Asnjë parti nuk mund të mbajë dhe të përdorë të dhënat personale dhe kjo është qartësisht një veprim antiligjor.
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani në intervistë për MAPO thotë se nën hetim dhe masa të shpejta provizore duhen vendosur drejtuesit e institucioneve publike që kanë detyrë t’i administrojnë këto të dhëna.
Këtë javë është bërë e ditur se Partia Socialiste ka në pronësi të dhënat personale të votuesve. E gjithë vëmendja e publikut duket se po përqendrohet te patronazhistët, por thelbi i skandalit mbetet mënyra se si janë marrë këto të dhëna, të cilat duhet të jenë të mbrojtura nga institucionet që i posedojnë. Nga pikëpamja ligjore çfarë ligjesh dhe të drejtash të njeriut janë shkelur me këtë veprim? Sa të rrezikuar jemi ne si qytetarë nga publikimi i të dhënave tona personale?
Partia Socialiste e asnjë parti tjetër nuk mund të mbajë dhe përdorë të dhënat personale të askujt. Veçanërisht numri i identitetit të shtetasve është një e dhënë personale ligjërisht e mbrojtur. Mbajtja dhe përdorimi i të dhënave personale nga persona, parti, apo grupime që ligji nuk e lejon, është padyshim veprimtari e kundërligjshme! PS në këtë rast qartësisht është kapur në Paligjshmëri.
Kryeministri Edi Rama e ka prezantuar platformën e-Albania si mrekulli e teknologjisë, ku shqiptarët duhet të kishin besim në dorëzimin e të dhënave të tyre, por duke qenë se dyshimi kryesor është se të dhënat kanë dalë nga kjo platformë, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë akt?
Edi Rama ka thënë diçka që ashtu duhet të ishte. E-Albania duhet të ofrojë shërbime të sigurta. Ajo nuk është thes elektronik i shpuar ku rrjedh çdo gjë. Në rastin konkret praktika tregon se Edi Rama ka gënjyer për sa ka thënë për e-Albanian.
Sipas jush a duhet dhe si duhet të hetohet kjo çështje? Cilat janë institucionet që mbajnë përgjegjësi për këtë skandal, çfarë duhet të bëjë SPAK në këtë rast?
Patjetër që duhet hetuar dhe dënuar cilido që mban dhe keqadministron paligjshmërisht të dhënat personale. Në radhë të parë nën hetim dhe masa të shpejta provizore duhen vendosur drejtuesit e institucioneve publike që kanë detyrë t’i administrojnë këto të dhëna.
LEXO EDHE: