fbpx

Aktualitet

Skandali i paketuar në çanta Louis Vuitton





               Publikuar në : 10:20 - 17/08/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Kur ishte menduar se Maqedonia e Veriut do ishte ‘nxënësi i mirë’ i Ballkanit Perëndimor, një skandal ka shpërthyer në vendin fqinj, duke tronditur themelet e shtetit dhe të qeverisë së Zoran Zaev. Në mes të këtij skandali është një biznesmen, një prokurore speciale, një ish- yll i shfaqjeve ‘reality’ dhe 1.5 milionë dollarë të paketuar në një çantë Louis Vuitton.



E shpjeguar me pak fjalë, njeriu më i pasur në Maqedoni, Jordan Orce Kamçev, i arrestuar një vit më parë, mendohet se ka paguar që të dalë më shpejt nga burgu.


Në qendër të skandalit është drejtuesja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, e cila dha dorëheqjen muajin e kaluar.

Kryeministri Zoran Zeav është shprehur se nuk ka ndërmend të largohet, ndërsa në zemërim e sipër është shprehur se qeveria e tij nuk do të shkatërrohet nga disa kriminelë, një gazetar të fiksuar pas famës dhe një ‘pederast’. Fjalia e fundit ka sjellë jo pak zemërim në qarqet e Brukselit.

E gjithë historia është pritur me shumë interes në Shqipëri dhe jo më kot.

E para, sepse në qendër të saj është prokurorja speciale, Katica Janeva, një ‘krijesë’ e Bashkimit Europian për të ndihmuar vendin në luftën ndaj korrupsionit. Në kohën kur shqiptarëve iu është mbushur koka me terma të tillë si ‘veting’, ‘SPAK’, ‘BKH’ etj., ky sinjal nga vendi fqinj nuk duket shumë pozitiv. Ai tregon edhe njëherë se babëzia dhe etja për para mund të jetë shumë më e fortë se reformimi i sistemit të drejtësisë. Tanimë nuk do jenë të paktë personat në Shqipëri që do të pyesin se me çfarë garancish po vjen drejtësia e re në Shqipëri. Përse duhet të besojmë se këta njerëz të rinj nuk do të tundohen nga çantat Louis Vuitton të mbushura plot me euro? A vlen për ta parimi i njohur nëpër botë se “ajo që nuk blihet me para, mund të blihet me shumë para”? Cila është garancia se personat, që po ia dalin tmerrit të vetingut, nuk do jenë mjeshtrat e përdorimit të sistemit të ri?

Së dyti, rasti i Maqedonisë së Veriut ka ngritur alarmin se vendi nuk e ka më të sigurt nisjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian. Deri në këto momente ishte menduar se për Maqedoninë e Veriut, gjithçka ishte një fakt i kryer. Madje ky vend po e parakalonte Shqipërinë e mbushur me krim, korrupsion dhe kriza politike. Presidenti i vendit fqinj thotë se situata e krijuar ka rrezikuar ambicien e integrimit europian.

Në këto kushte, mund të kuptosh kollaj se sa e kotë është propaganda e qeverisë shqiptare, e cila thotë se nuk i bëhet vonë për atë që do të vendosë Bashkimi Europian në tetor, sa kohë i kanë plotësuar kushtet e Komisionit Europian që një vit më parë (!). Por kriteri politik është gjithmonë nën monitorim të vazhdueshëm dhe rasti i Maqedonisë së Veriut tregon se mjaftojnë pak ditë për të shembur ëndrrën europiane.

Ndërkohë në Shqipëri, që prej majit, qeveria vazhdon me stilin e saj autokratik dhe antidemokratik. Në fund të qershorit u mbajtën zgjedhje pa opozitën. Si të mos mjaftonte kjo, edhe këto zgjedhje me një parti ishin të mbushura me probleme të evidentuara nga misionet ndërkombëtarëve të vëzhguesve. Si për t’i vënë kapak, kur kryeministri Edi Rama ishte nën akuzë se përdor krimin për të manipuluar zgjedhjet, atij i del me probleme kandidati për bashkinë më të rëndësishme në veri.

Mirëpo qeveria nuk ka të ndalur në propagandën e saj se, çfarëdo të ndodhë në Shqipëri, fajin do e ketë BE-ja tani e tutje. Se sa e vëmendshme është Europa thuajse çdo ditë ndaj këtyre zhvillimeve politike, e tregon ajo që ndodh me integrimin europian në Turqi.

Ups! Qenka edhe historia e memorialit turk, e cila sipas Deutsche Welle-s po ndiqet me vëmendje nga BE./ep


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas