Një incident, deri në përplasje fizike, ka ndodhur në selinë diplomatike të Serbisë në Paris. Personeli i Ministrisë së Jashtme të Beogradit në Francë është përfshirë në një incident të rëndë fizik, çka ka shkaktuar trazira në Beograd duke alarmuar dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçic.
Mediat e huaja bëjnë me dije se Rajko Ristiç, ambasadori serb në Beograd është rrahur keqas nga drejtori i ish-qendrës kulturore serbe në Francë, Radoslav Pavloviç.
Ministrja e Jashtme serbe, për arsye fondesh e kishte mbyllur qendrën kulturore, por Pavloviç ka akuzuar ambasadorin Ristiç se gjithçka është orkestruar nga njeriu i Vuçiçit në Francë.
Pavloviç ka qenë këshilltar i Tomislav Nikoliçit, kur ky i fundit ishte President i Serbisë, dhe për ta hequr qafe e kishin dërguar për të drejtuar qendrën kulturore në Paris, e cila ka shërbyer për vite e vite si qelizë e propagandës dhe spiunazhit serb.
Por qeveria serbe ka vendosur të mbyllë qendrën, duke e parë atë si një shpenzim të panevojshëm, kur punën diplomatike mund ta kryejë ambasada.
Zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, e ka cilësuar incidentin si “fatkeqësi të madhe për diplomacinë serbe, që ka rrënuar imazhin që aq shumë po mundohemi ta rimëkëmbim”.
Në Paris është dërguar edhe kreu i çështjeve të sigurisë në MPJ-në serbe, Veljko Odaloviç, i cili do të hetojë në mënyrë të pavarur nëse ka patur ndikime të jashtme për sherrin.