Akreditimi është vlerësim i jashtëm i cilësisë dhe përcakton nëse institucioni i arsimit të lartë dhe programet e studimit, që ai ofron, përmbushin standardet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Në emër të kësaj cilësie, Edi Rama që më 2014-ën, do të paralajmëronte mbyllje të universiteteve nëse nuk do të kalonin procesin e akreditimin. Dhe, kryeministri pompoz do të jepte “sigurinë” e këtij procesi pasi akreditimi do të bëhej nga një kompani “prestixhioze” britanike. Kështu, pas një maratone akreditimesh për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), ku rankimi i tyre lëvizte sipas oreksit të Ramës dhe qeverisë tij, na rezulton se vlerësimi për cilësinë e programeve të studimit në universitetet shtetërore është i munguar, ato sot janë të paakredituara. Pra, interesi i qeverisë për cilësinë mësimore universitare dhe mbarëvajtjen e saj është zero me xhufkë! Po jo vetëm, por dhe në shkelje të akteve ligjore pasi vetë Ligji i Arsimit të Lartë e kërkon këtë proces.
Dhe ky është një skandal! Pasi na rezulton se akreditimi nuk paska pasur fokus cilësinë por hallin e Ramës dhe të pushtetit të tij. Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër që, pas 6 vitesh të fillimit të këtij procesi, qeveria nuk ka asnjë të dhënë se çfarë mësojnë studentët në universitetet shtetërore; nëse programet e tyre kontrollohen e ndryshojnë që të jenë bashkëkohore, më fleksible, të orientuara më mirë nga tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik i vendit për t’u krijuar më shumë mundësi zgjedhje studentëve dhe, si rrjedhojë, ata të jenë më të suksesshëm në tregun e punës.
Por, ajo që bën përshtypje është se qeveria di se çfarë mësojnë studentët në universitetet private, pasi programet e tyre rezultojnë të akredituara në të tria ciklet e studimit.
Shumë mirë bën, po pse ky dallim? Kështu, në faqen zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) janë të listuara programet e akredituara të universiteteve private, që në krye të herës. Ndërsa për universitetet shtetërore rezulton se, vetëm Universiteti Bujqësor i Tiranës ka disa programe të akredituara në dy ciklet e studimit ndërsa tre të tjerë, me nga dy programe të nivelit “Master”, të listuara së fundmi. Mbi ciklin e tretë të studimeve “Doktoraturë”, as që bëhet fjalë. Pra, dukshëm, është vepruar me kërbaçin e pushtetit: shantazhin me mbyllje të një pale dhe lënien “hazat” të palës tjetër.
Një katrahurë e vërtetë! Mashtrimi publik i Edi Ramës se akreditimi i universiteteve me gjoja standarde europiane do të ndante “ato që duhet të shkojnë më tutje dhe ato që duhet të nxirren jashtë sistemit” jo vetëm është një gënjeshtër e madhe, por dhe i dëmshëm e me pasoja.
Pasi, jo vetëm nuk ndau të mirën nga e keqja por la universitetet në përpëlitje dhe mëshirë të pushtetit me programe mësimore të pavlerësuara për nga cilësia dhe të paunifikuara për nga zbatimi. Ndërkohë që, buxheti i ulët që qeveria parashikon për arsimin e lartë, afërsisht 350 $ për student, kur kostoja minimale e studimeve universitare variojnë në 700$ për Shkencat Shoqërore dhe 1300 $ për Shkencat teknike e natyrore, tregon hallin në të cilën janë universitetet.
Pra, universiteti punon për mbijetesë dhe larg cilësisë e perspektivës. Kështu, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk e kanë idenë sesi është formimi universitar i mësuesve. Fakultetet e mësuesisë punojnë jo vetëm me programe por dhe me cikle të ndryshme studimi, për rrjedhojë dhe me diploma të ndryshme certifikimi. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë ofron në ciklin e dytë të studimeve për mësues “Master shkencor”, ndërsa Fakulteti Filologjik në të njëjtin cikël ofron “Master profesional”. Ato në Elbasan, Vlorë apo Shkodër ofrojnë “Master profesional” në mësuesi por dhe “Master shkencor” për mësuesit e Arsimit Fillor.
Dhe e gjitha kjo zallamahi masterash, krahas endjes së studentëve nga një master në tjetrin, shoqërohet dhe me kosto financiare për familjet shqiptare. Filozofia e sundimit të Ramës bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë, ka shkatërruar gjithçka në arsim. Maskaradës së akreditimit të institucioneve të Arsimit të Lartë disa vite më parë, (vlerësimi i pedagogëve, kualifikimit të tyre, ambientet dhe mjetet mësimore të siguruara nga institucioni, gjendja e kërkimit shkencor dhe tregues të tjerë), kur pushteti nuk mori asnjë masë për mbështetjen dhe zhvillimin e tyre, do t’i dilte boja shumë shpejt.
Dhe, një shembull për këtë është rasti i Universitetit 63-vjeçar të Tiranës që do të listohej i fundit në akreditim edhe pse është universitetit më i vjetër dhe më i madh në vend dhe furnizon me pedagogë gjithë të tjerët dhe, për më tepër, studentët e tij janë të punësuar në mbarë botën. Apo dhe akreditimi i këtyre institucioneve kur numri i madh i pedagogëve të jashtëm (part-time) krahasuar me numrin e pedagogëve të brendshëm (full-time) është jashtë logjikës së funksionimit normal të universitetit.
Pra, këto fakte dhe të tjera e kanë kthyer këtë proces jo vetëm të pabesueshëm por dhe selektiv, edhe pse Edi Rama, si gjeli majë plehut fryhet duke keqpërdorur emrin e kompanisë britanike. Pasi dukshëm, rëndësi për Edi Ramën nuk ka cilësia e universitetit por jetëgjatësia e pushtetit. Ndaj ka lënë universitetet të “kavardisen” me lëmoshën financiare të pushtetit të tij duke i përdorur dhe keqpërdorur, sa herë ka nevojë. Kur erdhi në pushtet i duhej zaptimi i tyre dhe e bëri. Tani në vitin e 8 të sundimit i duhet vazhdimi i rrënimit të tyre. Dhe, këtë po bën.
Ndaj, mungesa sot e kontrollit ndaj cilësisë së programeve mësimore të universitetit shtetëror është një skandal, pasi Arsimi i Lartë është një e mirë publike që kërkon vëmendje. Dhe, pushteti i Edi Ramës nuk e tjetërson dot këtë…