nga kompanitë e sigurimit.
Vetë drejtori i ujësjellësit të Maliqit pranon se kishte autorizuar kunatën e tij për t’u marrë me këtë çështje. Madje ai tregon keqardhje për ngjarjen, por shprehet se mund të kishte qenë edhe vetë viktimë në atë aksident. Gjatë bisedës ai deklaroi se akt-ekspertimi e nxori të pafajshëm, ndryshe nga raporti i vendngjarjes i hartuar nga punonjësit e Policisë Rrugore të Korçës.
Fiks Fare i drejtua për informacion prokurorit të çështjes, Julian Kristo. Ai tha se “nga ana jonë janë bërë të gjitha procedurat dhe Apeli e ka nxjerrë, por hetimi vazhdon. Nëse ju keni diçka, ndonjë dyshim a të dhënë mund të vini kur të doni në zyrën time”, tha prokurori.
Ndërkohë akti i ekspertimit nxjerrë fajtor vetëm një drejtues të mjetit, Lorenc Pallashin edhe pse në fillim të aktit të ekspertimit thuhet se në aksident janë përfshirë dy makina.
Në foto: Dy makinat e përfshira në aksident