Aktualitet

Skandali i Beratit/Ministrja Kushi firmos vendimin….














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:42 - 01/12/21 |
mapo.al

Skandali i Beratit, ku një ish mësues, i dënuar për ngacmim seksual nga gjykata, u lejua të rikthehej të jepte mësim në një shkollë tjetër.






Reagimi i qytetarëve të Beratit, shoqërisë civile dhe mediave qe i ashpër.


Po ashtu i ashpër qe edhe reagimi i Ministres Kushi, e cila, ndër të tjera, pati theksuar edhe rishikimin e bazës ligjore dhe nënligjore për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit dhe shkarkimit të mësuesve.







Dhe pikërisht sot, Ministrja Kushi ka lajmëruar se ka firmosur ndryshimin e udhëzimit, që ndalon personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo që lidhet me institucionet arsimore që të aplikojë për mësues.




Më poshtë deklarata e plotë e Ministres Kushi dhe foto e shkresës:



“Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.

Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor.

Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.”

Si edhe theksuam, edhe më parë Ministrja Kushi reagoi ashpër në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen, duke theksuar indinjimin dhe nevojën për ndryshimin e bazës ligjore për të pamundësuar që ngjarje të tilla të mund të përsëriten:

“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.

Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj.”

2



Pas