Aktualitet

Skandali – Qytetarët çojnë në SPAK patronazhistët














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:26 - 20/07/21 |
mapo.al

162 qytetarë, të përfaqësuar nga shoqata GUXO, kanë denoncuar në SPAK marrjen në mënyrë të paligjshme të të dhënave personale, të cilat u vunë në dispozicion të më shumë se 9 mijë militantëve të PS-së në Tiranë. Ata kërkojnë dënimin e përgjegjësve, fshirjen nga serverat e të dhënave të tyre si dhe dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar. Më herët, pas bërjes publike të skandalit nga portal Lapsi.al, një kallëzim të ngjashëm e ka bërë dhe PD. Por deri më tani megjithëse kanë kaluar tre muaj nga ana e SPAK nuk ka asnjë përgjigje për një gjest të tillë që është nga krimet më të mëdha elektorale të pas viteve ‘90. Mendohet se viktima të patronazhistëve nuk kanë rënë vetëm qytetarët e Tiranës, por 3.5 milionë votues në të gjithë vendin.






Rreth 162 qytetarë të Tiranës, të përfaqësuar nga shoqata rinore Guxo, kanë dorëzuar në SPAK një padi penale ku kërkojnë dënimin e të gjithë personave që kanë gisht në nxjerrjen e të dhënave personale, si dhe dëmshpërblimin e qytetarëve që kanë firmosur padinë. Qytetarët pretendojnë se mbledhja dhe përpunimi i të dhënave është bërë në mënyrë të paligjshme nga ana e militantëve të PS-së. Skandali u bë publik në 11 prillin e këtij viti, nga portali Lapsi.al, ku pas një investigimi të gazetarëve të tij u zbulua se 910 mijë të dhëna personale të qytetarëve duke filluar nga numri i ID, telefoni, qendra e punës datëlindja, raca, problemet familjare që mund të kishin etj., kishin rënë në dorë të militantëve të PS-së për qëllime elektorale.


“Ne kërkojmë dënimin e personave përgjegjës, fshirja e të dhënave nga serverat privatë ose publikë dhe dëmshpërblimin e 162 paditësve. Ky është akti i parë ligjor. Kërkesa është e detajuar. SPAK ka përgjegjësi për të marrë dhe për të hetuar të gjitha rastet e shkeljeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë”, -tha Arlind Ahmetaj, avokat i qendrës.







Më herët, pas denoncimit të skandalit u bë një padi dhe nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje, por më pas gjithçka mbeti me aq. As deklarata, as denoncime, asgjë ndërkohë që kjo mund të ishte një arsye madhore për të mos hyrë fare në zgjedhjet e 25 prillit. Dhe nuk janë vetëm qytetarët e Tiranës që kanë rënë pre e këtij skandali, por burime të Lapsit citojnë se janë cenuar të dhënat e të gjithë personave me të drejtë vote, pra rreth 3.5 milionë qytetarëve.



Portali arriti të sigurojë vetëm database për Tiranën, ku u zbulua se rreth 9000 militantë të majtë kishin akses në të dhënat personale të njerëzve. Pjesa dërrmuese e tyre ishin punonjës të administratës lokale dhe qendrore, por edhe punonjës të policisë së shtetit dhe forcave të armatosura.



Skandali
Skandali mori përmasa të mëdha dhe për të shkruan shumë media botërore. Por ajo çka mundi të zbulojë portali Lapsi.al ishte vetëm njëra anë e medaljes. Pasi përveç të dhënave të përgjithshme që ekzistonin në atë databazë, ishte dhe pjesa tjetër e të dhënave të veçanta që kishin të bënin me daljet në KEMP, hallet familjare, ndihma ekonomike, legalizimet, prekjet nga tërmete, nëse ka aplikuar pranë institucioneve të posaçme të ngritura për këtë qëllim, ku punon, ku ka punuar, sa e ka rrogën, nëse është pronar i ndonjë kompanie, çfarë gjobash ka etj. etj. Të gjitha këto u shpërndaheshin patronazhistëve dhe ishin këta të fundit që merrnin në telefon personat e interesuar ku në këmbim të votës i premtonin zgjidhjen e hallit që ata kishin. Në rast se kundërshtonin atëherë ata kërcënoheshin me ndërprerjen e ndihmës ekonomike, moskryerjen e legalizimit, refuzimin e fondit për tërmetin, apo i dërgohej kërkesë për shlyerjen sa më shpejt të gjobave që mund të kishin marrë. Duket se kemi të bëjmë me një megaskemë të manipulimit të vullnetit të zgjedhësve në këmbim të favoreve nga pushteti.

Lexo edhe :  "Rama 3", SPAK i përgjigjet Metës: Të pastër, asnjë nga ministrat nën hetim

Hetimet
Pas denoncimit në medie hyri në lojë SPAK, ku duhet theksuar se dhe prokurorët e këtij institucioni ishin prekur nga vëzhgimi patronazhist. Në fakt deri më tani s’ka asnjë përgjigje të qartë, ndërsa hetimet e organit të akuzës u bënë gjysmake. SPAK në vend që të mësynte zyrat e PS-së, apo AKSHI-t nga mendohej se kishte rrjedhur informacioni iu drejtua gazetarëve të Lapsi.al, duke i vënë nën presion që të tregonin burimin e informacionit. Madje për këtë qëllim ai kërkoi dhe sekuestron e kompjuterave dhe të kopjes origjinale të databazës. Në fakt, kërkesat e SPAK binin ndesh me ligjin për të drejtën e informimit i cili mbron jo vetëm gazetarin por edhe burimin e tij nga çdo lloj hetimi. I këtij mendimi ishte dhe gjykata e Strasburgut e cila detyroi SPAK dhe GJKKO-në të tërhiqej nga ky vendim absurd.

Dalja masive e të dhënave personale mund të jetë një nga skandalet më të mëdha në 30 vite të ndryshimit të sistemit. Nga ana e tyre eksponentë të PS-së u munduan ta justifikonin me “vitalitetin e forcës së tyre politike” duke u justifikuar se të dhënat janë mbledhur nga vetë patronazhistët. Ama nuk arrijnë të shpjegojnë faktin se si është e mundur që çdo qytetar i këtij vendi të ketë dorëzuar në dorën e tyre numrat e ID, numrin e telefonit, qendrën e punës, preferencën për partinë, apo se si kanë votuar fjala vjen në vitin 2013.

Në databazën e PS ishin dhe numrat e ID-ve të atyre që votojnë për herë të parë, çka hedh poshtë versionin se të dhënat janë marrë nga regjistrat e KQZ në votimet e viteve të shkuara. Gjithsesi, SPAK ende nuk ka një përgjigje për këtë çështje, faktet për të cilat janë sheshit. Mjafton të ndjekë fillin e gjërave, duke filluar nga patronazhistët.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas