Dogmat komuniste për njeriun e drejtë dhe të pakorruptuar prodhuan politikanët e tranzicionit, të cilët me një drekë apo me disa gota birrë mendonin se po bënin miq të huaj dhe ishin gati të jepnin kontrata në kurriz të qytetarëve. Ky naivitet për dashamirësinë ndaj të huajit, i vendit tonë, demonstrohej në forma të ndryshme në shoqëri, ku prindër i ofronin fëmijë të huajve për t’u treguar sa mirë flisnin italisht apo anglisht, pa u shkuar në mend se përballë mund të kishin një njeri me preferenca të dyshimta seksuale.
Skandali i Panamasë tregon qartësisht thelbin e njeriut, anglez, amerikan apo shqiptar, se ai është i korruptueshëm dhe mund të dëshirojë pushtet për të bërë para, shumë para. “Letrat e Panamasë” tregojnë për një kompani që donte t’i shiste një fushë naftë mbajtëse një kompanie të huaj, duke i anashkaluar 400 milionë dollarë taksa shtetit, ku simbolikisht mediet tregojnë se janë më shumë se i gjithë buxheti për shëndetësinë i këtij vendi. S’është gjë e re të thuash se gjatë luftës shumë firma mund të fitojnë para dhe në këtë rast, firma të cilat ofronin naftë për ushtrinë siriane kanë përdorur shërbimet “off-shore” të Panamasë, pavarësisht se SHBA dhe Anglia e kishin dekretuar si të jashtëligjshme.
Po të kthehemi në Shqipëri, ndër vite, privatizimet në vend, si ato të shkuara dhe ato që po ndodhin, janë të mbushura me pikëpyetje që gjeneratat e ardhshme do t’i rishikojnë në këtë rend të ri botëror, ku lufta nuk bëhet më me shtete por me individët që zotërojnë pushtet. Nga mbretërit e Arabisë Saudite te kryeministrat e Pakistanit e Azerbajxhanit, të gjithë janë nën shenjestrën e “Panama Leaks”. Askush nuk mund t’i shpëtojë ligjit në periudhën afatgjatë, pavarësisht argumentit të Kejnsit se “në periudhën afatgjatë ne jemi të vdekur”.
Të dhënat flasin për njerëz të afërt të presidentit të Kinës, që i deklaroi luftë korrupsionit, se janë të përfshirë në këtë skandal e deri te presidenti i ri i Ukrainës, që ka ardhur në pushtet si reformator. Shembuj të pafundmë vazhdojnë për liderë të ndryshëm kudo në botë, duke theksuar një gjë: Udhëheqësit, edhe kur janë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk janë më shumë “ të shqetësuar për publikun”, përkundrazi, disa herë më pak sesa qytetari i thjeshtë. Në librin e tij “Përse Liria” autori Tom Palmer, i cili viziton Tiranën si i ftuar i Fondacionit për Liri Ekonomike, thekson se nuk ka asnjë të dhënë për të besuar se liderët politikë janë më pak egoistë apo më shumë të dashur sesa njerëzit e tjerë. Gjithashtu, nuk ka të dhëna se janë më shumë të interesuar për të dalluar të mirën nga e keqja sesa shumica prej nesh. Ata janë si ne.
Demokracitë moderne janë ndërtuar mbi një parim të thjeshtë: Të gjithë duhet të paguajmë taksa mbi premisën se ato janë të drejta dhe transparente dhe se ato do të financojnë disa shërbime dhe punë publike. Por në rast se disa prej nesh, që mund të qëllojnë të jenë më të pushtetshmit, mund t’i anashkalojnë këto detyrime, apo më keq akoma të fshehin para të përvetësuara nga taksat tona, atëherë e gjithë kontrata sociale është në rrezik. Në Islandë, shtetin që falimentoi nga kriza e vitit 2008, kryeministri i vendit pritet të kalojë në një mocion besimi, për shkak të fshehjes së taksave në Panama dhe më shumë informacion pritet të shfaqet në ditët në vijim në atë që gazetarët e quajnë “ngjarje në zhvillim…” dhe që mund të prekë dhe brigjet tona të varfëra.
Ai qe sot po quhet ” Skandali i Panamase ” eshte nje hapje dosje te vjeter kur ke nje hall tjeter. Halli i sotem i politikes perendimore eshte Presidenti rus Vladimir Putin. Per kete eshte ngritur kjo tymnaje gjigande me emer panamez. Bota eshte e mbushur me te tille gjera kudo. Kudo ka sot ikje nga taksat. Por nuk ka vullnet kudo njelloj, sidomos kur mungon vullneti politik. Shkurt, me duket tamam si ato perpjekjet qesharake te Hages per te ster-thirrur atje Ramush Haradinajn, vetem sepse ky ishte i pa deshiruar politik nga Brukseli!