Aktualitet

Skenarët/ Çfarë ndodh nëse bie Pjetri?!







               Publikuar në : 14:04 - 13/08/19 |
mapo.al

Publikimi sot i një dokumenti italian nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ka ndryshuar tërësisht rrethanat lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë Shkodër, të dalë nga votimet e 30 qershorit.


Shkresa që u publikua sot, tregon se Valdrin Pjetri është dënuar në Itali për trafik droge me 18 muaj burgim, në vitin 2003.

Deri tani, kandidati i Ramës dhe mazhoranca e patën mohuar.

Ky fakt i ri mjafton që prokuroria të kërkojë heqjen e mandatit. Gjasat janë që kështu do të ndodhë. Bardhi u shpreh se Pjetri ka kryer 4 herë falsifikim, duke qenë se e ka fshehur këtë ndodhi në formularët që ka plotësuar edhe në detyrat e rëndësishme që ka patur më parë.

Më shumë e përforcon këtë zhvillim eventual edhe qëndrimi i menjëhershëm i Taulant Ballës. Në thelb të deklaratës së numrit 2 të mazhorancës, dallohet lëshimi që Rama i ka bërë Pjetrit. Jo vetëm fjalitë e tipit ‘askush nuk është mbi ligjin’, po sidomos pjesa ku Balla shprehet se shpjegimet e njeriut të tyre, nuk mjaftojnë.

Pra, vetëm nëse prokuroria shumë e pavarur bën ndonjë mrekulli, mund të ndodhë që Pjetri t’ia hedhë.

Përndryshe, ai humb mandatin e me siguri shkon për ndjekje penale. Në këto kushte do të kishim zgjedhje të reja lokale në Shkodër, brenda 45 ditëve. Një rrethanë e papritur që duket se i zë të gjithë palët në befasi.

Pyetja e parë: Nëse do të ribëhen zgjedhjet në metropolin e Veriut, a do të merrte pjesë PD, që e ka bastionin e saj? Do të ishte një lloj sfide ose shansi, për t’i treguar Ramës atë që thotë, se është në avantazh elektoral sipas çdo sondazhi.

Por qeveria nga ana tjetër mund të shpërngulet e gjitha në Shkodër, me çdo mjet e instrument, për të treguar se ka mbështetje dhe do bëjë çmos të marrë rezultatin maksimal.  Ndërkohë, një gjë dihet me siguri. Nëse do të ketë zgjedhje sërish në Shkodër, LSI merr pjesë, çka mund të sjellë zhvillime të reja brenda opozitës. Kjo nisur nga garancia që ka dhënë Presidenti Ilir Meta për pjesëmarrje në 13 tetor. Shkodra pra mund të prodhojë një ekuacion të madh politik.

Po një gjë dihet mirë. Po u vërtetua se Valdrini ka qenë i dënuar, kjo do të ishte një goditje shumë e madhe për Ramën. Sepse kryeministri jo vetëm dërgoi si kryebashkiak të shkodranëve një njeri me precedent, çka e bën shefin e Rilindjes një përsëritës tashmë në lidhjet e tij me këtë soj me të kaluar problematike, por ai i dha Pjetrit gjithë pushtetin politik në qarkun më të madh të Veriut. Dhe këtë e bëri duke zëvendësuar Ditmir Bushatin, i cili pati guximin të artikulonte disa kritika ndaj shefit.

Pra Rama është gati që të heqë qafe një ish-kryediplomat vetëm për të mbyllur gojët e atyre që tentojnë të mos bien dakord me të, apo të kontestojnë politikat e tij, qoftë edhe duke i zëvendësuar me ndonjë që gënjen për të kaluarën duke shkelur ligjin e fshehur një dënim për drogë.

Rasti ‘Valdrini’ mund të prodhojë valë të forta që e kalojnë Drinin.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas